Lajm i mirë për shoferët – bie për disa centë çmimi i naftës

Për tri ditë me radhë, nga sot, çmimet e derivateve në Kosovë do të shiten me çmime të njëjta.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, çmimi i naftës nga sot do të shitet për 1.52 euro për litër, benzina për 1.43 euro për litër dhe gazi 0.74 euro.

Në njoftim thuhet se këto çmime vlejnë edhe për të dielën dhe të hënën.

Të premten çmimi i naftës ishte 1.55 euro për litër, tre centë më shtrenjtë se sot. Benzina ishte 1.49 euro, gjashtë centë më shtrenjtë se sot.

Nafta u shtrenjtua prej kur më 28 shkurt Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli nisën luftën me Iranin, shtet që menjëherë mbylli Ngushticën e Hormuzit, e cila shfrytëzohet si rrugë detare për 20 për qind të naftës në nivel botëror.

Ky është zyrtari i lartë që merrte pagë pa shkuar fare në punë – dyshohet se i shkaktoi mbi 39 mijë euro dëm buxhetit

Një zyrtar komunal në Komunën e Kllokotit ka përfunduar nën hetim për korrupsion, nën dyshimet se për vite me radhë ka përfituar pagë nga buxheti i shtetit pa u paraqitur fare në vendin e punës.

Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Strahinja Spasic, i cili ishte i sistemuar si zyrtar në Bibliotekën Komunale të Kllokotit.

Sipas hetimeve të zhvilluara nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, janë siguruar prova dhe dokumente zyrtare që dyshohet se dëshmojnë se Spasic nuk është paraqitur fare në vendin e tij të punës, ndërsa ka vazhduar të përfitojë pagën mujore nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Hetimet kanë nxjerrë dyshime se gjatë periudhës 2019–2026, ai ka përfituar kundërligjshëm gjithsej 39 mijë e 232 euro e 21 cent, duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Kllokotit.

Për këto veprime, Spasic dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

I dyshuari është intervistuar dje në prani të avokatit të tij mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit të çështjes i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Rasti po hetohet nga organet kompetente.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.