Në përfundim të “Vidovdanit” në Gazimestan ndalohen disa serbë që kënduan këngë nacionaliste

Policia e Kosovës ka arrestuar disa serbë gjatë përfundimit të manifestimit të “Vidovdanit” në Gazimestan.

Me këngë e lutje fetare ka përfunduar festa e serbëve në Gazimistan. Qindra serbë nga Kosova u mblodhën në shënimin e festës së ashtuquajtur “Vidovdan”.

Si shkak i mbledhjes së serbëve në Gazimestan, i cili ndodhet afër Obiliqit, u krijuan kolona të gjata në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.

‘Budallicat e Kosovës rrehin shuplaka’, Valdrina kundër vendimit të Xhulit

Dje, Xhuli theu rrjetin dhe foli gjerë e gjatë në një intervistë ekskluzive për Prive By Liberta Spahiu mbi rrugëtimin e saj për t’u bërë nënë e vetme përmes procedurës IVF.

Ndërkohë që rrjeti u mbush me komente mbështetëse dhe publiku e përgëzoi masivisht për guximin e saj, duket se jo të gjithë po i bashkohen kësaj vale entuziazmi. Valdrina nuk i ka mbajtur aspak emocionet dhe ka reaguar ashpër, duke dalë totalisht kundër rrymës së përgjithshme.

Ndonëse në fillim u kujdes t’i uronte Xhulit një shtatzëni të lehtë, Valdrina theksoi prerë se ky fenomen nuk duhet të normalizohet. Me tone mjaft të revoltuara, ajo tha se është e pakuptimtë të ngrihen gratë e t’i rrahin shuplaka një vendimi ku fëmija rritet qëllimisht pa figurën atërore.

Ajo e trajtoi këtë si një zgjedhje ku dëshira personale tejkalon interesin e fëmijës, duke theksuar përmes mbishkrimeve: “Veç pse ti do me u bë nanë, po rritet fëmija pa babë? Ai për shkak teje e ka emrin jetim”.

Përtej anës emocionale dhe morale, ajo ngriti edhe një shqetësim tjetër praktik dhe madhor: rrezikun që fëmija të mos dijë kurrë rrënjët e tij, duke ngritur hipotezën e frikshme që në të ardhmen ata të kryqëzohen pa dashje me fëmijë të tjerë të të njëjtit dhurues anonim.

Për Valdrinën, nëse dëshira e një gruaje për mëmësi është vërtet kaq e madhe, ka plot fëmijë nëpër shtëpitë e jetimëve që presin të adoptohen dhe t’u ofrohet një jetë më e mirë.

Ajo e mbylli qëndrimin e saj duke u shprehur se të realizosh ëndrrën tënde është në rregull, por të kërkosh që kjo të kthehet në një normë për çdo femër, është absolutisht e papranueshme. /Prive By Liberta Spahiu

 

Rrëzohet aeroplani në Francë, vďesin 11 persona

Njëmbëdhjetë persona kanë humbur jetën pasi një avion civil u rrëzua në qytetin Tomblaine në Francën verilindore, sipas autoriteteve lokale.

Mes viktimave janë piloti dhe 10 pasagjerë, përfshirë pesë studentë dhe pesë instruktorë, kanë bërë të ditur zyrtarët lokalë.

Avioni, i cili i përkiste një shkolle parashutizmi, ishte ngritur nga aeroporti Nancy-Essey para se të rrëzohej, shkruan BBC.

Policia ka bërë thirrje që qytetarët të shmangin zonën përreth aeroportit në departamentin Meurthe-et-Moselle.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm i Francës është nisur drejt vendit të ngjarjes, ka bërë të ditur ministria e Brendshme.

 

Pacolli reagon për rrugën me pagesë në Prevallë: Nuk ka nevojë për protestë

Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli ka reaguar lidhur me vendosjen e laurës në rrugën për në Prevallë, duke iu drejtuar banorëve në një postim në Facebook.

Pacolli tha se “asnjë vendim nuk do të merret pa dialog me banorët dhe palët e interesit”.

