U pezullua nga shkolla shkaku i shamisë, Prokuroria në Pejë nis hetimet për rastin

Prokuroria Themelore e Pejës ka filluar hetimet lidhur me rastin e një nxënëseje nga Gjimnazi “Bedri Pejani” në Pejë, e cila u pezullua nga shkolla për shkak të bartjes së shamisë.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.

“Pasi kemi pranuar informatat përmes email-it zyrtar për rastin në fjalë, çështja i është ndarë një prokurorit të shtetit , i cili do ta trajtoj rasti se a ka elemente të veprës penale “Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, nga neni 190 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Pasi t’i ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme, atëherë prokurori i shtetit do vendos lidhur procedurat e mëtutjeshme”, thuhet në njoftim.

Një nxënëse e klasës së 11 e cila u largua nga gjimnazi ‘Bedri Pejani’ në Pejë shkaku i vendosjes së shamisë, i kishte njoftuar paraprakisht drejtorinë, mësimdhënësit dhe gjithë stafin e shkollës për vendimin që kishte marrë lidhur me bartjen e shamisë.

Në letrën e saj drejtuar shkollës dhe institucioneve arsimore, nxënësja ka theksuar se dëshiron të ushtrojë të drejtën e saj për të zgjedhur veshjen fetare.

Sipas saj, vendimi për pezullim është në kundërshtim me nenin 55 të Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton se të drejtat dhe liritë kushtetuese mund të kufizohen vetëm përmes ligjeve, dhe jo përmes udhëzimeve administrative.

S’shihen lëvizje nga Qeveria për CEFTA-n, kërcënim i ri nga Gjermania: Kosova rrezikon…

Qeveria nuk ka lëvizur, ndërkohë që nga Gjermania janë përsëritur kërcënimet për përjashtimin e Kosovës nga CEFTA dhe Procesi i Berlinit nëse nuk hiqet ndalesa për mallrat e prodhuara në Serbi. I dërguari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, pasi erdhi dy herë në Prishtinë për këtë çështje, tash thotë se vendi rrezikon izolim të thellë.

Gazeta Express

Kosova mund të mbetet jashtë marrëveshjes për tregti të lirë, CEFTA dhe Procesit të Berlinit, iniciativës që Gjermania e nisi nga viti 2015 për zgjerimin e Bashkimit Europian me shtetet e Ballkanit Perëndimor.

I dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin e ka përsëritur kërcënimin për përjashtimin e Kosovës nga CEFTA dhe Procesi i Berlinit.

Kosova mund të përballet me thirrje për përjashtim nga Marrëveshja e Europës Qendrore për Tregtisë të Lirë dhe ndëshkime të tjera, nëse vazhdon t’i ndalojë importet serbe, i tha Sarrazin BIRN-it sot, siç raportoi Balkan Insight.

Këtë kërkesë, ai ia ka bërë edhe kryeministrit Albin Kurti, ndërsa së fundmi për këtë erdhi dy herë në Kosovë.

Sarrazin ka thënë se ndalimi i mallrave të prodhuara në Serbi që prej qershorit të vitit të kaluar është kundër parimeve të CEFTA-s dhe në këmbim të heqjes së ndalesës, ka ofruar që Kosova të përfaqësohet në CEFTA me emrin e saj, me fusnotë, dhe jo përmes Misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

Ndërsa kryeministri Albin Kurti nuk u duk i bindur, Qeveria tha të premten përmes zëdhënësit Përparim Kryeziu se po punon për zhbllokimin e CEFTA-s.

“Në drekën e ftuar dje nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kryeministri Kurti ka shprehur angazhimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për marrëveshje të reja në kuadër të këtij procesi, dhe në të njëjtën kohë theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve të mobilitetet të nënshkruara në Berlin dhe Tiranë”, tha Kryeziu për RTK-në, ndërsa Kurti ishte në Bruksel.

Gjermania po përgatitet ta presë samitin e Procesit të Berlinit më 14 tetor, duke shënuar dhjetëvjetorin e platformës për bashkëpunim të nivelit të lartë ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor. Dhe ndërsa Kryeziu i tha RTK-së se sa ka kontribuar Kosova, sipas tij, që nga Procesi i Berlinit të dalin rezultate, Sarrazin tha se vendi rrezikon izolim më të thellë.

