Tahiri: Le të këtë garë për president mes Haradinajt dhe një kandidati të VV-së

Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Bensik Tahiri, ka thënë se situata politike në Kosovë do të zhbllokohej nëse do të kishte një garë për zgjedhjen e presidentit në mes të ish-kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj, nëse do të mbështetej nga opozita, si dhe një kandidati të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Duke komentuar deklaratat e deputetes së zgjedhur të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e cila e hodhi poshtë mundësinë e mbështetjes së Haradinajt për president, Tahiri tha se Aleanca nuk ka kërkuar votë nga partia në pushtet.

”Gjuha e Vetëvendosjes është gjuha më e ulët politike në historinë parlamentare. Ata janë kampionë të gjuhës së tillë. Ramush Haradinaj asnjëherë s’ka lypë votë. Asnjëherë s’ka thënë ‘unë jam kandidat’. Ka thënë: ‘Për me u zhbllokuar Kosova, për mos me mbetur peng, në qoftë se opozita e mbështet kandidaturën e tij, atëherë do të ketë garë zgjedhore’. Pra, ky pozicion së paku do ta zhbllokonte Kosovën. Nuk dihet kush do të fitonte, mirëpo do të kishte një kandidat për president nga opozita dhe një kandidat prej tyre. Nuk ka të bëjë asgjë me çka ka thënë ajo, as s’kemi lypë votë. Ne kemi thënë që nuk mundemi me vazhdu me një pozicion ku një parti do t’i marrë tri pozicione, me i zaptu tri pozicionet, sepse atëherë do të thotë me e kthyer shtetin parlamentar në një shtet autoritar”, u shpreh Tahiri në një deklaratë për Ekonomia Online.

Ai tha se partia e tij ka paraqitur një platformë politike me gjashtë kërkesa, ndërsa theksoi se nuk do ta bllokojë procesin e zgjedhjes së presidentit. E gjithashtu Tahiri nuk e përjashtoi mundësinë e përsëritjes së bllokadës institucionale.

I pyetur nëse Aleanca, do të përkrahte një kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje për president nëse plotësohen kërkesat e saj, Tahiri tha se partia nuk synon ta bllokojë procesin, por vendimi për votën do të varet nga kandidatura konkrete.

“Këto janë kushtet tona dhe ne nuk e bllokojmë procesin. Pra, ne shkojmë në kuorum. A e votojmë apo jo, varet prej njerëzve dhe se çfarë emrash nxjerrin ata. Ne duhet ta dimë emrin, mirëpo këto që përmenda janë kushtet tona”, tha Tahiri.

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini në një konferencë për media të premten tha se Kosova po rrezikon të futet sërish në krizën e mungesës së institucioneve, gjë kjo e cila sipas tij nuk shkon as në favor të qytetarëve e as të zhvillimit strategjik të Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *