Mustafa Nano mesazh për protestuesit: Mbani distancë nga qentë e Hamasit dhe zagarët e Berishës

Gazetari dhe analisti politik Mustafa Nano ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me protestën e zhvilluar në Tiranë.

Përmes një postimi, Nano u ka bërë thirrje protestuesve që të mbajnë distancë nga grupet që ai i cilëson si ekstremiste apo të lidhura politikisht.

“Hej protestues, mos e ndalni veprën tuaj të madhe. Mbani distancë nga qentë e Hamasit e zagarët e Berishës”, shkruan Nano në reagimin e tij.

Haxhiu do t’i drejtohet Supremes për rinumërimin e votave të kandidatëve të PDK-së

Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Supreme për të kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të kësaj partie, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) gjatë ditës së djeshme hodhi poshtë ankesën e tij.

Në një prononcim për KOHËN të martën, Haxhiu ka thënë se vendimi i PZAP-së nuk mund të ketë saktësi pasi nuk është urdhëruar numërimi i të gjitha votave, edhe pse siç thotë ai, ka konstatuar se ka ndryshime në numërimin e votave për kandidatët për deputetë.

“PZAP-ja ka konstatuar se ka ndryshime në numërimin e votave për deputetë. Pas rinumërimit disave u janë shtuar votat, disa u janë hequr. Nuk ka urdhëruar numërimin e të gjitha votave për të pasur saktësi. Por është dhënë një konstatim se gjoja ato janë gabime minimale, mirëpo ligji thotë se çdo votë duhet të jetë e numëruar me saktësi. Prandaj do t’i drejtohemi Gjykatës Supreme për me kërku rinumërimin e të gjitha votave për kandidatët për deputetë të PDK-së”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu, që është i 23-ti për kah votat në PDK, nga 22 që kanë fituar mandat, ka pretenduar se meqë dallimi me Rrustem Mustafën, i cili është zgjedhur deputet, është 102 vota dhe rinumërimi i 7.41% e vendvotimeve ia ka kthyer 6 vota, një rinumërim i plotë do të mund ta ndryshonte renditjen dhe përbërjen e Kuvendit.

Megjithatë, PZAP-i devijimet i ka konsideruar minimale.

Në rast se edhe Supremja hedh poshtë ankesën e Haxhiut, hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja.

Tragjedi në Francë – nëna lë dy fëmijët në veturë dhe shkon të bëjë pazar, i gjen të pajetë për shkak të të nxehtit

Dy fëmijë, të moshës 2 dhe 4 vjeç, u gjetën të pajetë mesditën e sotme brenda makinës së familjes së tyre në Carpentras, në jug të Francës, ndërsa vendi po përballet me një valë ekstreme të të nxehtit.

Sipas prokurores së Carpentras, Helene Mourez, shkaqet e sakta të vdekjes ende nuk janë përcaktuar, por dyshohet se temperaturat e larta mund të kenë luajtur rol vendimtar në tragjedi.

Fëmijët u zbuluan rreth orës 13:10 në automjetin e parkuar pranë banesës së tyre, pasi nëna e tyre ishte kthyer nga pazari. Pavarësisht përpjekjeve të ekipeve të emergjencës për t’i ringjallur, të dy humbën jetën.

Mediat lokale raportojnë se ende nuk dihet se si fëmijët hynë në makinë dhe sa kohë qëndruan brenda saj. Hetimet paraprake sugjerojnë se ata mund të kenë hyrë në automjet pa dijeninë e nënës së tyre 33-vjeçare.

Ngjarja ndodh në një kohë kur Franca po përjeton një nga valët më të forta të të nxehtit të regjistruara ndonjëherë. Autoritetet kanë vendosur 49 departamente në nivelin më të lartë të alarmit për temperaturat ekstreme, ndërsa mbi 90% e popullsisë pritet të preket nga kushtet e motit.

“Ky zgjidhjet i pret nga qielli”, Doarsa Kica Xhelili tallet me deklaratën e Kurtit për diell

Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica Xhelili, ka ironizuar me deklaratën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtin, i cili foli sot për diellin e shiun.

Kica-Xhelili me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka thënë se Kurti pret, siç u shpreh ajo, zgjidhje nga qielli, shkruan Insajderi.

“Moti e kam kuptu qe ky zgjidhjet i pret nga qielli! (Besoj per pak del ndonje zyrtar i tij e na tregon si kryeministri paska mendu qe shiu pas diellit eshte bereqet, e nese rasisht bjen, eshte arritje e qeverise)…”, deklaroi ajo.

“Nese ankoheni shumë për diell, mundet edhe me ra shi”, deklaroi Kurti sot. /Insajderi.org/

 

Rrustem Mustafa ironizon zëdhënësin e protestës kundër Ramës me një postim në Facebook

Ish-komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa (Remi), e ka komentuar zëdhënësin e protestës kundër Qeverisë Rama, Dritan Goxhaj, i cili pretendon se ka qenë ushtar i UÇK-së.

Duke e postuar fotografinë e tij derisa lexonte kërkesat e protestove, ai ka ironizuar me Goxhajn.

Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar vetëm dy fjalë.

“Përfundimi i protestimit”, ka shkruar Mustafa.

