56 vjeçari nga Podujeva kapet në flagrancë me 15 vjeçaren, arrestohet nga Policia
Një rast i rëndë që përfshin një vajzë të mitur është zbuluar pas ndërhyrjes së Policisë së Kosovës në Podujevë, ku një burrë 56-vjeçar ka përfunduar në pranga nën dyshimin për sulm seksual.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e 29 majit në rrugën “Met Podujeva”, pasi Policia kishte pranuar informacion se një person i moshës madhore ndodhej në shoqëri të një vajze të mitur në afërsi të ish-“Corner Bar”.
Sipas burimeve të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin, njësitë policore kanë reaguar menjëherë dhe, me të arritur në lokacion, kanë hasur të dyshuarin G. G, 56-vjeçar, bashkë me një vajzë 15-vjeçare. Siç rezulton nga hetimi preliminar, në momentin e arritjes së Policisë në vendin e ngjarjes, zyrtarët kanë vërejtur të dy duke u përqafuar.
Pas ndërhyrjes, i dyshuari është ndaluar dhe është shoqëruar në Stacionin Policor në Podujevë, ku është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës.
Ndërkohë, e mitura me inicialet A.B. është intervistuar në cilësinë e viktimës, në praninë e përfaqësuesve të Qendrës për Punë Sociale.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Sulm seksual”, ndërsa ndaj G. G është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Hetimet janë në zhvillim dhe organet kompetente po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti.
