div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="home blog paged custom-background wp-custom-logo paged-53 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Lladrovci merr pjesë në dasmën e Luan Haradinajt, ky është urimi i tij i veçantë për çiftin

Kreu i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka uruar Luan Haradinajn, djalin e Shkëlzenit, me rastin e martesës.

Ai ka njoftuar se ishte njëri nga të ftuarit në këtë ditë të veçantë për familjen.

Postimi i plotë i Lladrovcit

I nderuar të marr pjesë në gëzimin e madh të Haradinajve, në dasmën ku Luani po e kurorëzon dashurinë e tij me Anilën.

Emri i heroit Luan Haradinaj po lartësohet e përtërihet me jetën e re, në Kosovën e lirë, si amanet i heronjve tanë për të qëndruar e për ta gëzuar jetën përgjithmonë në atdhe.

Përgëzimi në këtë dasëm emblematike të Luanit të ri, me emocion të veçantë shkon për Nënën Rukë, e cila qëndroi stoike përball humbjeve të mëdha dhe sakrificave të familjes për çlirimin e Kosovës.

Me Nënën Rukë, Selimin dhe Pjerinin, një foto që përcjell nderimin, gëzimin dhe urimin tonë më të sinqertë për Haradinajt, për Luanin e ri dhe Anilën, paçin lumturinë!

Paga e 13-të në sektorin privat, Kurti ka diqka për të thënë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve ka thënë se sot është dita e atyre që kanë ndërtuar gjithçka rreth nesh dhe që vazhdojnë të na zhvillojnë çdo ditë.

Kurti përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se qytetarët e Kosovës kanë një kuptim të rëndësishëm të vlerës së punës edhe përtej ekonomisë.

“Vendosëm pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik. Për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shteti njohu në mënyrë konkrete kontributin e vazhdueshëm të punonjësve të tij. I bëmë e vazhdojmë t’i bëjmë thirrje edhe sektorit privat të ndjekë këtë shembull, sepse kompensimi i drejtë dhe përkujdesja e shtuar për punëtorët nuk duhet të jetë privilegj vetëm i sektorit publik”, ka shkruar Kurti.

Lexoni të plotë postimin e plotë të kryeministrit në detyrë të Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti:

Sot është dita e punëtorëve. E atyre që kanë ndërtuar gjithçka rreth nesh dhe që vazhdojnë të na zhvillojnë çdo ditë.

1 Maji lindi në vitin 1886 në Çikago, kur punëtorët marshuan për diçka që sot duket e vetëkuptueshme, por që atëherë kushtoi me jetë: tetë orë punë, tetë orë pushim, tetë orë jetë për veten. Ata u përballën me dhunë. Disa prej tyre vdiqën për të drejta që sot i konsiderojmë bazike. Çdo fundjavë, çdo rregull sigurie, çdo mbrojtje në punë që ekziston në botën demokratike është fituar sepse dikush nuk pranoi më pak nga sa kërkonte e meritonte. 1 Maji është rikujtimi vjetor i kësaj historie. Është përkujtimi se të drejtat nuk dhurohen nga lart, ato ndërtohen nga poshtë dhe mbrohen vazhdimisht.

Qytetarët e Kosovës kanë një kuptim të rëndësishëm të vlerës së punës edhe përtej ekonomisë. Edhe kur u shkëputën nga paga, apo kur u përjashtuan nga hapësirat formale, puna vazhdoi në shtëpi, lagje dhe komunitete. Në ato rrethana okupimi, ajo u bë formë qëndrese dhe aktivizmi. Sot, punëtori është shtylla e parë e shtetndërtimit tonë.

1 Maji nuk është thjesht një datë feste që shënohet e që ka histori, 1 Maji është edhe matje e gjendjes sonë të tanishme.

Sipas raporteve ndërkombëtare të sindikatave, të drejtat e punëtorëve janë goditur ndjeshëm në mbarë botën gjatë vitit 2025. Në shumë vende, përfshirë edhe ato të zhvilluara, të drejtat e punëtorëve janë në rrezik. Punësimi afatshkurtër është në rritje, përfshirë këtu atë përmes platformave digjitale, që e reduktojnë punën në detyra të përditshme me paga të pasigurta dhe me masa disiplinore që vendosen pa transparencë dhe pa mbrojtje reale për punëtorët. Ndërkohë, automatizimi po zhduk kategori të tëra pune, pa ofruar gjithmonë mundësi rikualifikimi apo mbështetje për ata që preken. E, në të njëjtën kohë, pabarazia është rritur.

