Syla: Goxhaj nuk ishte në frontin e luftës

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Azem Syla, ka reaguar përmes një deklarate publike lidhur me pretendimet e publikuara në media për Dritan Goxhaj.

Në reagimin e tij, Syla ka përgënjeshtruar pohimet që, sipas tij, janë plasuar në media të ndryshme, duke sqaruar se Goxhaj nuk ka qenë pjesë e luftës në frontet e Kosovës.

PËRGËNJESHTRIM
Lidhur me Dritan Goxhajn, per te cilin ne media te ndryshme jane plasuar pohime a pretendime te ndryshme, deklaroj se Dritan Goxhaj i eshte bashkuar UÇK-se disa jave para mbarimit te luftes, ne Helshan te Shqiperise, jo ne Kosove, jo ne front.

Me respekt
Azem Syla
Komandant i Shtabit te Përgjithshëm te Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
23 qershor 2026
”, thuhet në reagimin e Azem Sylës.

Vdes Robert Bacaj, për vite të tëra udhëhoqi projekte të rëndësishme në RTK

në moshën 52-vjeçare ka ndërruar jetë kolegu Robert Bacaj. Karrierën e tij profesionale në Radio Televizionin e Kosovës e filloi në vitin 2002 si regjisor.

Me përkushtimin, profesionalizmin dhe punën e palodhshme, ai ndër vite mbajti pozita të rëndësishme drejtuese, duke shërbyer si Udhëheqës i Njësisë së Regjisë dhe Realizimit, ndërsa në vitet e fundit edhe si Ushtrues i Detyrës së Udhëheqësit të TV Produksionit.

Për shumë vjet, Robert Bacaj dha kontribut të jashtëzakonshëm në realizimin dhe prodhimin e shumë projekteve televizive, ngjarjeve kulturore, sportive dhe artistike, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin e produksionit televiziv dhe në jetën profesionale të institucionit.

Ai do të kujtohet për profesionalizmin, urtësinë, integritetin dhe përkushtimin e tij ndaj punës, si dhe për respektin që gëzonte nga kolegët dhe bashkëpunëtorët.

Varrimi i Robert Bacajt do të bëhet nesër rreth orës 17:00, në varrezat e Prishtinës, në lagjen Arbëria.

Abdixhikut i del në krah një kryetar komune

Ilir Ferati, kryetari i Komunës së Istogut, ka mbrojtur kryetarin e LDK’së, Lumir Abdixhikun, pas kërkesave nga tri degë që ai të dorëhiqet nga posti.

Ferati ka thënë se përgjegjësia e një kryetari dege, i cili është edhe kryetar komune, është direkte dhe lidhet ngushtë me rezultatet zgjedhore, duke filluar nga niveli lokal i organizimit politik dhe ekzekutiv.

Sipas tij, struktura e degës dhe ekzekutivi komunal janë të ndërlidhura me proceset zgjedhore, si ato lokale ashtu edhe ato nacionale, dhe për këtë arsye përgjegjësia nuk mund të zhvendoset tek të tjerët.

Ai ka shtuar se, nga pikëpamja morale dhe politike, do të ishte më e drejtë që fillimisht vetë kryetarët e degëve të japin dorëheqje, para se të kërkojnë largimin e kryetarit të partisë.

“Përgjegjësia e një kryetari të degës, që është kryetar komune është direkte. Është direkte dhe fillon prej aty. Se është struktura e degës, është ekzekutivi komunal, që janë në funksion të zgjedhjeve qofshin ato lokale, qofshin ato nacionale… dhe të kërkosh përgjegjësi në përgjegjësinë tënde prej dikujt tjetër është joetike, jo-fer dhe është jashtë rendi të shtëpisë… moralisht do të duhej të fillohej nga vetja (të jepnin dorëheqje)”, ka thënë Ferati në Debat Plus.

 

“Nxehet” situata te LDK-ja, Abdixhikut i vjen edhe reagimi i radhës

Pas Degës së Pejës dhe asaj të Lipjanit, dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga pozita e Kryetarit të LDK’së, e ka kërkuar edhe Dega e Dytë e LDK’së në Prishtinë në krye me Florian Dushin, i cili njihet për afërsinë me Kryetarin e Prishtinës Përparim Ramën, shkruan Reporteri.net.