“Të nderuar banorë të Prevallës dhe fshatrave përreth, Kam përcjellë shqetësimet e ngritura lidhur me vendosjen e laurës në rrugën për në Prevallë. Dua t’ju siguroj se asnjë vendim nuk do të merret pa dialog me banorët dhe palët e interesit. Çështja e vendosjes së laurës dhe mënyra e menaxhimit të qarkullimit do të diskutohet bashkë me ju, me qëllim që të gjejmë zgjidhjen më të mirë”, shkroi ajo.

Për këtë arsye, Pacolli iu thotë atyre se “nuk ka nevojë për protestë”.

“Sot nuk kam mundësi të jem me ju, pasi ndodhem në Arabinë Saudite, ku po përfaqësoj Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Ujit. Por ju pres në takim gjatë javës së ardhshme, ku do t’i dëgjoj të gjitha shqetësimet dhe propozimet tuaja”, shkroi ajo.

Vajza e Tahir Sinanit i reagon Taulant Ballës: Ma vr’ave babën për së dyti

Vajza e Heroit të Kombit, Tahir Sinani, ka reaguar ashpër ndaj ministrit Taulant Balla pas publikimit të një letre, për të cilën pretendon se përfshin emrin e babait të saj në një listë ku luftëtarët e UÇK-së cilësohen si “mercenarë”.

Në një reagim emocional, ajo e akuzoi Ballën për përdhosje të figurës së Tahir Sinanit, duke kërkuar falje publike.

Sot ti ma vrave për së dyti babën. Tahir Sinani ra dëshmor për lirinë e trojeve shqiptare, jo për parti politike. Nëse nuk e njeh ti Tahir Sinanin, e njeh gjithë shqiptaria”, ka shkruar ajo.

Ajo e cilësoi Ballën si “mbetje të politikës shqiptare”, ndërsa tha se është e papranueshme që emri i një Heroi të Kombit të përfshihet në dokumente të tilla.

Vajza e Tahir Sinanit pati kritika edhe ndaj Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, duke kërkuar që ajo të merret me mbrojtjen e vlerave të luftës dhe të familjeve të dëshmorëve.

Koci me apel për qytetarët që udhëtojnë në Serbi: Kujdes me postimet në rrjetet sociale

Avokati Arianit Koci ka apeluar qytetarët që planifikojnë të udhëtojnë ose të kalojnë tranzit nëpër Serbi, duke i këshilluar të kenë kujdes me përmbajtjet që kanë publikuar në rrjetet sociale dhe platforma të tjera publike.

Sipas tij, postimet që mund të konsiderohen fyese, kërcënuese ose që interpretohen si nxitje e urrejtjes, mund të tërheqin vëmendjen e autoriteteve serbe.

“Keni parasysh se komentet që mund të keni publikuar në rrjete sociale, forume apo platforma të tjera publike në internet – nëse janë fyese, kërcënuese ose mund të interpretohen si nxitje e urrejtjes, mund të kenë pasoja juridike”, ka shkruar Koci.

 

Kur pritet vendimi për Thaçin dhe krerët e UÇK-së? Specialja nuk e përjashton një tjetër shtyrje

Për vite me radhë, lufta e Kosovës është rrëfyer përmes historisë, politikës dhe kujtesës kolektive. Së shpejti, asaj do t’i shtohet edhe një kapitull gjyqësor.

Dhomat e Specializuara në Hagë – të njohura si Gjykata Speciale – pritet të shpallin aktgjykimin për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, që pretendohet se janë kryer gjatë dhe menjëherë pas luftës në Kosovë.

Fillimisht, Trupi Gjykues kishte afat deri më 19 maj për të shpallur vendimin. Por, duke u thirrur në kompleksitetin e rastit, ai vendosi ta shtyjë këtë afat deri më 20 korrik 2026.

Kjo datë, po ashtu, mund të mos jetë përfundimtare.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Dhomat e Specializuara thanë se mund të ketë ende ndryshime në afatet e parashikuara.

“Gjyqtarët mund të vendosin për një shtyrje tjetër, nëse ajo konsiderohet absolutisht e nevojshme. Sapo paneli të caktojë një datë për shpalljen e vendimit, ne do ta bëjmë të ditur”, thuhet në përgjigje.

