Policia e Kosovës pas një aksioni kundër degradimit të mjedisit, ka arritur të arrestojë nëntëmbëdhjetë persona dhe ka sekuestruar dyzet mjete të kryerjes së veprës penale duke përfshirë dhjetë kamionë, pesëmbëdhjetë eskavator, pesëmbëdhjetë makineri seperimi, si dhe prova të tjera materiale, ku vlera totale e sekuestrimit ishte rreth 2 milionë euro.
Megjithatë, sipas Prokurorisë, më 17.12.2025 vetëm disa muaj pas këtij aksioni, ka pasuar një tentativë tjetër për dëmtimin e mjedisit.
Lidhur me këtë rast, tre persona janë arrestuar në flagrancë, në orët e vona të natës, pasi tentuan të eksploatonin zhavorr përreth lumit “Drini i Bardhë”.
Lidhur me këtë rast është sekuestruar një kamion dhe një eskavator.
“Personat e arrestuar, gjenden në ndalim 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprat penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 338, dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Prokuroria Themelore në Prizren, do të vazhdojë të jetë vigjilente dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar aktivitete të paligjshme që mund të shkaktojnë dëm të madh për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve. Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prizren apelon për angazhimin e të gjithëve në mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së resurseve natyrore dhe respektimit të ligjit për një të ardhme më të qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë./teve1.info/
Zbardhen detaje nga sherri mes nxënësve të një shkolle 9-vjeçare në Sarandë
Në orët e para të mëngjesit të sotëm, 13-vjeçari, Elton Gerdhuqi, dhe 15-vjeçari Rajan Haderi (i lënduari) janë konfliktuar në ambientet e brendshme të shkollës në oborrin e shkollës jopublike ‘Dea’.
Fillimisht sherri ka nisur me fjalë ‘pse të kalosh ti i pari dhe jo unë’. Pas kësaj 13-vjeçari ka nxjerrë thikë dhe ka qëlluar 15-vjeçarin në pjesën e qafës.
Gazetarja e Top Channel, Entjola Budo raporton se i lënduari ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Sakaq mësohet se 13-vjeçari nuk është kapur ende nga policia.
Kryetari i Mitrovicës ka njoftuar se vendimi i dytë si kryetar i kësaj komune është themelimi i Ekipit Geriatrik / kujdesi për të moshuarit.
Peci ka thënë se për herë të parë në Mitrovicë, themelohet një ekip mjekësor geriatrik mobil, për të gjithë të moshuarit mbi 65 vjeç, me sëmundje të ndryshme kronike dhe në shërbim të drejtpërdrejtë nga Qendra e Mjekësisë Familjare.
Një person është gjetur pa shenja jete sot paradite në fushën e fshatit Sërbicë e Ulët, në rajonin e Prizrenit.
Zëdhënësi i Policisë Rajonale në Prizren, toger Shaqir Bytyçi, ka bërë të ditur për RTV Besa se rreth orës 11:35 Policia ka pranuar informatën për një person të shtrirë pa shenja jete në këtë zonë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe emergjenca mjekësore, ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e personit.
Sipas Policisë, viktima është identifikuar si M.K., 57-vjeçar, mashkull, nga fshati Sërbicë e Ulët. Gjatë këqyrjes fillestare është vërejtur se viktima kishte një plagë të shkaktuar nga arma e zjarrit në trup, ndërsa në afërsi të trupit është gjetur edhe një armë zjarri – pistoletë.
Policia po qëndron në vendin e ngjarjes dhe është duke mbledhur informacione, prova materiale dhe dëshmi relevante për rastin. Prokurori kompetent është njoftuar dhe veprimet e mëtejme do të ndërmerren në koordinim me të.
Hetimet janë në vazhdim me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka premtuar që me rritjen e pagës minimale, e cila nga vera e vitit 2026 do të bëhet 500 euro, do të rriten edhe shtesa për nënat lehona.
Murati tha se edhe për nënat lehona shtesat do të bëhen 500 euro, transmeton Zeri.info.
“Me rritjen e pagës minimale në 500 euro, nga viti i ardhshëm me qeverinë ‘Kurti’ rriten edhe shtesat për nënat lehona në 500 euro/muaj. Pra 6 muaj nga 500 euro, secila nënë lehonë e papunë do të marrë 3.000 euro nga shteti”.