Pritet rritje e madhe e çmimit të cigareve në Gjermani

Cigaret mund të bëhen dukshëm më të shtrenjta në Gjermani, sipas planeve të ministrisë së financave për të rritur gradualisht taksat e duhanit në vitet e ardhshme, raporton agjencia gjermane e lajmeve.

Sipas projektligjit, çmimi mesatar i një pakete me 20 cigare mund të rritet nga rreth 8.80 euro në vitin 2027 në afërsisht 11.40 euro deri në vitin 2030.

Komponenti tatimor i çmimit me pakicë do të rritet nga rreth 4.40 euro në 5.75 euro për pako. Rritjet e planifikuara do të zbatohen edhe për produktet e tjera të zakonshme të duhanit.

Një zëdhënës i ministrisë së financave tha se propozimi “do të shërbejë gjithashtu për të mbrojtur shëndetin publik dhe është në përputhje me qëllimin e uljes së shkallës së pirjes së duhanit tek të rinjtë dhe të rriturit”.

Zëdhënësi shtoi se forcimi i të ardhurave qeveritare është një pjesë kyçe e përpjekjeve për të konsoliduar financat publike.

Ministria pret që masa të gjenerojë miliarda euro të ardhura shtesë. Sipas draftit, të ardhurat shtesë tatimore do të arrinin në rreth 756 milionë euro në vitin 2027, duke u rritur në 1.6 miliardë euro në vitin 2028, 2.5 miliardë euro në vitin 2029 dhe 3.6 miliardë euro në vitin 2030.

Cigaret mbeten relativisht të lira në Gjermani krahasuar me vendet fqinje të Evropës Perëndimore. Sipas Shoqatës Gjermane të Cigareve, një pako me 20 cigare në Gjermani kushtoi mesatarisht 7.33 euro në vitin 2024, krahasuar me 12.07 euro në Francën fqinje.

E konfirmon ADN-ja, trupi i pajetë i gjetur në Cerrunjë i përket 34-vjeçarit

Trupi i gjetur disa ditë më parë në Cërrunjë i përket Eglant Koçit.

Sipas Top Channel, megjithëse grupi hetimor ishte i bindur që trupi i përkiste 34-vjeçarit të humbur që nga data 4 qershor, ishin testet e ADN-së që e konfirmuan 100%, kjo për shkak të shenjës së operacionit, numrit të këmbës 40 dhe rrobave të zeza që kishte kufoma, të njëjtat që Eglanti është parë për herë të fundit.

Tashmë pritet që familja të tërheqë trupin nga morgu i Tiranës.

Trupi i 34-vjeçarit u gjet në proces dekompozimi, pas dy javësh kërkime nga forcat e policisë, të ndihmuar edhe nga forcat e sigurisë së Kosovës si edhe me dronë.

Autoritetet dyshojnë se Eglant Koçi është vrarë nga miku i tij, Armando Shakaj, i cili prej disa javësh është në kërkim.

Taulant Balla: Dritan Goxhaj është zëdhënës i Republikës Islamike të Iranit, sot u zbardh skenari i tubimeve

Në ditën e 23-të të protestës, Dritan Goxhaj lexoi kërkesat që kanë qytetarët që protestojnë përballë Kryeministris. Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, thotë se Goxhaj është zëdhënësi i Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri. Sipas Ballës, Goxhaj prej kohësh del në mbrojtje të regjimit terrorist iranian, duke sulmar SHBA-të, Izraelin, por edhe Shqipërinë.

Reagimi i plotë

Sot skenari u zbardh plotësisht! Deklaratën me kërkesa në emër të protestuesve e mbajti “zëdhënësi” i Republikës Islamike të Iranit në Shqipëri.

Personi quhet Dritan Goxhaj, i cili në media dhe rrjete sociale ka dalë prej kohësh në mbrojtje të regjimit terrorist iranian, duke sulmuar SHBA, Izraelin por edhe Shqipërinë.

E paimagjinueshme se si një ish-pjesëmarrës në UÇK sot bën avokatin e regjimit terrorist të Iranit kundër aleatit tonë SHBA, pa të cilët Kosova nuk do të ishte çliruar kurrë.

Tani “patriotët” edhe ditëzinjtë ta gëzojnë vulën e turpit! Avash avash, të gjitha po dalin! Dhe flamingot do habiten me veten e tyre si ranë me kokë mes korbave e sorrave të shqiptarisë së rreme.

Aksident në Prishtinë, vdes një person

Një person ka vdekur sot pas një aksidenti në fshatin Vranidoll të Prishtinës.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Prishtinën, Enis Pllana, i cili bëri të ditur se në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete.

“Rreth orës 12:00 Policia ka pranuar informatën se në fshatin Vranidoll të Prishtinës ka ndodhur një aksident trafiku me pasoja fatale. Në aksident kanë qenë të përfshira dy automjete. Si pasojë e lëndimeve të marra, një person ka humbur jetën. Vdekja e tij është konstatuar nga ekipi mjekësor emergjent në vendin e ngjarjes”, ka treguar Pllana.

Njësitet e Trafikut Rajonal të Prishtinës, në koordinim me prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij aksidenti.