Sarrazin ka thënë se “do të jetë shumë keq” nëse Procesi i Berlinit “nuk arrin të ofrojë rezultate konkrete në tregun e përbashkët rajonal”.

“Nuk do të ndalemi vetëm pse Kosova po bllokon. Kosova mund të bllokojë vetëm veten. Do të adoptojmë mundësi tjetër për një mekanizëm të përkohshëm, jo CEFTA”, paralajmëroi ai më 5 shtator, në një intervistë në Interaktiv të KTV-së.

Kjo sjellje e Kosovës, sipas tij, po i shtyn vendet tjera të rajonit “të bëjnë marrëveshje bilaterale, si ‘Ballkani i Hapur’”.

“Nëse nuk doni që të rikthehet “Ballkani i Hapur” nga hiri, ju duhet të keni vullnet politik për të bërë një kompromis edhe atëherë kur mbase nuk është gjëja që donit të bënit”, ka thënë ai.

Ministrja e Gjermanisë për Europën dhe Klimën, Anna Luhrmann, ka paralajmëruar gjatë një vizite në Kosovë më 16 shtator se bllokada në CEFTA ” rrezikon ta dështojë Procesin e Berlinit dhe ta parandalojë më tej bashkëpunimin rajonal”.

Asamblisti jep dorëheqjen nga të gjitha funksionet e tij në VV, publikon mesazhet me këtë figurë të rëndësishmë të partisë

Asamblisti i Kuvendit Komunal të Drenasit, Selman Qallapeku, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha funksionet e tij në Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai thotë se së bashku me të, kanë dhënë dorëheqjet edhe dhjetëra anëtarë, simpatizantë dhe aktivistë të Lëvizjes. Në këtë mënyrë, sipas Qallapekut, pothuajse shuhet nëndega në Terstenik.

Postimi i plotë:

DORËHEQJE….!

Të nderuar miq, shokë, bashkëvendës, dhe përkrahës të rrugëtimit tim politik, përmes këtij shkrimi ju njoftoj se jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha funksionet e mia në Lëvizjen Vetëvendosje. Së bashku me mua, kanë dhënë dorëheqje edhe dhjetëra anëtarë, simpatizantë dhe aktivistë të Lëvizjes. Në këtë mënyrë pothuajse shuhet nëndega në Terstenikë  këtë e them me bindje të plotë si ish-kryetar i saj.

Dorëheqja ime është e mirë menduar dhe vjen pas një konsultimi të gjerë me përkrahësit dhe bashkëpunëtorët që më kanë mbështetur gjithnjë.

Arsyet e largimit tim nga Dega e Lëvizjes Vetëvendosje janë:

1. Instalimi i një dukurie negative në degë, ku nuk vlerësohet puna, aktiviteti dhe përkushtimi.

2. Papërgjegjësia totale e kryetares së Degës, znj. Egzona Terdevci, e cila erdhi në krye të Degës përmes një zarfi nga qendra, duke mos respektuar statutin, normat dhe rregulloret e Lëvizjes.

3. Punësimet në institucione publike dhe emërimet politike pa meritë.

4. Shuarja e aktivitetit në degë, mungesa e trajtimit të aktivistëve dhe humbja e rreth 70% të anëtarësisë.

5. Egzona Terdevci, si kryetare e Degës, ishte në dijeni se asambleisti D. Halilaj është punësuar në Ministrinë e Mbrojtjes, gjë që e bën të pamundur mbajtjen njëkohësisht të postit në Ministri dhe të postit të asambleistit. Duke e ditur që isha i radhës për të marrë atë detyrë, të cilën e fitova përmes votave të qytetarëve, për një kohë më mohuan të ushtroj këtë funksion pa dhënë llogari, deri sa u konfirmua nga institucionet përkatëse.

Këto janë disa nga arsyet që e pamundësojnë qëndrimin tim në Lëvizjen Vetëvendosje. Por, mbi të gjitha, preokupimi im kryesor mbetet pyetja se pse ju pengonte prania ime në Kuvendin Komunal, kur dihej që isha një nga kandidatët më të votuar në listën për asamble.