Në reagim thuhet se Abdixhikut i janë dhënë të gjitha mundësitë dhe hapësirat për ta rikthyer LDK-në në rrugën e fitores, por se rezultatet kanë munguar.

“Në këto rrethana, Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë e falënderon kryetarin Lumir Abdixhiku për kontributin dhe angazhimin e tij të deritashëm dhe, njëkohësisht, kërkon që, me përgjegjësi dhe dinjitet politik, të japë dorëheqje dhe t’u hapë rrugë ndryshimeve tashmë të domosdoshme në LDK”, thuhet në reagim.

Abdixhiku ndërkohë ka lënë të kuptohet se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje.

Reagimi i plotë:

Sot, vendi ynë po përballet me stagnim ekonomik, izolim ndërkombëtar, polarizim të skajshëm politik dhe humbje të besimit të aleatëve tanë strategjikë. Për herë të parë pas çlirimit, Kosova po rrezikon të largohet nga binarët e përparimit, nga orientimi i saj pro-perëndimor dhe nga rruga e integrimeve euro-atlantike, në miqësi të përhershme dhe raporte strategjike me SHBA-të. Kjo gjendje alarmante kërkon reagim të menjëhershëm dhe veprim të guximshëm politik.

Kosova ka nevojë urgjente për rikthim të besimit, stabilitetit dhe vizionit shtetformues. Ka nevojë të rikthehet si partnere e denjë dhe e besueshme e botës demokratike, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin tonë jetik dhe historik.

Lidhja Demokratike e Kosovës, që nga themelimi i saj si forcë politike nacional-demokratike, e udhëhequr nga arkitekti i pavarësisë së Kosovës, Presidenti Historik Ibrahim Rugova, ishte fryma politike dhe kombëtare që e orientoi Kosovën drejt lirisë, demokracisë dhe integrimit euro-atlantik. Trinomi “Liri, Pavarësi, Demokraci” u bë themeli i rezistencës sonë kombëtare gjatë viteve të ’90-ta dhe, bashkë me luftën çlirimtare të UÇK-së dhe ndërhyrjen vendimtare të NATO-s, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, solli çlirimin përfundimtar të Kosovës nga Serbia.

LDK-ja ishte aty në çdo etapë të rëndësishme të shtetndërtimit. Ajo ishte zëri i arsyes, i orientimit perëndimor dhe i përgjegjësisë shtetërore. Pa LDK-në, Republika e Kosovës nuk do të ishte sot kjo që është, me institucionet e saj. Por sot duhet ta themi hapur dhe pa hezitim: pa një LDK të fortë, të bashkuar dhe fituese, Kosova nuk mund të ketë të ardhme të sigurt.

Fatkeqësisht, ashtu si Kosova, edhe Lidhja Demokratike e Kosovës po kalon njërën nga periudhat më të vështira në historinë e saj. Pas humbjeve të njëpasnjëshme, LDK-ja po rrëshqet drejt margjinalizimit politik, duke e betonuar veten në pozitën e tretë dhe duke u shndërruar në një parti pa peshën e duhur politike dhe shtetndërtuese. Ky është një realitet i papranueshëm për partinë e Ibrahim Rugovës dhe një dëm i madh për vetë shtetin e Kosovës.

Prandaj, kjo situatë kërkon reflektim të thellë, përgjegjësi politike dhe vendime të guximshme.

Në këtë moment, askush nuk duhet ta përjashtojë veten nga përgjegjësia. Të gjithë duhet të jemi të gatshëm të japim llogari para anëtarësisë dhe qytetarëve: kryetari, kryesia, degët dhe nëndegët. Megjithatë, adresa kryesore e humbjes së tri palë zgjedhjeve të fundit dihet qartë dhe saktë.

Prandaj, në këtë situatë kërkohen kurajë, veprim dhe guxim për ta rikthyer fuqinë dhe peshën e LDK-së.

