Trump paralajmëron lëvizjen e madhe: “E kam marrë vendimin për Venezuelën!”

Presidenti amerikan Donald Trump tha se “në një farë mënyre ka vendosur” nëse do të ndërmarrë veprime ushtarake në Venezuelë, një veprim që do të përshkallëzonte një situatë tashmë të tensionuar pasi SHBA kaloi dy muaj duke goditur anije të dyshuara për drogë në Karaibe.

“Nuk mund t’ju them se çfarë do të jetë, por në një farë mënyre e kam vendosur”, tha Trump.

“Do të shohim se çfarë do të ndodhë. Dua të them, nuk mund t’ju them se çfarë është, por kemi bërë shumë përparim në Venezuelë për sa i përket ndalimit të vërshimit të drogës.”

SHBA vendosi aeroplanë F-35, anije luftarake dhe një nëndetëse bërthamore në rajon, si pjesë e një përgatitjeje ushtarake pas dy muajsh sulmesh vdekjeprurëse kundër anijeve pranë Venezuelës.

Më herët këtë javë, grupi i sulmeve të aeroplanmbajtëses Gerald Ford u zhvendos në rajonin e Amerikës Latine, duke sjellë me vete më shumë se 75 aeroplanë ushtarakë dhe mbi 5,000 trupa.

SHBA refuzon të njoh legjitimitetin e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, i cili ka mbajtur detyrën që nga vdekja e Hugo Chavez në vitin 2013, si kreu i shtetit të vendit.

Departamenti i Shtetit po ofron 50 milionë dollarë për informacionin që çon në arrestimin ose dënimin e tij, një shumë që ata e kanë rritur vazhdimisht që nga viti 2020.

Maduro ka thënë se Trump po kërkon ta rrëzojë nga pushteti, por Trump ka thënë vazhdimisht se nuk po kërkon ndryshim regjimi.

Momente kyçe në Hagë: Nesër nis një fazë që mund të ndryshojë gjithçka

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, javën që po hyjmë janë planifikuar seancat gjyqësore ku do të dëshmojnë blloku i fundit i dëshmitarëve të Mbrojtjes në këtë çështje gjyqësore.

Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën i NATO-s, Wesley Clarki ishte planifikuar të fillojë dëshminë të martën e javës që vjen, më 18 nëntor. Mirëpo, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, është marrë vendim që Wesley Clark të fillojë dëshminë të hënën e 17 nëntorit (nesër), duke filluar nga ora 12:00.

Dëshmia e gjeneralit Clark pritet të zgjasë deri të mërkurën më 19 nëntor 2025, dhe do të jetë dëshmitari i fundit i Mbrojtjes së Thaçit,.

Pas saj do të mbahet edhe një konferencë për ecurinë e çështjes.

Seanca shtesë e planifikuar për 21 nëntor është anuluar.

Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John SteWart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

DhSK-ja kishte bërë të ditur ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025./Reporteri.net/

Afrim Muçiqi: Politikë e poshtër, kemi mbet në dorën e analfabetëve

Këngëtari i muzikës popullore, Afrim Muçiqi në “Sol” në Klan Kosova ka folur për shtatën politikë në vend.

Ai tha se deputetë që nuk punojnë e kërkojnë prap votën e qytetarit, nuk e meritojnë ta marrin.

Sipas tij, të gjithë të kualifikuarit tashmë kanë lëshuar Kosovën dhe siç thotë ai, kemi mbetur në dorë të analfabetëve.“Votoma një djalë të hallës që e kam temin, jo bre jo, se dashte s’dashte çdo temë që e bën ke me u lidh me këtë politikë të poshtër, që e ka kaplu çdo familje. T’ka hup dinjiteti i lagjes që ti jeton”, tha ai.

“Në vendin ku duhet me qenë njerëz të kualifikuar, më falni por ata e dinë, ai që është më shkollë fillore e zëvendëson atë që e ka kryer shkollën me 10’tshe. Ata që janë profesionistë të vërtetë fatkeqësisht janë jashtë vendit. Kemi mbet në dorën e analfabetëve”, përfundoi Muçiqi.

Moti për javën e ardhshme, paralajmërohet edhe reshje bore

Gjatë pesë ditëve të ardhshme mbi vendin tonë do të mbretërojë mot kryesisht i ndryshueshëm, raporton KosovaPress.

Ditën e hënën do të mbajë mot i vranët dhe me intervale diellore. Temperaturat minimale do të lëvizin nga një deri në katër gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 14 deri në 17 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi me shpejtësi një deri në katër metra për sekondë.