Lëvizja Vetëvendosje duhet të dijë se shkaku kyç i dorëheqjes sime është Egzona Terdevci, një aventuriere politike, e cila erdhi rishtazi në Vetëvendosje përmes iniciativës së Xhavit Drenorit, pasi ai ishte “mësuesi” i saj politik. Egzona Terdevci madje ishte kandidate për asamble nga lista e tij në vitin 2017. Tani çfarë ka ndodhur? Ajo vetëm ka ndërruar mësuesin, dhe mësuesi i saj i ri dihet kush është. Kështu që Egzona duhet të mbajë përgjegjësi për gjendjen në të cilën e ka sjellë degën.

Në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, e ashtuquajtura kryetare e degës në Drenas, Egzona Terdevci, ka pohuar se unë isha i parëndësishëm për Lëvizjen Vetëvendosje (VV). Atëherë, përse më ke thirrur dhjetëra herë në telefon dhe më ke shkruar pa ndërprerje nëse unë kam qenë i parëndësishëm? Kjo është e turpshme, veçanërisht nëse i atribuoni ato të pavërteta një kryetari të një nëndege të madhe, siç është ajo e Terstenikut.

Ndërsa sa i përket disa fjalëve që Egzona Terdevci i tha, se gjoja unë jam shitur apo jam kërcënuar, dua të sqaroj se nëse do isha shitur, do kisha qëndruar tek ju, pasi më keni bërë oferta të ndryshme, duke më lutur që të qëndroj dhe të hap telefonin. Por, sa i përket kërcënimeve, dua të them se kërcënimet tek unë nuk pinë ujë. Ndërsa ju, mund të jeni edhe e kërcënuar edhe e shitur, dhe këtë e dëshmojnë lëvizjet tuaja në subjekte politike.

Të nderuar qytetarë, unë jam po i njëjti, por nuk mund të vazhdoj të qëndroj në një vend ku nuk respektohet kontributi, ku fyhen aktivistët, ku vlerësohen injorantët, dhe ku cenohet fjala e lirë – vlera themelore e demokracisë, për të cilën Lëvizja kishte dikur prioritet. Ne jemi zotuar dhe kemi punuar për të arritur rezultate të shkëlqyera, ndaj unë, Selman Qallapeku, ju garantoj se do të jem zëri i të gjithëve pa dallim në Kuvendin Komunal, pa anime dhe me ndërgjegje.

Me respekt,

SQ

Postimi i plotë:

Flet drejtori i shkollës që përjashtoi një nxënëse me shami: I thamë, largoje shaminë e hajde nisja mësimit!

Një 18-vjecare është përjashtuar nga shkolla “Bedri Pejani”, në Pejë, për shkak të bartjes së shamisë.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Paqe, Labinot Maliqi, sot ka akuzuar drejtorin e shkollës, Musa Nikqi, ndërsa ka kërkuar edhe shfuqizimin e udhëzimit administrative që ndalon uniformën fetare në shkolla.

Ndërsa, drejtori i shkollës, “Bedri Pejani”, Musa Nikqi, në një intervistë dhënë për IndeksOnline, ka thënë se 18-vjeçarja nuk është përjashtuar nga shkolla, por ka vendosur vetë që të largohet.

Sipas drejtorit, asaj i është kumtuar lajmi që ligji dhe udhëzimi e parasheh që nuk lejohet bartja e shamisë fetare nëpër shkolla, transmeton IndeksOnline.

“Nuk është përjashtuar, është larguar vetë, sepse i kemi thanë që nuk ka mundësi me ardh me mbulesë në shkollë, i thamë largoje e hajde prapë vazhdoje procesin mësimor, sepse kështu e parasheh ligji e udhëzimi, por ka qenë vendimi i saj largimi nga shkolla”, ka thënë Nikqi.

Drejtori Nikqi tha se e ka paralajmëruar vajzën se nuk ka mundësi që të vazhdojë procesin mësimor me shami ende pa e vendosur, por që ajo nuk e ka dëgjuar.