“Shto këtu edhe shtesat mujore të fëmijëve që do të rriten, 12×90 euro, që i bjen 1.080 euro. Pra veç në vitin e parë mbi 4 mijë euro mbështetje për nënat e reja”.
“Ndërsa shtesat për fëmijë vazhdojnë nga 1.080 euro në vit, deri në moshën 16-vjeçare. Në total pra, për secilin fëmijë, shteti jep mbi 20 mijë euro që nga lindja e deri në moshën 16-vjeçare. Kur ka pasur këso qeverie më përpara? Mos lësho pe!”, shkroi Murati.
Rritja e madhe e importit të energjisë elektrike dhe rënia e prodhimit vendor kanë shtuar pasigurinë për sektorin energjetik në vend, kanë vlerësuar njohës të kësaj fushe. Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë nëntëmujorit të këtij viti importi është rritur për 48 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, duke hapur debatin për mostransparencën e ZRRE-së dhe mundësinë e rritjes së tarifave të energjisë
Për 48 për qind është rritur importi i energjisë elektrike gjatë nëntëmujorit të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar.
Bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave, derisa importi ka shënuar rritje, gjatë kësaj periudhe është regjistruar rënie e prodhimit vendor për afro 20 për qind.
Njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa, tha se importi në pesë vjetët e fundit është katërfishuar krahasuar me pesë vjetët paraprakë. Ai tha se rritje e madhe vërehet edhe kur krahasohet 3-mujori i vitit të shkuar me atë të sivjetmë.
“Në bazë të të dhënave të Doganës së Kosovës rrjedh që në tremujorin e parë të 2025 janë importuar rreth 125 milionë euro energji elektrike, ndërsa në tremujorin e parë të 2024 janë diku rreth 45 milionë euro. Shihet një rritje enorme e importeve, për diku trefishim të sasisë dhe më shumë shqetësuese në këtë është se kjo sasi e importeve është para se të fillojë procesi i renovimit të “Kosovës B”. Kjo e rrit edhe frikën se do të kemi ndoshta nevojë për korrigjim të tarifave të energjisë elektrike për vitin 2026”, ka thënë Haxhimusa.
E në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE) kanë njoftuar se në fund të këtij muaji do të fillojë shqyrtimi i tarifave të reja për vitin 2026, por nuk kanë treguar nëse ka indikacione për rritje të tyre apo jo.
“Shqyrtimi i tarifave do të bëhet sipas orareve të përcaktuara në Rregullën për Përcaktimin e Tarifave dhe Çmimeve. Procesi pritet të fillojë në fund të këtij muaji dhe pritet të zgjasë deri në fund të muajit mars të vitit 2026”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së.
Rritja e importit të energjisë është shoqëruar edhe me dominimin në treg të një kompanie, gjë që ka nxitur debat e akuza mes partive politike në vend.
Sipas Haxhimusës, kjo do të mund të sqarohej lehtësisht nëse do të kishte transparencë nga ana e Zyrës së Rregullatorit për Energji.
“Këtë zjarr do ta shuante apo ndizte më shumë nëse Zyra e Rregullatorit për Energji do të dilte dhe do të tregonte se nga po vijnë këto importe dhe se ata nëse nuk i kanë këto të dhëna shumë lehtë e obligojnë tregtarin që të ofrojë këto të dhëna se nga po vijnë importet dhe cilat rrugë janë shfrytëzuar për të ardhur ajo energji deri tek konsumatori fundor”, ka thënë Haxhimusa.
Jotransparente ZRRE-ja është treguar edhe në rastin e mospublikimit të Planit Vjetor për Energji për vitin 2025, të cilin e miratoi 13 muaj pas pranimit të kërkesës nga Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT).
KOHA ka kërkuar nga ky institucion arsyet e vonesës në miratimin e Planit vjetor dhe për mospublikimin e tij, por nuk ka marrë përgjigje.
Ani se ky plan është miratuar më 7 nëntor 2025, nuk është publikuar ende në faqen e ZRRE-së
Të dhënat e bilancit vjetor, që bazohet në nevojat e planifikuara të konsumit të energjisë për vitin 2025, nuk u bënë publike as në mbledhjen e Bordit të ZRRE-së.