Thaçi dhe të bashkëpandehurit e tij – të gjithë figura të larta të UÇK-së gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999 – ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kur u bë publike aktakuza kundër tyre.

Në atë dosje, ata përshkruhen si pjesë e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, që synonte marrjen dhe ushtrimin e kontrollit përmes frikësimit, keqtrajtimit dhe largimit të kundërshtarëve.

Sipas aktakuzës, viktimat e tyre përfshinin serbë, romë dhe shqiptarë që nuk mbështesnin UÇK-në. Së paku 102 persona dyshohet se u vranë, ndërsa më shumë se 20 mbeten të zhdukur.

Prokuroria pretendon gjithashtu se të akuzuarit, për shkak të pozitave të tyre drejtuese, mbajnë përgjegjësi edhe për krimet e kryera nga vartësit e tyre.

Sot, mbi tre vjet pas nisjes së gjykimit, trupi gjykues ka dëgjuar dhjetëra dëshmitarë dhe ka shqyrtuar qindra prova të paraqitura nga prokuroria dhe mbrojtja.

Në përfundim të procesit, prokuroria kërkoi dënim me nga 45 vjet burg për secilin prej katër të akuzuarve.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar vendim dënimi për të dhjetë pikat e aktakuzës dhe vendosjen e një vendimi të vetëm prej 45 vjetësh, bazuar në kontributet individuale në krime…”, tha prokurorja e specializuar, Kimberly West, më 9 shkurt 2026.

Të katërtit i kanë mohuar akuzat.

Thaçi, i cili gjatë viteve ka mbajtur postet e kryeministrit dhe presidentit të Kosovës, i ka cilësuar ato si “krejtësisht të pavërteta, absurde dhe thellësisht fyese”.

“Është e vërtetë e dhimbshme që kjo prokurori përpiqet t’i hedhë poshtë dëshmitë e zyrtarëve të lartë të NATO-s, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe dhe OKB-së në këtë gjykatë – të atyre dhe njerëzve të tyre që ishin tërë kohën bashkë me ne në terren”, ka thënë Thaçi duke iu drejtuar gjykatës më 18 shkurt 2026.

Në mbështetje të mbrojtjes kanë dëshmuar disa prej figurave më të njohura të diplomacisë dhe sigurisë perëndimore të kohës së luftës, përfshirë ish-zëdhënësin e Departamentit amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe ish-komandantin e NATO-s për Evropën, Wesley Clark.

Ata kanë deklaruar se UÇK-ja nuk funksiononte si një strukturë e centralizuar dhe se të akuzuarit kishin më pak ndikim dhe kontroll sesa pretendohet në aktakuzë.

Ky është një qëndrim që ndan edhe një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Kosovës, të cilët vazhdojnë t’i shohin Thaçin dhe bashkëluftëtarët e tij si figura të luftës çlirimtare.

Në disa raste, ata kanë protestuar kundër gjyqit, duke e konsideruar atë të padrejtë dhe të njëanshëm.

Për një pjesë të tyre, përfshirë edhe përfaqësues politikë, përqendrimi i Gjykatës vetëm te krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së krijon perceptimin e barazimit të luftës së Kosovës me krimet e kryera nga Serbia, e cila ishte shteti agresor gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Sytë tani janë te gjyqtarët – cili do të jetë verdikti?

Përgjigjja nuk është e njëjtë as mes juristëve dhe studiuesve që e kanë ndjekur nga afër procesin. Disa presin aktgjykim lirues, të tjerë shmangin çdo parashikim, ndërsa ka edhe nga ata që shohin disa skenarë të mundshëm.

Për avokatin e licencuar në Dhomat e Specializuara, Artan Qerkini, Prokuroria nuk ka arritur të provojë dy shtyllat kryesore mbi të cilat mbështetet aktakuza: ekzistencën e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale dhe përgjegjësinë komanduese të të akuzuarve. Për këtë arsye, ai pret që të katërtit të shpallen të pafajshëm.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë një ushtri vullnetare dhe nuk ka pasur hierarki strikte. Pjesëtarët e saj i janë bashkuar me vullnetin e tyre, nuk kanë qenë ushtarë profesionistë dhe nuk kanë pasur detyrime që t’i qëndronin luftës deri në fund. Në rrethana të tilla, nuk mund të thuhet se ka ekzistuar kontroll efektiv në terren, që është një nga bazat për përcaktimin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, thotë Qerkini për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Megjithatë, jo të gjithë janë të gatshëm të nxjerrin përfundime për rezultatin.