Ky është realiteti global ku nuk mund të bëjë përjashtim as Kosova. Në këtë kontekst jetojnë dhe punojnë punëtorët tanë, dhe në këtë dritë duhen kuptuar edhe vendimet tona në qeveri.

Kur ne morën detyrën, paga minimale në Kosovë ishte 170 euro. Nuk kishte ndryshuar për trembëdhjetë vite. Për një brez të tërë që hynte në tregun e punës, ky ishte minimumi ligjor për punën e tyre. Ne e ndryshuam këtë. Miratuam Ligjin për Pagën Minimale dhe e ngritëm atë në 425 euro, duke ndikuar drejtpërdrejt rreth 150.000 punëtorë, shumica në sektorin privat. Nga 1 korriku ajo rritet në 500 euro (pavarësisht asaj që ndodhi me Kuvendin).

Vendosëm pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik. Për herë të parë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shteti njohu në mënyrë konkrete kontributin e vazhdueshëm të punonjësve të tij. I bëmë e vazhdojmë t’i bëjmë thirrje edhe sektorit privat të ndjekë këtë shembull, sepse kompensimi i drejtë dhe përkujdesja e shtuar për punëtorët nuk duhet të jetë privilegj vetëm i sektorit publik.

Filluam dhe zgjeruam programin Superpuna, që subvencionon pagat në sektorin privat për gjashtë muaj dhe krijon një rrugë të strukturuar për të rinjtë drejt tregut formal të punës. Punësuam mbi 23 mijë të rinj dhe të reja të moshave nga 18 deri në 29 vjeç me ç’rast kanë përfituar rreth 10.500 biznese.

Për të drejtat e punëtorëve në Republikën e Kosovës, mungesa kryesore është ajo e organizimit sindikal në sektorin privat. Këtu duhet të angazhohet e gjithë shoqëria jonë për një nivel të ri të statusit dhe gjendjes së punëtorëve te ne.

Për herë të parë me ne në qeverisje filluan të ndahen shtesat për fëmijë dhe shtesat për nënat lehona. Pensionet i rritëm nga nga 90 euro në 150 euro. Përmes programit “Qeveria për Familjet”, subvencionum 70% të pagave për gjashtë muaj për familjet pa asnjë të punësuar, duke përfshirë kësisoj rreth 4,000 familje. Gjithashtu, kemi mbështetur punësimin e mbi 12.000 grave përmes politikave dhe subvencioneve direkte shtetërore. Në vijim kemi programin “Superpuna për Gra” që do të ndihmojë edhe më shumë për rritjen e punësimit të grave. Vetëm gjatë tre vjet e gjysmë të qeverisjes sonë, numri i të punësuarve është rritur ndjeshëm. E kemi gjetur Kosovën me rreth 350,000 të punësuar, ndërsa sot janë rreth 435,000 një rritje prej rreth 85,000 vende pune.

Propozuam një paketë prej 200 milionë eurosh për përballjen me inflacionit, që ofronte mbështetje të synuar për sektorin privat, studentët, fëmijët dhe familjet që ballafaqohen me rritjen e kostos së jetesës. Kjo paketë u bllokua në Kuvend nga një opozitë që zgjodhi të mos votojë. E njëjta opozitë që bojkotoi zgjedhjen e presidentit duke e dërguar vendin në zgjedhje. Votat janë të regjistruara. Qytetarët do të nxjerrin përfundimet e tyre.

Për punëtorët e Kosovës në këtë 1 Maj: kjo qeveri ka qenë në anën tuaj jo vetëm me fjalë, por me ligje të miratuara, buxhet të zbatuar dhe vendimetet. Puna për ndërtimin e një shteti që i trajton punëtorët si themelin e gjithçkaje, vijon. 

Specialja merr një vendim për Thaçin

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë caktuar seancat për çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, lidhur me akuzat për vepra kundër administrimit të drejtësisë.

Sipas njoftimit, seancat do të mbahen në periudhën nga 11 deri më 15 maj 2026, pas anulimit të disa seancave të planifikuara për muajin prill.

Në këtë rast janë të akuzuar Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu, Isni Klaj dhe Hajredin Kuçi, të cilët në seancën fillestare janë deklaruar të pafajshëm.

Thaçi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa përveç këtij rasti, ai po përballet edhe me akuza për krime lufte.

Vuçiq: Do të luftojmë kundër anëtarësimit të Kosovës në NATO

Kongresisti amerikan, Keith Self, së bashku me dy kolegë tjerë, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve në ShBA për të shprehur mbështetje të fortë për integrimin e Kosovës në NATO.

