div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="wp-singular post-template-default single single-post postid-36150 single-format-aside custom-background wp-custom-logo wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog">
Në grupin sekret të WhatsAppit, Rozeta jep dritën e gjelbër për ofertat e grurit nga Serbia

Komunikime të reja nga WhatsAppi zbulojnë se si ish-ministrja Rozeta Hajdari miraton interesimin për ofertat e grurit nga Serbia. Biseda zhvillohet më 5 mars të vitit 2022, pak javë pasi procedura e blerjes së Rezervave Shtetërore ishte shpallur sekrete. Biseda të tjera konfirmojnë rolin kyç të sekserit Ridvan Muharremi në kontraktimin e grurit nga Turqia.

Eros Klaiqi

Biseda të reja nga grupi ku kryhej “sekreti shtetëror” i Rezervave Shtetërore në WhatsApp dëshmojnë se si ish-ministrja Rozeta Hajdari nuk kishte vija të kuqe për produktet me origjinë nga Serbia.

Përkundrazi, komunikimet tregojnë se ajo i inkurajonte vartësit e saj në Ministrinë e Tregtisë të hulumtonin tregun serb të drithit dhe të interesoheshin për çmimet e ofertat e grurit, meqë produkti në Serbi rezultonte dukshëm më i lirë sesa në Kosovë.

Komunikimi ishte zhvilluar më 5 mars të vitit 2022.


Sipas komunikimeve, çmimi i grurit në Serbi ishte më i leverdishëm sesa në tregun vendor. Gruri në Serbi kushtonte rreth 307 euro për ton, ndërsa në Kosovë çmimi sillej nga 360 deri në 370 euro.

Në një nga mesazhet, ish ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Irfan Lipovica i raporton Hajdarit për dallimin mes dy tregjeve.

“Rreth 307 në serbi dhe rreth 360-370 në kosovë por deri të hënën nuk po ofertojnë”, raporton Lipovica.

“Kush?”, interesohet Hajdari.

“Kështu na tha njëri nga tregtarët”, i përgjigjet Lipovica interesimit të shefes së vet.

Zyrtari tjetër, drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore, Hafiz Gara e njofton ministren se të dhënat ishin siguruar nga tregtarë të grurit, emrat e të cilëve përmenden në komunikime.

“Një tregtar dhe një mulli: Isa Hajdari dhe Imer Mustafa”, sqaron Gara.

Pas sqarimeve se informacioni ishte marrë nga tregtarë vendorë, Hajdari autorizon interesimin e zyrtarëve për ofertat e grurit nga Serbia.

“Mirë pra kontaktoji”, i urdhëron ajo në WhatsApp vartësit e saj të ngarkuar me procedurën sekrete.

Bisedat tregojnë gjithashtu se në të njëjtin grup diskutoheshin edhe çështje të tjera që lidhen me furnizimet për Rezervat Shtetërore.

Rreth një javë pas interesimit për ofertat nga Serbia, porosia për grurin do të kryhej me implikimin e sekserit Ridvan Muharremi, i cili luan rol kyç në lidhjen e kontratave për grurin, vajin dhe sheqerin për Rezervat Shtetërore.

Këto komunikime ishin zhvilluar mes 12 dhe 16 marsit, 2022.

Komunikimi zhvillohej vetëm mes dy zyrtarëve të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë dhe biznesmenit Ridvan Muharremi, i njohur në grup me emrin “Ridvani gruri”.

Bisedat tregojnë momentin kur Muharremi, i angazhuar në rolin e sekserit dhe me qasje të plotë në dosjen sekrete të Rezervave Shtetërore, lajmëron në grup se “gruni u kry”. Muharremi, përmes lidhjeve të tij biznesore, arrin marrëveshje me një kompani turke për blerjen e 10,000 ton grurë për Rezervat Shtetërore.

“Gruni u kry veq pagesën urgjent boneni”, i urdhëron sekseri Muharremi, zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë.

Bisedat dëshmojnë se Muharremi nuk operonte vetëm si sekser në procesin e Rezervave Shtetërore. Ai kontrollonte edhe përmbajtjen e kontratave dhe jepte udhëzime para se ato t’u dërgoheshin kompanive të kontraktuara, tregojnë komunikimet.

“Qoma kontratën mu niher ta kontrolloj ok mandej ja qojm atynve”, shkruan Muharremi në grup.

Po ashtu, nga bisedat del se Muharremi komunikonte drejtpërdrejt edhe me ministren Rozeta Hajdari.

“Unë i shkruva ministres tash”, thotë ai në një mesazh, ndërsa pak më vonë shton: “I shkruva Rozetës”.