Profesori i së Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin Middlesex të Londrës, William Schabas, thotë se procese të kësaj natyre shpesh vendosen nga detaje të caktuara të provave, të cilat nuk janë gjithmonë të dukshme për publikun.

“Gjyqtarët që po e shqyrtojnë këtë rast, nuk janë nga Kosova. Ata nuk janë të shkëputur nga realiteti politik i Kosovës, sepse ai është pjesë e çështjes që po gjykohet. Por, ata janë të pavarur dhe të paanshëm. Mendoj se shqetësimet apo ndjeshmëritë që mund të shkaktojë vendimi i tyre, nuk ndikojnë në punën e tyre – ata do të vendosin mbi bazën e fakteve dhe provave që kanë para vetes”, thotë Schabas për Exposenë.

Si hulumtuese prej vitesh e Tribunalit të Hagës për ish-Jugosllavinë dhe vëzhguese e afërt e procesit ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Nevenka Tromp nuk e përjashton asnjë mundësi.

Sipas saj, ekzistojnë tre skenarë: shpallja e pafajësisë për të katërtit, dënimi i të katërtve, ose një rezultat i përzier, ku disa mund të dënohen e disa të lirohen.

Pikërisht të tretin ajo e sheh si më të mundshmin.

“Kjo gjykatë do të duhet të ruajë një lloj ekuilibri mes pritjeve të palës serbe dhe asaj kosovare. Për këtë arsye, ka gjasa që disa të akuzuar të shpallen të pafajshëm dhe disa të dënohen. Mbetet të shihet nëse do të lirohet një apo do të dënohet një… apo ndonjë kombinim tjetër. Por, do të ketë kompromis”, thotë Tromp për Exposenë.

Vëmendja e Trompit nuk ndalet vetëm te rezultati. Ajo argumenton se gjatë zhvillimit të procesit, ka pasur shqetësime serioze lidhur me standardet procedurale, përfshirë kohëzgjatjen e paraburgimit dhe mënyrën e zbatimit të prezumimit të pafajësisë. Ajo vëren se kritika të ngjashme janë ngritur edhe nga Këshilli i Avokatëve të Anglisë dhe Uellsit.

Raporti paraprak i këtij mekanizmi, i publikuar më 11 maj, ngriti shqetësime për kohëzgjatjen e paraburgimit, kufizimet në lirimin e përkohshëm, pranimin e provave dhe barazinë mes prokurorisë dhe mbrojtjes gjatë procesit gjyqësor.

Se si do të ndikojnë këto kritika në perceptimin e aktgjykimit mbetet për t’u parë. Sepse, për një pjesë të ekspertëve, verdikti është vetëm një pjesë e historisë. Pjesa tjetër fillon pasi ai të shpallet, në mënyrën se si do të lexohet dhe interpretohet në Kosovë dhe më gjerë.

Këtu e vendos fokusin edhe sociologu dhe profesori në Universitetin e Londrës, Eric Gordy.

Sipas tij, një nga dobësitë më të mëdha të Dhomave të Specializuara ka qenë komunikimi me publikun. Në vend që qytetarëve t’u shpjegohej më shumë se procesi kishte të bënte me përgjegjësinë individuale, hapësira publike u mbush me interpretime politike, ku gjykimi u paraqit si një përballje mes palëve ndërluftuese dhe jo si proces penal ndaj individëve.

“Kush nuk do të donte të arrinte drejtësi historike? Por, unë do të doja që gjyqtarët të përqendroheshin më shumë te drejtësia juridike, ndërsa historianët dhe filozofët të merreshin me drejtësinë historike”, thotë Gordy për Exposenë.