Siguria e Kosovës hyn në një kapitull të ri dhe shumë më të sigurt. Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur mëngjesin e sotëm se dje është finalizuar dhe nënshkruar kontrata kornizë me gjigantin amerikan “AM General”.
Ky hap konkretizon furnizimin e FSK-së me topat e sofistikuar HUMVEE Hawkeye 105mm Mobile Howitzer.
Një fakt i kryer për sigurinë e vendit Nuk janë më vetëm plane, por kontrata të firmosura. Ministri theksoi se me firmën e hedhur dje, ushtria kalon në fazën e rritjes së fuqisë së zjarrit dhe mbrojtjes së territorit.
“Kjo blerje shënon një hap të rëndësishëm… duke garantuar siguri më të madhe për vendin,” u shpreh Maqedonci në njoftimin e tij të sotëm.
Me këtë marrëveshje tashmë të mbyllur, qytetarët e Kosovës marrin garancinë më të fortë se ushtria po modernizohet me ritme të shpejta dhe partneriteti me SHBA-në është më i fortë se kurrë.
Një situatë e tensionuar dhe e pakëndshme ka shoqëruar episodin e djeshëm të programit “Përputhen”, ku një debat mes dy konkurrentëve ka kaluar kufijtë e fjalëve dhe ka përfunduar në përplasje fizike në studio.
Ngjarja përfshiu dy nga konkurrentët, Ibrahimin dhe Josipin, të cilët fillimisht u përplasën verbalisht, për të degraduar më pas në një incident që tronditi publikun dhe pjesëmarrësit në program. Sipas pamjeve të transmetuara, gjithçka nisi nga një koment provokues “të dogji”, i drejtuar nga njëri konkurrent ndaj tjetrit.
Reagimi ishte i menjëhershëm. Komenti nuk u prit aspak mirë nga konkurrenti tjetër, i cili u ngrit nga vendi i tij, duke shkaktuar tension dhe përshkallëzim të situatës në studio. Debati u përshkallëzua me tone të larta, duke kaluar më pas në kontakt fizik mes dy djemve, ndërsa produksioni dhe konkurrentët e tjerë ndërhynë për të ndalur përplasjen.
Gjatë kaosit në studio, një nga konkurrentet vajza dëgjohet duke bërë akuza ndaj njërin prej djemve, duke thënë se ai ishte në gjendje të dehur dhe se nuk po aktronte për kamerat. “Është tap, nuk po aktron, ka pirë alkool”, dëgjohet të shprehet ajo, deklaratë që shtoi edhe më shumë tensionin në situatë.
Incidenti ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku ndjekësit e programit kanë shprehur shqetësim për nivelin e dhunës në një format që synon njohjen dhe krijimin e lidhjeve romantike.
Ish-deputetja nga komunitetet, Duda Balje, ka përdorur një term ofendues gjatë një debati televiziv të transmetuar drejtpërdrejt në televizionin T7.
Gjatë diskutimit, Balje iu drejtua njërit prej panelistëve me shprehjen “ti nuk je as magjup”, një term që në opinionin publik konsiderohet fyes dhe diskriminues ndaj komuniteteve.
Deklarata u bë në transmetim live dhe ka nxitur reagime në rrjetet sociale:
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka reaguar rreth lajmeve se fundviti në Kosovë do të shoqërohet me temperatura ekstreme minimale deri – 20°C dhe me borë, të cilat sipas IHMK-së kanë krijuar shqetësim dhe konfuzion tek qytetarët.
IHMK thotë se Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, është i vetmi institucion që mund të bëjë njoftime të tilla.
“Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, është i vetmi institucion që mund të bëjë njoftime të tilla bazuar në ligjin Ligjin Nr. 06/L -035 për Veprimtarinë Hidrometeorologjike, Neni 13 Sistemi i paralajmërimit të hershëm për ngjarjet e jashtëzakonshme hidrometeorologjike, neni 28 Lëshimi i informacionit të përgjithshëm meteorologjik dhe hidrologjik
Neni 9, pika 2 mes tjerash thuhet: Parashikimi zyrtar i motit dhe paralajmërimi i hershëm i fatkeqësive të mundshme natyrore me origjinë hidrometeorologjike për Republikën e Kosovës jepet nga IHMK dhe janë ekskluzivitet i IHMK-së.