Por, këtë iniciativë po zotohet se do ta luftojë presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq.

“Ne së shpejti do të kemi ushtrime të rëndësishme me ta (NATO). Po bisedojmë me ta, shpresojmë që kjo të mos ndodhë. Do të luftojmë që diçka e tillë të mos ndodhë. Mos harroni se ekzistojnë katër vende që janë anëtare të NATO-s, siç janë edhe pesë anëtare në BE, që nuk e kanë njohur Kosovën. Nuk e shoh se si kjo mund të kalojë lehtë, por të presim e të shohim”, tha Vuçiq për gazetarët, raporton agjencia serbe e lajmeve “Tanjug.

Në rezolutën e propozuar nga kongresistët amerikanë, përmenden disa prej arsyeve që Kosova meriton anëtarësimin në NATO.

“Për më tepër, ndërsa forcat kundërshtare vazhdojnë të destabilizojnë rajonin, shtimi i Kosovës në aleancën e NATO do të shërbente si një kundërpeshë e domosdoshme për t’i dekurajuar përpjekje të tilla armiqësore dhe për të parandaluar një katastrofë tjetër globale në Ballkan”, thuhet në rezolutë.

Katër shtete anëtare të NATO-s , Greqia, Rumania, Sllovakia e Spanja, ende nuk e kanë njohur Kosovën shtet.

Rezoluta bën thirrje këtyre katër aleatëve t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre, duke theksuar se njohja më e gjerë e Kosovës është thelbësore për ta zhbllokuar rrugën e saj drejt integrimit në NATO dhe për të mbyllur një boshllëk strategjik në Evropën Juglindore që kundërshtarët kërkojnë ta shfrytëzojnë.

“Kosova ka demonstruar një përkushtim të qartë ndaj stabilitetit rajonal dhe përafrimit strategjik me vendet e NATO, por progresi i saj drejt anëtarësimit në aleancë po pengohet nga mungesa e njohjes nga një numër i vogël aleatësh”, ka thënë kongresisti Self.

Ai ka shtuar se shtimi i Kosovës në aleancë është thelbësor për ta kundërshtuar ndikimin në rritje të kundërshtarëve në Evropë.

“Shtetet e Bashkuara duhet t’i inkurajojnë Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe të sigurojnë që Kosova të ketë një rrugë të besueshme dhe të arritshme drejt anëtarësimit”, ka thënë Self.

Në rezolutë thuhet se shtimi i Kosovës në aleancën e NATO është thelbësor për të mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare të Shtetet e Bashkuara në Evropën Juglindore.

Rezoluta e ShBA-së mirëpritet në Kosovë, kundërshtohet nga Serbia

Tre kongresistë amerikanë, Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler, e kanë paraqitur një rezolutë në Dhomën e Përfaqësuesve për ta mbështetur anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke argumentuar se prania e saj në aleancë është thelbësore për mbrojtjen e interesave të sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara në Evropën Juglindore.

E kjo rezolutë është mirëpritur nga zyrtarë në Kosovë, por gjithashtu është kundërshtuar nga Serbia.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shprehu “mirënjohje për përfaqësuesit Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler për lidershipin e tyre dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Kosova ta zërë vendin që i takon në familjen euroatlantike”, shkruan REL.

Ambasadori i Kosovës në Uashington, Ilir Dugolli, shkroi në X se ndihet mirënjohës ndaj kongresistëve për “mbështetjen e palëkundur për Kosovën dhe anëtarësimin e saj në NATO”.

Në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, tha se do të luftojë kundër përpjekjeve për integrimin e Kosovës në NATO.

“Do të kemi së shpejti ushtrime të rëndësishme me NATO-n. Po bisedojmë me ta dhe shpresojmë që kjo të mos ndodhë”, tha Vuçiq lidhur me anëtarësimin e mundshëm të Kosovës.

Kosova e cilëson si qenësore miqësinë me Shtetet e Bashkuara, vend që ka bërë shumë në pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës.

Kosova është tani duke e shndërruar Forcën e Sigurisë në ushtri të plotë, që pritet të përmbyllet më 2028.

SHBA-ja e ka mbështetur nga fillimi shndërrimin e FSK-së në ushtri, por jo edhe NATO-ja, e cila ngul këmbë që FSK-ja t’u përmbahet detyrave të saj fillestare, si: reagimi ndaj krizave apo mbrojtja civile.

Prishtina, gjatë procesit të transformimit të FSK-së në ushtri, po ashtu po pajiset me armatime të reja, përfshirë ato të prodhuara në SHBA. Vendi po ashtu është mikpritës i bazës më të madhe amerikane në Ballkan, Bondsteel.