“Unë e kam njoftuar paraprakisht, në fund vit të klasës së 11-të, ka ardhur më ka pyet, tha a ka mundësi me ardh me shami, i thash jo nuk ka, kështu e parasheh udhëzimi. Ajo ka vendos me u mbulu tash ligji nuk e lejon..”, tha ai.

“Mem ndëgju mu i thash shkon e hjek e vjen në shkollë, në të kundërtën kemi mundësi të vazhdojmë edhe mësimin alternativ, është në klasën e 12, është vajzë e urt e sjellshme”, theksojë Nikqi për IndeksOnline.

Drejtori tha se prindërit e vajzës ka qenë të njoftuar, por që sipas tij 18-vjeçarja nuk i ka dëgjuar as prindërit edhe pse ata ka qenë kundër.

“Po ka pas reagim nga prindërit, njëherë më thanë që nuk është ka më dëgjon, tani kur e ka vendosë, nëna ka thënë që e ka vendos dhe nuk e hjek më. Në fillim ka qenë kundër, por edhe tash më duket është kundër..”, bëri të ditur drejtori i shkollës.

Nikqi gjithashtu shtoi se vajza mund të vijë në shkollë dhe të vazhdojë mësimin, me program alternativ por tha më mirë është ta largojë shaminë dhe të jetë e barabartë më të gjithë nxënësit.

“Vajza nesër mundët me ardh në shkollë i bëjmë një program shtesë dhe ja bëjmë kompensimin e orëve nuk është problem, por mirë është më hjek ajo shaminë e me ardh në shkollë me qenë e barabartë me të gjithë nxënësit”, përfundoj drejtori Nikqi./IndeksOnline/

Tahiri: Bedri Hamza do ta nxjerrë vendin nga humnera

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka thënë ka thënë se edhe në një vjetorin e sulmit në Zveçan të Banjksës vitin e kaluar, Kosova vazhdon me qenë nën saksione.

Ai tha edhe pse dihet që njerëzit që kanë kryer sulmin e 24 shtatorit janë të afërt me presidentin serb, Serbia asnjë ndëshkim të vetëm se ka marrë.

“Një vit sulmi në Banjskë ku kemi humbur një polic, heorin Afrim Bunajku dhe fatkeqësisht vendi ynë vazhdon, me qenë i izoluar me sanskione dhe Serbia se ka marrë asnjë ndëshkim të vetëm, sado simbolik, e që realisht do duhej të ishte i madh sa i përket këtij sulmi. Edhe pse njerzit që e kan kryer këtë sulm e dimë mirë se janë njerët të afërt me presidentin e shtetit serb, dhe vazhdojmë ne t’i kemi masat e njëjta në fuqi”, tha Tahiri para gazetarëve.

Tahiri i PDK-së, tha se është mirë që jemi në fund të mandatit të Qeverisë Kurti, dhe vitin tjetër ai tha se me Bedri Hamzën, vendi do të jetë pa sanksione, e prioritet do të jenë qytetarët.

“Fatkeqësisht dëmet për Kosovën vazhdojnë të jenë të mdhaja, vendi vazhdon në sanksione, e Serbia vazhdon të amnistohet. Vetëm një gjë e mirë është këtu jemi në fund të mandatit, dhe vitin e ardhshëm, kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza do ta nxjerrë Kosovën nga sanksionet dhe nga kjo humnerë. Do të ketë agjendë zhvillimore, agjendë që do ta ketë prioritet koston e qytetarit dhe do vazhdojë ta nxjerrë Kosoven nga sanksionet”, shtoi tutje shefi i grupit parlamentar të PDK-së.

“Kosova pas 9 shkurtit do ta ketë nje qeveri te re, të udhëhequr nga Bedri Hamza”, tha ai.

“Kjo qeveri dhe ky kryeministër e kanë humbur kredibilitetin, e humbur besimin e miqve”, tha tutje ai.

Dëshmitari thotë se porosia e miqve ishte t’i përshëndesë krerët e UÇK-së, por kush janë ata?