Andaj çdo supjekt apo individ tjetër që bënë njoftim, parashikim apo paralajmërim për motin, fillimisht është i jashtëligjshëm e më pas joprofesional dhe shkencëtarësh i pa drejtë”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Reagimi i IHMK-së vjen pasi menaxheri i departamentit meteorologjik në KANS, Sherif Gosalci, ditën e djeshme në një postim ka thënë se sipas parashikimeve aktuale, moti do të nisë të ndryshojë në pjesën e dytë të javës që vjen, kur pritet një depërtim i masave më të ftohta ajrore me temperatura që mund të shkojnë deri në -20 gradë.
Reagimi i plotë i IHMK-së:
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, ditëve të fundit nëpër media dhe portale është shpërndarë lajmi që ky fund vit do të shoqërohet me temperatura ekstreme minimale deri – 20°C dhe me borë, të cilat kanë paraqitur konfuzion dhe shqetësime.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, është i vetmi institucion që mund të bëjë njoftime të tilla bazuar në ligjin Ligjin Nr. 06/L -035 për Veprimtarinë Hidrometeorologjike, Neni 13 Sistemi i paralajmërimit të hershëm për ngjarjet e jashtëzakonshme hidrometeorologjike, neni 28 Lëshimi i informacionit të përgjithshëm meteorologjik dhe hidrologjik.
Neni 9, pika 2 mes tjerash thuhet: Parashikimi zyrtar i motit dhe paralajmërimi i hershëm i fatkeqësive të mundshme natyrore me origjinë hidrometeorologjike për Republikën e Kosovës jepet nga IHMK dhe janë ekskluzivitet i IHMK-së.
Andaj çdo supjekt apo individ tjetër që bënë njoftim, parashikim apo paralajmërim për motin, fillimisht është i jashtëligjshëm e më pas jo preofesional dhe shkenctarisht i pa drejtë.
Standardet e parashikimit të motit
Standardet e parashikimit të motit përfshijnë rregullat globale të Organizats Botrore Meteorologjike (OBM) për të dhënat, terminologjinë dhe saktësisë, me besueshmri të lartë (80%+) për parashikimet afatshkurtra (1-3 ditë) dhe saktësi në rënie për periudha më të gjata, duke përdorur kode dhe kritere të standardizuara.
Shrbimet Hidrometeorologjike Nacionale janë institucionet kompetente për vrojtime dhe Paralajmërime të Hershme të motit.
Matja e elementëve kryesorë atmosferikë si temperatura, presioni, era, lagështia, reshjet dhe mbulesa e reve, duke përdorur mjete si satelitë, radarë dhe sensorë tokësor. Parashikuesit më pas i analizojnë këto kushte aktuale me modele moti dhe modele historike për të parashikuar gjendjet e ardhshme, duke lëshuar alarme (vëzhgime, paralajmërime, këshilla) bazuar në nivelet e besimit dhe pragjet specifike të rrezikut.
Saktësia e parashikimit: Përgjithësisht e lartë për 1-3 ditë (80-90%), duke rënë ndjeshëm për 5-10+ ditë (rreth 50%)
1. Parashikimi afatshkurtër
• 0–3 ditë – 72 orë (Shumë i saktë), Përdoret për motin ditor (shi, temperatura, erë dhe është standard për parashikimet publike)
2. Parashikimi afatmesëm
• 4–7 ditë (Saktësi mesatare), modelet me shkallë të gjerë të motit (vala të nxehti, fronte të ftohta) zakonisht parashikohen mirë
3. Parashikimi i zgjatur
• 8–14 ditë (Saktësi e ulët për detaje), jepen vetëm tendenca, jo kushte të sakta (p.sh. “më ngrohtë se mesatarja”)
4. Afatgjatë / përspektivë (jo parashikim i drejtpërdrejtë)
• Javë deri muaj (Bazohet në modele klimatike (El Niño, La Niña), epet si probabilitet, jo si mot.
Standard shkencor kryesor
• Për shkak se atmosfera është dinamike parashikimi i besueshëm i motit është i kufizuar në rreth 7–10 ditë.