“Je mirë, s’ke nevojë për psikiatër” – burri dyshohet se e tërhoqi zvarrë dhe e rrahu gruan
Një grua nga Fushë Kosova ka përfunduar viktimë e dhunës në familje, pasi dyshohet se u sulmua fizikisht nga bashkëshorti i saj vetëm pse kishte planifikuar të shkonte në një vizitë te psikiatri.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur pasditen e së premtes në rrugën e Uglarit, ku Policia është njoftuar për një incident brenda familjes.
Sipas deklarimit të viktimës R. M, ajo kishte pasur një termin të rregullt mjekësor te psikiatri, por bashkëshorti i saj, A. M, nuk e kishte lejuar të largohej nga banesa.
Madje, sipas dëshmisë së saj, ai e kishte tërhequr zvarrë dhe e kishte goditur me shuplaka, duke e kthyer me forcë brenda shtëpisë. Viktima ka deklaruar se gjatë incidentit i dyshuari i ishte drejtuar me fjalët: “Je mirë, nuk ke nevojë të shkosh te psikiatri”.
Pas denoncimit, Policia ka ndërmarrë veprimet hetimore dhe ka intervistuar palët e përfshira në rast.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar për Dhunë në Familje, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa A. M është dërguar në ndalim për 48 orë në Qendrën e Paraburgimit.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