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), në Hagë ka dëshmuar dëshmitari i 89-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) Demush Krasniqi i cili mban kodin 03885 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Demush Krasniqi tha se ka porosi nga miqtë dhe shokët e tij që t’i përshëndeste krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

“Kur e kam marrë ftesën për të ardhur këtu e për të dëshmuar si i ish-UÇK-së kam pas shumë mysafirë, me kanë përcjellë shumë veteranë e në mesin e tyre kisha edhe të fshatrave përreth dhe porosia e tyre ishte që unë personalisht t’i përshëndes krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, presidentin Hashim Thaçi, kryeparlamentarin Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe deputetin Rexhep Selimin. Ma dhanë këtë porosi miqtë, shokët që unë këtë ta përcjelli dhe se di a mund ta përcjelli ashtu siç me kanë porositur”, tha dëshmitari Krasniqi.

Më pas, lidhur me këtë prokurori pyeti dëshmitarin se kush ishin këta miqtë që e porositën në këtë lloj mënyre. Dëshmitari tha që ata që e përcjellën për të ardhur në Hagë.

Tutje, prokurori pyeti se a iu kujtohen emrat e atyre personave që ia dhanë këtë porosi si dhe a i thanë atij se çfarë duhet të dëshmojë.

“Ishin miq të mi. Ishte dëshira ime që ta përcjelli këtë mesazh”, tha dëshmitari duke shtuar se ai vetë e kishte bërë publike që do të shkonte në Hagë.

Me kaq përfunduan pyetjet e prokurorit për dëshmitarin, mirëpo përpara kësaj, atij iu prezantua një dokument në të cilin ishte emri i tij ku shkruhej ‘Vërejtje për shkak të mungesave’.

“E kisha familjen në Malet e Turjakës. E kisha nënën, gruan dhe gjashtë fëmijë në male dhe ne nganjëherë u detyrohesha të shkoj t’i vizitojë se a kanë ushqim dhe si po jetojnë aty. Nganjëherë vonohesha për t’u kthyer tek shokët e me siguri ka qenë kjo vërejtje e imja. Isha më i vjetri në njësitë dhe për të qenë të ndërgjegjshëm të tjerët e t’i respektojnë rregullat më jepnin mua vërejtje si Demush Laci ta merrni vërejtje që është vonuar e nuk ka ardhur me kohë”, tha dëshmitari Krasniqi.

Dëshmitari tha se atij i ka mbetur nofka ‘Demush Laci’ për arsye se në fshatin e tij ishin edhe tre Demusha të tjerë.

Ai tha se nuk e din se kur është krijuar Qeveria e përkohshme por që e din se një gjë e tillë kishte ndodhur.

Mesazhe famëkeqe nga Daçiq që dëshmojnë se politika e Millosheviqit vazhdon ende në Serbi

Në këtë ditë të vitit 1987, në Beograd filloi seanca e tetë dyditore e Komitetit Qendror të Serbisë.

Historianët do të thonë se ishte fillimi i shpërbërjes përfundimtare të RSFJ-së. Domethënë, pasi Sllobodan Millosheviqi u bë në krye të Komitetit Qendror të Serbisë më 28 maj 1986 me ndihmën e Ivan Stambolic, Millosheviqi u mor me të në seancën e tetë.

Ishte një akt i vënies nën kontroll të celulës më të madhe dhe më me ndikim të KQ të Serbisë. Ivan Stamboliq jetoi edhe katër vjet dhe kur shpalli kandidaturën kundër Sllobodan Millosheviqit, siç e kishte përcaktuar gjykata, me urdhër të tij u likuidua.

Siç intepretohet në Sebi, ky ishte një ‘triumf’ politik për Sllobodan Millosheviçin, pas të cilit filloi agresioni kundër Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjë-Hercegovinës, Kosovës dhe qindra mijëra viktimave të regjimit serb.

Duke folur në Beograd pak ditë më parë, presidenti dhe ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, tha se në atë ditë, “udhëheqja shtetërore serbe për herë të parë që nga viti 1918 u rreshtua në anën e Serbisë, jo të Jugosllavisë”.

“Edhe sot është aktuale ajo temë: qëndrimi ndaj çështjeve shtetërore dhe kombëtare. Pra, seanca e tetë vazhdon ende, por Serbia do të fitojë. Një nga shtyllat kryesore të asaj lufte është SPS dhe lidershipi aktual shtetëror i Serbisë”, tha Daçiq.