Njëkohësisht, duhet ta ruajmë dhe ta forcojmë demokracinë e brendshme të LDK-së. Duhet të sillemi me mirëkuptim dhe respekt ndaj secilit anëtar e dashamir të LDK-së që kërkon përgjegjësi dhe ndryshim. Kërkesa për llogaridhënie nuk është armiqësi ndaj partisë, por përkushtim ndaj saj. Prandaj, në vend që t’i përndjekim, t’i ndëshkojmë, t’i fyejmë apo t’i ofendojmë ata që mendojnë ndryshe, madje edhe me sulme personale, duhet t’i dëgjojmë dhe t’i trajtojmë si pjesë të zgjidhjes.

 

Kryetarit Lumir Abdixhiku, në një varg procesesh zgjedhore, i janë dhënë të gjitha mundësitë dhe hapësirat për ta rikthyer LDK-në në rrugën e fitores, por, fatkeqësisht, rezultatet kanë munguar.

Të përkushtuar ndaj LDK-së, kemi pranuar të angazhohemi dhe të veprojmë edhe për ata që nuk e meritojnë mundin e as besimin e aktivistëve, por pa sukses.

Në këto rrethana, Dega e Dytë e LDK-së në Prishtinë e falënderon kryetarin Lumir Abdixhiku për kontributin dhe angazhimin e tij të deritashëm dhe, njëkohësisht, kërkon që, me përgjegjësi dhe dinjitet politik, të japë dorëheqje dhe t’u hapë rrugë ndryshimeve tashmë të domosdoshme në LDK.

LDK-ja duhet ta rikthejë veten me energji të reja, me lidership të ri, me struktura të rifuqizuara dhe me një bashkim të vërtetë të të gjithë atyre që kanë për mision avancimin e interesave të shtetit të Kosovës dhe të së ardhmes së saj, e jo realizimin e interesave të ngushta individuale apo grupore. LDK-ja ka nevojë për rimëkëmbje, për kthim te besimi qytetar dhe te fryma fituese që dikur e bënte shpresën më të madhe të Kosovës.

Prandaj, kërkojmë hapjen e procesit demokratik për zgjedhjen e një lidershipi të ri, të cilin e kërkojnë koha, anëtarësia dhe qytetarët e Kosovës.

Ky është momenti për marrje të përgjegjësive.

Ky është momenti për mobilizim të të gjithëve.

Ky është momenti për ta shpëtuar LDK-në nga rreziku i margjinalizimit dhe për ta rikthyer Kosovën në drejtimin e duhur.

Zoti e bekoftë Kosovën.

Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Dega e Dytë të LDK-së “Qyteti i Vjetër”

“Si nuk u ngopët kurrë?” – Deputeti i VV-së ironizon kreun e LDK-së

Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë reaguar pas përplasjes brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku degët e kësaj partie në Pejë dhe Lipjan kanë kërkuar dorëheqjen e Lumir Abdixhikut si Kryetar i partisë.

Abdixhiku në reagimin ndaj këtyre kërkesave, ndër të tjera shkroi “si nuk u ngopën kurrë”.

Ka qenë deputeti i zgjedhur i VV’së, Ilir Kërçeli, ai që ka ironizuar me këtë deklaratë.

“Të njëjtën pyetje e kisha edhe unë gjatë fushatës për lidershipin e LDK-së. Si nuk u ngopët kurrë? 🙂”, thuhet në postimin e Kërçelit./Reporteri.net

Dega e LDK-së në Pejë kërkon dorëheqjen e lidershipit pas rezultatit në zgjedhjet e 7 qershorit

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë ka kërkuar përgjegjësi nga lidershipi i partisë pas rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, duke kërkuar edhe dorëheqjen.

Në një reagim të publikuar në rrjetin social Facebook, dega e LDK-së thotë se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja.

“Pas mbledhjes së Kryesisë dhe analizës së rezultateve të zgjedhjeve të qershorit, me shumicë votash, anëtarët e Kryesisë në Pejë kanë kërkuar reflektim të thellë politik dhe marrjen e përgjegjësisë nga lidershipi i partisë.