Po ashtu, Kosova po ashtu do të jetë pjesë e Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese është një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së Bordit të Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

Rama akuzon Kurtin: Po shkon në zgjedhje për pushtet, jo për qytetarët

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

Rama deklaroi se Kurti nuk do të qeverisë, por vetëm lufton për pushtet, e jo për shtet. Sipas tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti i përdor qytetarët për pushtet.

 “Po gjithsesi, gjithsesi unë e kam thënë këtë qysh në janar. Kjo është një lojë politike e padrejtë e Albin Kurtit. Domethënë ai nuk do me qeverisë, domethënë ai do derisa ai është në pozitë, pra vetëm e ka pushtetin, lufton për pushtet, jo për shtet, jo për qytetarë. Pra i përdor qytetarët për pushtet. Pra na flet pallavra, na flet të pavërteta, edhe vazhdon me mbajt pushtet, edhe vazhdon me kriju këtë bllokadë të qeverisë qysh e ka blloku vitin e kaluar rreth më shumë se një vit, tash vazhdon me blloku prapë me zgjedhje të panevojshme, po them, të cilat vetë, vetë i ka kriju. Pra ka mund me gjetë zgjidhje, ka pas 51% të votës së qytetarëve. Pra, i shfrytëzon qytetarët për me mbajt pushtet. Nuk e shfrytëzon pushtetin për me i ndihmu qytetarët”, tha Rama për Ekonomia Online.

Kuvendi i Kosovës dështoi mbrëmjen e së martës të zgjedhë Presidentin e ri të vendit, megjithëse Gjykata Kushtetuese i dha 34 ditë kohë.

Ndërsa, të enjtën ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu pas konsultimeve me përfaqësuesit e partive politike ka caktuar 7 qershorin si datë të zgjedhjeve.

FFK-ja prezanton fanellat e reja të Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës ka prezantuar fanellat e reja për Kombëtaren e Kosovës.

Për dy sezonet e ardhshme, Kosova do të paraqitet me fanellat e prodhuara nga brendi i njohur botëror, Adidas.

Ndryshimi i fanellave është bërë në kuadër të Skemës së Asistencës për Veshje të UEFA-s, ka njoftuar FFK.

“Përmes kësaj skeme, Federata e Futbollit e Kosovës përfiton nga furnizimi me veshje cilësore për ndeshje dhe stërvitje, të dizajnuara në mënyrë të personalizuar dhe në përputhje me identitetin e ekipit. Skema e UEFA-s synon të mbështesë federatat kombëtare duke u ofruar atyre fanella dhe pajisje sportive të standardeve të larta. Në këtë cikël të ri, adidas është përzgjedhur si furnizues zyrtar pas një procesi tenderimi që ka vlerësuar cilësinë, përballueshmërinë dhe përvojën në projekte të ngjashme”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Tragjedi: 23 vjeçari gjendet i vdekur, dy pistoleta dhe thikë në vendngjarje

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Podujevë, ku një i ri është gjetur pa shenja jete pas të shtënave me armë zjarri, mëson Sinjali.

Rasti është raportuar më 30 prill 2026 rreth orës 23:20 në rrugën “Gryka e Llapit”, në hapësirat e NNP “Vëllezërit Hyseni”, ku njësitë policore kanë hasur në një person të shtrirë në dysheme.

Viktima është identifikuar si Rifat Hyseni (23-vjeçar), i cili kishte plagë në fytyrë, që dyshohet se janë shkaktuar nga arma e zjarrit. Mjekët e emergjencës kanë konfirmuar vdekjen e tij në vendngjarje.

Në afërsi të trupit janë gjetur dhe sekuestruar:

  • një pistoletë,
  • një thikë,
  • një karikator me një fishek,
  • një gëzhojë,
  • mjete për pastrimin e armës,
  • si dhe një palë syze të dëmtuara.

Gjatë ekzaminimit të mëtejmë, në vendngjarje është gjetur edhe një tjetër armë pistoletë pa numër serik, që dyshohet të jetë jofunksionale, si dhe 11 fishekë të kalibrit 9×19 mm.

Në cilësinë e dëshmitarit është intervistuar babai i viktimës, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve, forenzika rajonale dhe Instituti i Mjekësisë Ligjore.

Me udhëzim të Prokurorit për Krime të Rënda, rasti është iniciuar si “Hetim mbi vdekjen”, ndërsa trupi i pajetë është dërguar për obduksion.

Hetimet janë në vazhdim për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.