Të martën do të mbajë mot i vranët dhe me reshje shiu. Në viset malore me lartësi mbidetare mbi 1500 metra parashihen reshje bore. Temperaturat minimale do të variojnë nga 4 deri në 6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet 8 deri në 11 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi, me shpejtësi një deri në gjashtë metra për sekondë.

Moti kryesisht i vranët dhe vende-vende me reshje shiu do të mbajë ditën e mërkurë. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 2 deri në 5 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale 9 deri në 11 gradë Celsius. Era do të fryjë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi një deri në pesë metra për sekondë.

Të enjten do të mbretërojë mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 2 deri në 5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet 12-14 gradë Celsius. Era do të fryjë nga juglindja, me shpejtësi një deri në katër metra për sekondë.

Mot me diell dhe vranësira të shpërndara, me riga lokale shiu do të mbretërojë ditën e premte. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 3 deri në 6 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale nga 13 deri në 15 gradë Celsius. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga jugperëndimi, thuhet në raportin e parashikimit të motit nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

Varroset Burim Havolli, shqiptari që vdiq tragjikisht në Brooklyn

Është varrosur Burim Havolli, shqiptari i cili para pak ditësh vdiq tragjikisht në Brooklyn.

Ai u varros në Llapashticë të Epërme në praninë e mijëra qytetarëve, me flamurin kuqezi dhe atë amerikan.

Burim Havolli, mbikëqyrës i një ndërtese në Brooklyn, u gjet me një lëndim në kokë pasi e kishte konfrontuar një person që dyshohet se donte t’ua vidhte pakot banorëve të ndërtesës.

Sipas CBS News, autopsia ka zbuluar që 41-vjeçari ka vdekur si pasojë e një problemi ekzistues shëndetësor, dhe Prokuroria e Distriktit të Brooklynit ka rënë përfundim që nuk ka pasur elemente penale.

Çështja e zgjedhjeve në Mitrovicë, vjen lajmi i fundit

Debati për zgjedhjet në Mitrovicën e Jugut vazhdon edhe pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale. Faton Peci i VV-së fitoi me një avantazh të ngushtë, duke lënë pas kandidatin e PDK-së, Arian Tahirin.

PDK ka ngritur dyshime për manipulim me vota dhe ka kërkuar rivotim. Ankesa e tyre u refuzua nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili e cilësoi kërkesën si të pabazuar. Si pasojë, PDK ka dorëzuar ankesën e saj në Gjykatën Supreme të Kosovës.

“Sot, Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar ankesën në Gjykatën Supreme të Kosovës, duke kundërshtuar vendimin e PZAP, i cili refuzoi kërkesën për përsëritjen e votimit në Mitrovicë. PDK vlerëson se vendimi i PZAP është i gabuar dhe nuk pasqyron realitetin e parregullsive të evidentuara gjatë zgjedhjeve,” thuhet në njoftim.

Në vijim, PDK thekson se rivotimi është i nevojshëm për të garantuar drejtësi për qytetarët.

“Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë me rrugën ligjore për të sqaruar dhe korrigjuar çdo parregullësi, duke mbrojtur votën e lirë dhe proceset demokratike. Në Mitrovicë, vetëm rivotimi u bën drejtësi qytetarëve. PDK nuk do të ndalet!” përfundon njoftimi.

Tragjike: Ndërron jetë shqiptari në Turqi pasi mbolli flokët dhe rregulloi dhëmbët

Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur së fundmi në Stamboll.

Siç raporton “The Mirror”, Mentor Rama, 36 vjeçar shqiptar me shtetësi britanike, ka vdekur më 11 nëntor pas mbjelljeve të flokëve dhe implantit të dhëmbëve në Stamboll.

Trupi i pajetë i Mentorit u transferua në Këshillin e Mjekësisë Ligjore në Stamboll. Policia që atëherë ka nisur një hetim mbi vdekjen.

Një zëdhënës i FCDO-së i tha The Mirror: “Ne po mbështesim familjen e një burri britanik që vdiq në Turqi dhe jemi në kontakt me autoritetet lokale”.

Për vdekjen e Mentorit kanë shkruar dhe familjarë të tij.

“Vdekja jote ka lënë një boshllëk që asgjë në këtë botë nuk mund ta mbushë. Nuk mendoja kurrë se do të më duhej të shkruaja fjalë të tilla për ty”, thuhet në postimin e një prej familjarëve të të ndjerit.

