Sallahu i kundërvihet Prokurorisë: Menjëherë të rifillojë numërimi, çdo veprim tjetër është i anshëm

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, duket se nuk e ka pritur mirë vendimin e Prokurorisë për ndalimin e numërimit të votave në Mitrovicë.

Përmes një reagimi në Facebook, Sallahu akuzoi Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) në Mitrovicë për propagandë, pas raportimeve për dyshime rreth vjedhjes së votave. Ai theksoi se Prokuroria nuk duhet të bëhet pjesë e propagandës së atyre që kanë humbur zgjedhjet.

Megjithëse Prokuroria e ka parë të arsyeshme ndalimin e numërimit, Sallahu kërkoi që procesi të rifillojë menjëherë.

“Prokuroria në Mitrovicë nuk duhet t’i shërbejë propagandës së një subjekti politik që i ka humbur zgjedhjet. Meqë tashmë bëhet fjalë vetëm për gabime teknike të numrave serik në fletëvotime, të vërtetuara nga KQZ, e të cilat kanë zero ndikim në integritetin e zgjedhjeve në komunën përkatëse, atëherë Prokuroria e Mitrovicës duhet menjëherë ta lejojë vazhdimin e numërimit të fletëvotimeve,” shkroi ai.

Sipas Sallahut, “çdo veprim tjetër konsiderohet i anshëm dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.”

Dyshimet për manipulim me vota në Mitrovicë, PDK paralajmëron këtë veprim

Valon Brahimi nga Partia Demokratike e Kosovës në Mitrovicë ka njoftuar se subjekti i tyre do të paraqesë ankesë pranë Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me dyshimet për manipulim me vota në këtë komunë.

Mbrëmë në Klan Kosova, Brahimi tha se PDK-ja nuk po e trajton rastin vetëm në aspektin penal, por do të ndjekë edhe rrugën institucionale zgjedhore.

“Ne nuk do të ndalemi vetëm te pjesa penale. Ne nesër (e martë)  do ta dorëzojmë ankesën tonë në PZAP për rastin në fjalë. Do të vazhdojmë t’i marrim të gjitha veprimet ligjore, sepse në sistemin demokratik të Kosovës jemi të interesuar që të mos cenohet legjitimiteti i votës së qytetarëve dhe të mos dëmtohet ligjshmëria”, ka deklaruar ai.

“Qendra e votimit në Mitrovicë do të mbyllet”

Jahir Sumiçiq kryesues i QKN në Mitrovicë ka thënë se Qendra e Numërimit të Votimit do të mbyllet për të vazhduar hetimet.

Ai ka thënë se në këtë qendër momentalisht është ndërprerë votimi dhe se po mbyllen kutitë e votimit.

“Prokuroi i Shtetit së bashku me Policinë dhe hetuesin ndodhen në Qendrën e Numërimit, procesi është ndalë. Po mbyllen kutitë që kanë qenë të hapura. Qendra e Votimit do të mbyllet dhe do të nisin hetimet”, ka thënë Sumiçiq në emisionin “InfoNata” në Tëvë1.

Ai ka thënë se nga 35 kuti në 10 prej tyre kanë hasur lëvizje të vendvotimeve që nuk përputhen numrat serik.

Sumiçiq ka thënë se ka pasur fletëvotime të vulosura dy herë.

“Kemi hasur në fletëvotime që nuk përputheshim me numrin e vendvotimeve por edhe të klasave, pra ka pasur lëvizje të fletvotimeve, por edhe nga qendrat e numërimit nga si p.sh nga shkolla “Migjeni” në atë të “Abdullah Shabanit… “, ka thënë ai.

Votat e 25 vendvotimeve për Pecin dhe Tahirin, ky është përditësimi i fundit nga Qendra Komunale

Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë po vazhdon numërimi i votave për balotazhin që u zhvillua dje.

Tashmë janë përditësuar të dhënat nga 25 vendvotime.

Sipas këtij përditësimi, nga kjo përqindje, 4 mijë e 186 vota janë për Faton Pecin, ndërsa 4 mijë e 154 për Arian Tahirin.

Në këto qendra po bëhet edhe verifikimi i rezutateve nga formularët që janë plotësuar në vendvotime, pas numërimit të fletëvotimeve.

Zhvillimet e fundit në Mitrovicë në një qendër votimi, reagon Faton Peci

Lidhur me zhvillimet në QNR ka reaguar kryetari i zgjedhur i Mitrovicës, Faton Peci.

“Prap hibrida aaa”, shkroi ai.

Ndryshe, KQZ ka dalë me sqarim lidhur me fletëvotimet në Mitrovicë, ku u raportua se ka mospërputhje të numrit serik me atë të vendvotimit dhe u ndërpre numërimi.

Zëdhënësi i KQZ’së, Valmir Elezi, ka thënë se situatë e njëjtë ka qenë edhe me fletëvotime në Gjakovë dhe se është konstatuar se në disa prej dengjeve të fletëvotimeve ka ndodhur një gabim në shtypjen e njërit prej elementeve të fletëvotimit, konkretisht në kodin e vendvotimit.