Gordy nuk pret që aktgjykimi të sjellë një narrativ të përbashkët për luftën në Kosovë. Përkundrazi – interpretimet, sipas tij, do të vazhdojnë të ndryshojnë, sepse ato ndërtohen mbi përvoja, kujtesë kolektive dhe këndvështrime të ndryshme politike e shoqërore.

Për këtë arsye, ai e sheh dialogun mes vetë shoqërive si rrugën më të besueshme për t’u përballur me të kaluarën.

“Duhet ta ndajmë historinë nga politika dhe të nxisim një dialog, ku njerëzit në secilin shtet flasin edhe për përgjegjësitë e atyre që i kanë përfaqësuar. Ndarja e njerëzve në heronj dhe armiq nuk i shërben askujt”, sipas Gordyt.

Profesori Schabas është gjithashtu skeptik se një vendim gjyqësor mund të prodhojë pajtim.

Duke iu referuar përvojës së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ai thotë se edhe pas dhjetëra aktgjykimeve dhe më shumë se dy dekadash punë, ndikimi i tij në afrimin e shoqërive të rajonit mbetet i kufizuar.

Sipas Schabasit, një skenar i ngjashëm mund të përsëritet edhe pas vendimit të Dhomave të Specializuara.

“Nëse aktgjykimi është kundër tyre, do të ketë njerëz që nuk do ta pranojnë lehtë. Thjesht, për shkak të besnikërisë dhe bindjeve të tyre, jo për shkak të një vlerësimi të ftohtë e të paanshëm të ligjit”, thotë ai.

Për Qerkinin, një aktgjykim dënues do të kishte peshë përtej përgjegjësisë individuale. Ai thotë se fakti që Gjykata ka trajtuar vetëm krimet e pretenduara të UÇK-së, ka ushqyer perceptimin e një drejtësie selektive, me pasoja të mundshme edhe për mënyrën se si do të perceptohet lufta e Kosovës.

“Mund të ndikojë negativisht në perceptimin për UÇK-në, ngase të akuzuar janë krerët e UÇK-së. Pra, UÇK-ja nuk është përbërë nga armatimi dhe logjistika, por nga njerëzit. Dhe, këta njerëz të akuzuar kanë qenë krerët e UÇK-së dhe, domosdo, mund të kriminalizohet e gjithë UÇK-ja”, thotë Qerkini.

Tromp shkon edhe më larg – perceptimi për UÇK-në nuk është i vetmi në lojë.

Ajo argumenton se një aktgjykim dënues mund të ndikojë edhe në mënyrën se si do të rrëfehet shtetësia e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke i dhënë Serbisë dhe vendeve skeptike më shumë hapësirë për të sfiduar legjitimitetin moral të luftës së saj çlirimtare.

Kjo, sipas saj, mund ta vendosë Kosovën në një pozitë më të vështirë në betejat diplomatike për njohje, si dhe në raportet me partnerët ndërkombëtarë.

“Shoqëria e Kosovës dëshiron të pranohet në kontekstin politik evropian. Ajo dëshiron të ecë përpara dhe të ndërtojë të ardhmen e saj. Por, ky proces rrezikon ta mbajë të lidhur me të kaluarën dhe të vërë në dyshim qëllimet e mira dhe rezultatin që synon të arrijë kjo gjykatë”, thotë Tromp.

E themeluar nga Kuvendi i Kosovës, Gjykata Speciale është pjesë e sistemit gjyqësor të vendit, por vepron në Hagë me gjyqtarë ndërkombëtarë.

Ajo pasoi raportin e ish-senatorit zviceran, Dick Marty, të vitit 2010, i cili ngriti pretendime për krime të rënda të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, përfshirë trafikimin e organeve.

Meqë këto të fundit nuk u vërtetuan dhe nuk janë pjesë e aktakuzës aktuale kundër Thaçit dhe të tjerëve, Qerkini thotë se Kosova është “mashtruar”. /REL

Mësohet identiteti i vikťimës në Gjakovë

Një aksident me pasoja fatale ka ndodhur në orët e para të së dielës në rrugën “Tirana” në Gjakovë, ku një motoçiklist ka humbur jetën.

Viktima është identifikuar si A.A., i lindur në vitin 1991.

Rrethanat e aksidentit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa autoritetet kompetente kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes.