Paparaci ka nisur të premten publikimin e një serie shkrimesh për skandalin me Rezervat Shtetërore, i cili dëshmon sesi procedura sekrete për mbushjen e Rezervave Shtetërore zhvillohej në një grup të platformës WhatsApp ku ndodheshin ish-ministrja Rozeta Hajdari, sekseri i afërt me zyrtarë qeveritarë Ridvan Muharremi dhe dy zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë.

Bisedat e siguruara nga dosja e Prokurorisë, janë tregues i qartë i keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe përfshirjes së një personi privat në një procesin sekret të Rezervave Shtetërore.

Komunikimet e zhvilluara më 5 mars, 2022:

Grupi në WhatsApp mes Rozeta Hajdarit, Irfan Lipovicës dhe Hafiz Garës.

Emërtimet në grup përfaqësojnë mënyrën origjinale të regjistrimit të kontakteve nga zyrtari i Ministrisë së Tregtisë, Hafiz Gara, ashtu siç figurojnë në telefonin e tij gjatë komunikimeve.

Irfani: Rreth 307 në serbi dhe rreth 360-370 në kosovë por deri të hënën nuk po ofertojnë

Hafiz: Dmth gruri serb deri n’Kosovë 360-370 euro

Irfani: Rreth 307 në Serbi dhe rreth 360-370 në Kosovë por, deri të hënën nuk po ofertojn

Rozeta: Kush?

Irfani: Kështu na tha njëri nga tregtarët

Hafiz: Një tregtar dhe një mulli: Isa Hajdari dhe Imer Mustafa

Rozeta: Mirë pra kontaktoji

Komunikimet e zhvilluar mes 12 dhe 17 marsit 2022:

Grupi në WhatsApp mes Irfan Lipovicës, Hafiz Garës dhe Ridvan Muharremit.

Emërtimet në grup përfaqësojnë mënyrën origjinale të regjistrimit të kontakteve nga zyrtari i Ministrisë së Tregtisë, Hafiz Gara, ashtu siç figurojnë në telefonin e tij gjatë komunikimeve. “Ridi” është emërtim i shkurtës për Ridvan Muharremin.

Hafiz: Sa litra vaj (luledielli) jan, Ridvan?

Ridi: 9000 lit.

Ridi: A ki mundësi të dhanunat e ministris me mi dërgu që me ju bo ofertën direkt për vaj

Hafiz: Po dal n’zyre, se prej shpije s’po m’ban emaili

Ridi: 400 kamiona Grun jon e 4 kamiona Vaj mos jeni gabim

Ridi: Ok 4 kamiona na qon meniher ofertën qoma ni imail Zyrtar për sheqer se na duhet të lutem sa ma shpejt ta mar ofertën

Ridi: Miremengjez Zot. Hafiz të lutem ma dërgo kërkesën Zyrtare të Grunit, Vajit dhe sheqerit po ashtu edhe kontratat në emrin e kompanis që ju kom dërgu fakturën ju lutem sa ma shpejt që të mujm sot me u ngarku

Hafiz: Mjesi Rid Sasinë e vajit e rrita në 200.000 litra jam tuj punue në kontrata, ti përcjelli sapo ti kompletoj

Ridi: Kto dy gabime jon bo në kontrat përmirësoni e qoma mu

Ridi: Hafiz a munesh kërkesën e vajit me ma dërgu Watsap se nuk po e gjej

Hafiz: Rid, na duhen edhe 200.000 litra vaj, për rezervën e DRSHM

Ridi: Ta ktheva kontratën tash fakturën po e dërgoj në euro

Ridi: Gruni u kry veq pagesën urgjent boneni

Ridi: Vaj ok 200000 litra ok osht pp vjen mrenda javës për pages net e shtyn pak edhe thuj për vaj

Hafiz: Ok, e porositëm nji draft kontratë, sot bëhet!

Ridi: Unë i shkruva ministres tash a po dërgon numrin e thesarit të lutem kush osht përgjjegjs për kos ose emrin e ti e gjej numrin unë

Ridi: I shkruva Rozetës u tranu, Spo muj me besu po thot

Hafiz: Vaji dhe sheqeri, me kontrata ndaras, apo bashk

Ridi: Bashk, si në fakturë

Hafiz: Pronari a drejtori që nënshkruan Kontratën vaj&sheqer, përcillma emrin

Ridi: Meniher, Tomasz Tokarski

Ridi: Qoma kontratën mu niher ta kontrolloj ok mandej ja qojm atynve

Hafiz: Ok, ta përcolla

Hafiz: Bukur, kontrata u finalizu, po ia përcjell Tomasit, edhe pe shtyej prokurimin

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *