Haxhiu do t’i drejtohet Supremes për rinumërimin e votave të kandidatëve të PDK-së
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Supreme për të kërkuar rinumërim të plotë të votave të kandidatëve të kësaj partie, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) gjatë ditës së djeshme hodhi poshtë ankesën e tij.
Në një prononcim për KOHËN të martën, Haxhiu ka thënë se vendimi i PZAP-së nuk mund të ketë saktësi pasi nuk është urdhëruar numërimi i të gjitha votave, edhe pse siç thotë ai, ka konstatuar se ka ndryshime në numërimin e votave për kandidatët për deputetë.
“PZAP-ja ka konstatuar se ka ndryshime në numërimin e votave për deputetë. Pas rinumërimit disave u janë shtuar votat, disa u janë hequr. Nuk ka urdhëruar numërimin e të gjitha votave për të pasur saktësi. Por është dhënë një konstatim se gjoja ato janë gabime minimale, mirëpo ligji thotë se çdo votë duhet të jetë e numëruar me saktësi. Prandaj do t’i drejtohemi Gjykatës Supreme për me kërku rinumërimin e të gjitha votave për kandidatët për deputetë të PDK-së”, ka thënë Haxhiu.
Haxhiu, që është i 23-ti për kah votat në PDK, nga 22 që kanë fituar mandat, ka pretenduar se meqë dallimi me Rrustem Mustafën, i cili është zgjedhur deputet, është 102 vota dhe rinumërimi i 7.41% e vendvotimeve ia ka kthyer 6 vota, një rinumërim i plotë do të mund ta ndryshonte renditjen dhe përbërjen e Kuvendit.
Megjithatë, PZAP-i devijimet i ka konsideruar minimale.
Në rast se edhe Supremja hedh poshtë ankesën e Haxhiut, hapet rruga për shpalljen e rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja.