Në këtë drejtim, është kërkuar dorëheqja si akt moral dhe politik, duke vlerësuar se përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja.

Kryesia konsideron se ky duhet të jetë një imperativ i qartë i kësaj shtëpie të demokracisë, në funksion të ruajtjes së besimit të anëtarësisë dhe forcimit të standardeve demokratike brenda partisë”, thuhet në reagim.

Edhe LDK në Lipjan kërkon dorëheqjen e Abdixhikut

Kryesia e Degës së LDK-së në Lipjan, pas mbledhjes së mbajtur së bashku me kryetarët e nëndegëve, ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të LDK-së, duke e cilësuar këtë si standard të përgjegjësisë politike dhe akt reflektimi pas mesazhit të dhënë nga qytetarët përmes votës.

Në njoftim, Dega e LDK-së në Lipjan fillimisht ka shprehur mirënjohje për strukturat e degës, aktivistët dhe anëtarësinë për angazhimin gjatë procesit zgjedhor. Po ashtu, janë falënderuar qytetarët e Komunës së Lipjanit për pjesëmarrjen dhe kontributin në një proces zgjedhor demokratik, të qetë dhe dinjitoz.

Sipas postimit, LDK në Lipjan ka kaluar nga 6,338 vota, apo 19.40 për qind, në zgjedhjet e dhjetorit, në 6,455 vota, apo 23.60 për qind, në zgjedhjet e qershorit 2026.

Megjithatë, Kryesia ka vlerësuar se rezultati mbetet larg pritjeve dhe angazhimit të strukturave lokale. Sipas saj, rezultati në nivel vendi nuk mund t’u atribuohet vetëm strukturave lokale, por reflekton edhe gjendjen, organizimin, funksionimin dhe kapacitetin politik të partisë në nivel qendror.

Gjendet trupi i pajetë i 5-vjeçarit shqiptar që ishte zhdukur në një lumë në Zvicër

Para pak çastesh është gjetur trupi i pajetë i pjesëvjeçarit shqiptar që ishte zhdukur lumin Reuss, pranë lokalitetit Mühlau në Zvicër.

Për gjetjen e trupit të tij ka njoftuar Ridan Tahiri, i cili ka shkruar në rrjetin social facebook.

“Pak para arritjes në Zvicër. Konfirmohet se trupi i Tianit eshte nxjerr nga uji. Familjes i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta. Falënderoj të gjithë ata vullnetarë që kontribuan.”, ka shkruar Tahiri.

Ndryshe, që nga e dita e shtunë, kanë vazhduar kërkimet për Tian Rrahimi, 5-vjeçari me prejardhje shqiptare, që ishte zhdukur në lumin Reuss.

Zhdukja e tij ka ndodhur pasi që ai dhe familjarët ishin përfshirë në një aksident teksa ndodheshin në një gomone.

Prindërit dhe motra e tij shtatëvjeçare arritën të notonin deri në breg, derisa pesëvjeçari është zhdukur që atëherë.

Për kërkimin e tij ishin angazhuar autoritetet zvicerane, si dhe një numër i madh vullnetarësh.

Gresa Hasa ironizon Ramën: Pas grekëve, serbëve e rusëve, tani fajin për protestat e ka Albin Kurti

Aktivistja Gresa Hasa ka ironizuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama dhe mbështetësve të tij lidhur me protestat në Tiranë, duke thënë se pas një sërë “armiqsh” të shpallur më herët, tani fajtor për zhvillimet është bërë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në një reagim në rrjetet sociale, Hasa ka kritikuar përpjekjet për t’i atribuar protestat faktorëve të jashtëm.

“Ishte vetëm çështje kohe: pas ‘agjenturave greke, serbe, ruse’, tani fajin e ka Albin Kurti. Ji pak kreativ të paktën, o Edi Rama, o dështak!”, ka shkruar ajo.

Reagimi i Hasës vjen në mes të debatit të ndezur për pjesëmarrjen e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut në protestat që po mbahen prej javësh në Tiranë.