Nuk ka dyshim se Daçiq është ende adhurues i politikës serbe të madhe të mësuesit të tij që përfundoi në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës, por është gjithashtu dëshmi se asgjë nuk ka ndryshuar në Serbi që nga koha e kasapit ballkanik Sllobodan Millosheviq. /Vijesi

“Trima kanë qenë, trima kanë shku”- Rrëfimi heroik i motrës së Adem dhe Hamëz Jasharit, e cila vdiq sot

Hava Jashari-Gashi, motra e Adem dhe Hamëz Jasharit, kishte rrëfyer takimin e fundit me Hamzën një javë para se të binin heronj që të dy për vendin.

Në rrëfimin e saj për RTK-në, e bija e Shaban Jasharit tregonte se gjatë gjithë jetës në këtë familje kryefjalë ishte atdhedashuria.

Brenda dhomës ku kalonte pjesën më të madhe të kohës, e kishte të vendosur fotografinë e dhembjes e të krenarisë.

Për më shumë se 2 dekada, Hava i kujtonte çdo ditë heronjtë e saj, që tash si të tillë i njeh e gjithë Kosova dhe jo vetëm.

“Ja dhashë një parë çorapa. Ami tha motra jem le t’më qëllojnë, se me dalë në mal i mathi. Edhe s’ma rroki qaq fortë, thashë pse më tha ashtu? Kur u ba një javë ditë… Por, njeri po u përforcojke edhe… Ja fillum qisaj pune, të lumtë ata janë mbetë në histori, trima janë kanë boll, trima janë shku, trima kanë me mbetë”, kishte thënë ajo në rrëfimin e saj.

Motra e madhe e familjes legjendare Jashari, ka vdekur sot.

Nuk ndalet Haradinaj: Paga më e ulët në FSK do të jetë 1 mij euro

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka shprehur shqetësim serioz për largimin masiv të ushtarëve nga Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) gjatë dy vjetëve të fundit. Sipas postimit të tij në Facebook, mbi 11% e ushtarëve kanë lëshuar FSK-në vetëm në vitet 2023 dhe 2024.

Ish-kryeministri i Kosovës theksoi se vetëm në vitin 2023, 257 pjesëtarë kanë lëshuar FSK-në, ndërsa në vitin 2024, numri i largimeve ka kaluar 200. Haradinaj vuri në dukje se shumica e ushtarëve që largohen përmendim kushtet e vështira financiare dhe pagat e pamjaftueshme si arsye kryesore.

“Jam i shqetësuar seriozisht me këtë trajtim katastrofal që qeveria po i bën ushtrisë sonë, të cilën me shumë mund kemi arritur ta mandatojmë më 2018,” tha lideri i AAK-së. Ai shtoi se edhe pas katër vjetëve të qeverisjes aktuale, numri i pjesëtarëve të uniformuar mbetet nën 4,000, ndërsa forca rezervë e FSK-së është neglizhuar pothuajse plotësisht.

Duke ftuar rininë t’i bashkohet FSK-së dhe duke inkurajuar pjesëtarët aktualë të qëndrojnë, Haradinaj premtoi përmirësim urgjent të gjendjes financiare dhe kushteve elementare të punës për ushtarët. “Qysh në muajt e parë të qeverisë së re, paga më e ulët në FSK do të jetë 1000 euro”, u zotua politikani kosovar.

18 vjeçarja nxënëse shembullore në Pejë largohet nga shkolla për shkak të shamisë, Maliqi: Nagavci ta shfuqizojë udhëzimin që shkakton përçarje

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Paqe, Labinot Maliqi, ka kërkuar shfuqizimin e udhëzimit administrativ që ndalon uniformën fetare në shkolla.

Në një konferencë për media pas përjashtimit të një nxënëseje në Pejë për shkak të bartjes së shamisë, Maliqi ka kërkuar që ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, të ndërmarrë masa ndaj këtij institucioni arsimor.

Ai ka thënë se një nxënëse është përjashtuar nga shkolla “Bedri Pejani” në Pejë, me vendim të drejtorit të shkollës. Sipas tij, drejtori ka thënë se “vetëm jam duke e zbatuar udhëzimin administrativ”.