Për rastin kishte raportuar edhe Gazeta Imazhi, ndërsa pritet që policia të publikojë më shumë detaje gjatë ditës.

Deputetët e kanë obligim kushtetues të qëndrojnë në seancë dhe të mundësojnë zgjedhjen e presidentit/es

Profesori i së Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se partitë politike dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë obligim kushtetues që të mundësojnë zgjedhjen e presidentit të vendit, duke theksuar se formimi i institucioneve nuk duhet të bllokohet nga kalkulimet politike.

Baraliu në një interviste për Ekonomia Online, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit kërkon bashkëpunim ndërmjet pozitës dhe opozitës, pavarësisht nëse kjo arrihet përmes një marrëveshjeje politike apo përmes respektimit të detyrimeve kushtetuese nga deputetët.

“Është e domosdoshme, obligative dhe imperative siç e thashë. Që të vetëdijesohet kjo klasë politike sidomos fituesi i zgjedhjeve, po hiq më pak as këta të tjerët të opozitës, që të bëhen bashkë edhe t’i bëjnë institucionet. Sa i përket Kuvendit dhe Qeverisë nuk ka problem, shumica e fituesit sepse i ka numrat. Ndërkaq për presidentin domosdoshmërisht do të duhet të bëhen bashkë. A bëhen me ndonjë marrëveshje për qeverisje të përbashkët? Apo ndonjë kompromis për ndonjë kandidat konsensual? Apo varianti i tretë që është po ashtu edhe obligimi i çdo deputeti nga kushtetuta që t’i formojë institucionet, që edhe partive politike obligimi i tyre pra që ta votojnë, të shkojnë të marrin pjesë në zgjedhje kur caktohet, në seancë kur caktohet zgjedhja e presidentit apo presidentes dhe ta votojnë, të jenë të pranishëm, të votojnë për, kundër ose abstenim. Mirëpo ta mundësojnë formimin e institucionit në këtë rast, institucionit të presidentit”, tha ai.

Sipas tij, vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese e kanë bërë të qartë se deputetët janë të obliguar të marrin pjesë në seancat ku zgjidhen institucionet dhe të shprehin vullnetin e tyre me votë.

“Sepse fundi i fundit edhe ky është një obligim kushtetues pikërisht i Gjykatës Kushtetuese e cila më herët në dy raste ka kërkuar dhe ka vendosur, vendimi i saj është pjesë përbërëse e kushtetutës tashmë që duhet të zbatohet si e tillë, si pjesë e kushtetutës që deputetët janë të detyruar të marrin pjesë në seancë dhe të votojnë për, kundër ose abstenim. Pra të rrinë, të qëndrojnë në seancë çdo seancë në Kuvend, e në këtë rast edhe për zgjedhjen e presidentit, dhe të votojnë për, kundër ose abstenim, pra rrjedhimisht të mundësojnë zgjedhjen e presidentit”, tha ai, për Ekonomia Online.

Baraliu shtoi se deputetët janë zgjedhur për të funksionalizuar institucionet dhe jo për të penguar krijimin e tyre.

“Ajo që thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese  në dy raste siç e përmenda më sipër është evidente që deputetët duhet të qëndrojnë në seancë dhe të votojnë për, kundër ose abstenim. Pra është detyrë e tyre për formimin e institucioneve. Përndryshe, shtrohet pyetja, pse shkojnë, pse formohet Kuvendi, pse shkojnë deputetët në Kuvend? Çfarë bëjnë aty? Shkojnë në Kuvend për t’i formuar institucionet, shkojnë për të marrë pjesë, për të nxjerrë ligje, për të trajtuar ligjet një herë, dy herë, për të miratuar ligje. Pra, për t’i bërë funksionale institucionet e këtij vendi të kësaj republike. Prandaj është detyrë e tyre edhe pa marrëveshje, edhe pa ndonjë kompromis për ndonjë kandidat konsensual që thjesht t’i bëjnë institucionet. Pra partitë politike dhe deputetët secili veç e veç, 120 prej tyre, e kanë për detyrë që t’i mundësojnë formimin e institucioneve, në këtë rast edhe zgjedhjes së presidentit”, tha Baraliu.