“Ti ishe drita jonë, buzëqeshja që na ngrohte, forca që na ngrinte lart sa herë që binim. Dhimbja është kaq e pafundme kur mendoj se nuk do të të shoh më kurrë, nuk do ta dëgjoj më kurrë zërin tënd apo të qeshurën tënde që na bëri të gjithëve të lumtur. Zoti të ruajt në dritën dhe mëshirën e Tij, miku im, lutem që shpirti yt të pushojë në paqe dhe të gjejë një vend në parajsë, ku nuk ekziston as dhimbje as trishtim, do të më mungosh çdo ditë të jetës sime”.

Trupi i Ramës i është dorëzuar familjes së tij dhe është riatdhesuar në Mbretërinë e Bashkuar, raportuan mediat turke.

PDK e çon në Supreme rastin e Mitrovicës, Artan Behrami: Vetëm rivotimi u bën drejtësi qytetarëve

Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar sot, përmes postës zyrtare, ankesën në Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës, duke kundërshtuar vendimin e PZAP-it që refuzoi kërkesën për përsëritjen e votimit në Mitrovicë.

Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka bërë të ditur se ky vendim i PZAP është i gabuar dhe nuk pasqyron realitetin e parregullsive të evidentuara në disa qendra votimi në këtë komunë. Ai theksoi se provat e paraqitura nga PDK tregojnë qartë se procesi zgjedhor është cenuar dhe se vullneti i qytetarëve është ndryshuar.

Me ankesën drejtuar Gjykatës Supreme, PDK kërkon rishqyrtim të plotë të rastit dhe marrjen e një vendimi që garanton integritetin e procesit zgjedhor dhe respektimin e votës së qytetarëve të Mitrovicës.

Behrami tha se partia do të vazhdojë rrugën ligjore deri në sqarimin e çdo parregullsie:

“Në Mitrovicë, vetëm rivotimi u bën drejtësi qytetarëve. Në këtë drejtim, PDK nuk do të ndalet!”

Sipas PDK-së, synimi mbetet mbrojtja e votës së lirë dhe forcimi i proceseve demokratike në vend.

Albin Kurti në kishën katolike në Mitrovicë, pritet nga Ahmet Musa: Kërkohet ndërtimi e katedrales katolike dhe largimin e qytetarëve nga islami

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë prezent në kishën katolike në Mitrovicë, ku është pritur nga Ahmet Musa.

Përmes një postimi, Illyrian Kastrioti ka thënë se e vlerëson vizitën e Kurtit në Mitrovicë dhe në kishën që ai e cilëson si pjesë të trashëgimisë shqiptare katolike. Sipas tij, në Mitrovicë, Vushtrri dhe rrethinat e tyre ekzistojnë themelet e mbi 39 kishave dhe katedraleve të vjetra arbërore-katolike, të cilat janë rrënuar gjatë periudhave historike.

Ai ka kërkuar që Qeveria e Kosovës të alokojë një fond të veçantë për rindërtimin e një katedraleje katolike shqiptare në Vushtrri dhe një tjetër në Mitrovicë, duke e konsideruar këtë si hap të rëndësishëm për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe fetare të vendit.

Kastrioti ka bërë thirrje edhe për pagëzim dhe rikthim në besimin katolik, të cilën e sheh si rrugë të forcimit të bashkimit kombëtar dhe largim nga islami pasi sipas tij shkaktoi përçarje përmes pushtimit të gjatë e barbar osman.

E thotë kryeministri: Nuk do të ketë asnjë pagë nën 500 euro që nga janari

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se nga janari 2026 në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë asnjë pagë nën 500 euro.

Në episodin e 6-të të sezonit 5 të podkastit “Flasim”, në rubrikën “Shënimet e javës” kryeministri Rama tha se “lajmi për pensionet është pasuar nga rritja e pagave, një rritje e konsiderueshme edhe ajo e shtrirë në të gjithë sektorët, por mbi të gjitha e diktuar nga rritja e premtuar e pagës minimale”.

“Nga janari i vitit që po troket kur paga minimale në sektorin publik dhe atë privat, kur ligji që do të kalojmë në parlament i buxhetit 2026 do të sanksionojë se në Republikën e Shqipërisë nuk do të ketë asnjë pagë nën 500 euro”, theksoi Rama.

Për vitin 2026 paga minimale do të rritet me 10 mijë lekë, duke arritur në 50 mijë lekë nga 1 janari 2026, për t’u rritur më tej në 70 mijë lekë deri në fund të mandatit.