 

Shala: Kurti e Peci në burg

Analisti politik, Azdren Shala ka deklaruar se kryetari i VV-së, Albin Kurti, dhe kryetari i zgjedhur i Mitrovicës, Faton Peci duhet të arrestohen e të burgosen, në qoftë se verifikohen dyshimet për vjedhje të votave në këtë komunë.

Në “Rubikon” të Klan Kosovës, Shala po ashtu deklaroi se VV-ja ka “poshtuar” Mitrovicën e Jugut, transmeton Klankosova.tv.

“Nëse kjo akuzë vërtetohet, duhet me shku në burg akterët e krimit, Albin Kurti e Faton Peci. Nuk durohen kështu këta”, deklaroi Shala.

Gjatë ditës së hënë, në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë, është ndalur numërimi i votave, pasi Policia dhe Prokuroria u futën brenda kësaj qendre, megjithëse prokurori Shpëtim Peci ka dhënë urdhrin për vazhdim të numërimit.

Lidhur me këtë, Shala tha se nëse procesi i numërimit të votave të shkojë në rregull, sipas tij, duhet të ndërrohet prokurori.

Dyshimet për parregullsi në Mitrovicë, KQZ: Disa prej fletvotimeve janë shtypur me gabim teknik

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka reaguar pas ndërprerjes së numërimit të votave në Mitrovicë të Jugut, duke sqaruar se në disa prej dengjeve të fletëvotimeve është vërejtur një gabim teknik gjatë shtypjes së njërit prej elementeve të fletëvotimit – konkretisht në kodin e vendvotimit.

Në komunikatën për media, KQZ ka bërë të ditur se kjo çështje është konstatuar pas informacioneve të pranuara nga Komisionet Komunale të Zgjedhjeve në Gjakovë dhe Mitrovicë të Jugut.

Sipas njoftimit, KQZ ka komunikuar me kompaninë përgjegjëse për shtypjen e fletëvotimeve, e cila ka pranuar mundësinë që gabimi të ketë ndodhur në printerin mekanik që vulos të dhënat variabile. Kompania ka konfirmuar se në ditët në vijim do të përgatisë një sqarim zyrtar lidhur me këtë rast.

“Është me rëndësi të theksohet se numri i përgjithshëm i fletëvotimeve të shtypura është evidentuar saktë. Për më tepër, për secilin vendvotim, fletëvotimet e shtypura kanë numra serikë të shënuar në pjesët amë të fletëvotimeve, të cilët përputhen plotësisht me numrin e fletëvotimeve të pranuara dhe të verifikuara deri më tani në Qendrën Komunale të Mitrovicës së Jugut dhe Gjakovës,” thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Po ashtu, KQZ ka siguruar publikun, votuesit dhe të gjithë akterët e përfshirë në procesin zgjedhor se ky gabim teknik nuk ndikon në integritetin e procesit të votimit apo të numërimit të votave.

“Fletëvotimet përmbajnë elemente të shumta sigurie që garantojnë se ato nuk mund të falsifikohen apo kopjohen,” përfundon komunikata.

Dyshimet për blerje votash në Mitrovicë, flet Prokurori

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shpëtim Peci, ka konfirmuar se është ndërprerë numërimi i votave në Mitrovicë, derisa KQZ të bëjë verifikimin e nevojshëm.

IPeci ka thënë në Pressing se “momentalisht nuk është duke vazhdu numërimi derisa ekspertët e KQZ të bëjnë verifikimin”.

Edhe Njësia Speciale vendoset tek Qendra e Numërimit në Mitrovicë

Edhe Njësia Speciale vendoset tek Qendra e Numërimit në Mitrovicë

Mediat lokale kanë publikuar pamje nga momenti.

Ndryshe, Shpëtim Peci, prokurori i ngarkuar me hetimi për dyshimet lidhur me vjedhjen e votave në Mitrovicë të Jugut ka folur lidhur me çështjen.

Ai thotë se po pritet ekipi i KQZ-së, të bëjë verifikimin e fletëvotimeve.

“Jemi duke e pritë ekipin e KQZ-së që me I sqaru çështjet teknike të fletëvotimeve. Aktualisht jemi në Qendrën Komunale të Numërimit, kështu që për rezultatet e mëvonshme të hetimeve do të flasim më vonë”, tha prokurori

Përditësimi i fundit të votave nga Mitrovica: Ky është rezultati

Numërimi i votave në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë  për balotazhin mes Faton Pecit dhe Arian Tahirit për kryetar të komunës po vazhdon.

Pas raportimeve për dyshime, tashmë janë përditësuar të dhënat e 25 vendvotimeve që janë procesuar nga KQZ, raporton Klankosova.tv

Sipas këtij përditësimi, nga kjo përqindje, 4 mijë e 186 vota janë për Pecin, ndërsa 4 mijë e 154 për Tahirin.

Sipas Rregullores Zgjedhore të KQZ-së për Qendrat Komunale të Numërimit, në këto qendra bëhet verifikimi i rezutateve nga formularët që janë plotësuar në vendvotime, pas numërimit të fletëvotimeve. /Klankosova.tv