Çitaku publikon një sms me të cilin Kurti iu drejtohet studentëve për 100 eurot: Mashtrim, abuzim, papërgjegjësi

Sot, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, vetëm tre ditë para balotazhit të 9 nëntorit, ka njoftuar se është bërë pagesa për grupin e parë të studentëve që janë kualifikuar si përfitues të 100 eurove.

Për këtë ka reaguar deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku. Kjo e fundit këtë veprim të qeverisë në detyrë e cilësoi si ‘’abuzim me taksat e qytetarëve’’ të Kosovës, gjë e cila po bëhet për ‘’nevojat elektorale’’ të Kurtit.

Çitaku ka deklaruar edhe se kjo gjë s’është kujdes social e as mbështetje për rininë, porse, siç ka vlerësuar ajo, është mashtrim, manipulim, papërgjegjësi dhe panik.

Në postimin e saj, deputetja Çitaku ka ndarë edhe një fotografi përmes të cilit shihet se Kurti i është drejtuar studentëve lidhur me 100 eurot e ndara për ta.

Postimi:

Ja si duket abuzimi me taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës për nevoja elektorale të Kryetarit të LVV.

Vetëm tre ditë para zgjedhjeve, me paratë e qytetarëve të varfëruar, të cilëve ua ka shtrenjtëuar rrymën për t’i shërbyer mafias energjetike, ai shpërndan nga 100 euro për studentët.

Ky nuk është as kujdes social, as mbështetje për rininë.

Është mashtrim.

Është manipulim.

Është papërgjegjësi.

Dhe mbi të gjitha, është panik.

 

Hospitalizohet Përparim Rama

Përparim Rama, kandidat për mandat të dytë për kryetar të Prishtinës është hospitalizuar ndërsa një ambulancë, siç merr vesh Nacionale, ka shkuar t’i ofrojë ndihmë mjekësore.

Kjo edhe në ditën kur Përparim Rama e ka të caktuar debatin e fundit për balotazhin e së dielës, me Hajrull Çekun e Vetëvendosjes.

Me ç’merr vesh Nacionale, Rama mund të ketë kapur grip sezonal – ndërsa ende s’dihet nëse kjo gjë do të jetë edhe pamundësim për të marrë pjesë në “Debat Plus” mbrëmjen e së enjtes.

Dalin 100 eurot e studentëve

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka njoftuar se sot është procesuar pagesa për grupin e parë të studentëve që janë kualifikuar si përfitues të shumës së njëhershme prej 100 eurove, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik, shkruan Reporteri.net.

Ai ka thënë se pjesa e mbetur e aplikuesve që plotësojnë kriteret për përfitim do të shqyrtohen dhe procesohen me grupin e dytë në ditët në vijim.

“Sot është procesuar pagesa për grupin e parë të studentëve që janë kualifikuar si përfitues të shumës së njëhershme prej 100 eurove, me rastin e fillimit të vitit të ri akademik. Janë gjithsej 49,623 studentë përfitues të të gjitha drejtimeve e institucioneve arsimore, publike e private që janë procesuar me grupin e parë. Pjesa e mbetur e aplikuesve që plotësojnë kriteret për përfitim do të shqyrtohen dhe procesohen me grupin e dytë në ditët në vijim. Me qeverinë tonë, studentët çdoherë do të kenë mbështetjen e shtetit”, ka shkruar Kurti.

Detaje të reja nga vdekja e 25-vjeçares nga Gjakova: Pati presion fizik dhe psikik nga i dashuri i saj

Gazetarja Liridona Vejseli ka thënë se Daorsa Spahiu, 25-vjeçarja nga Gjakova, që vdiq mbrëmë në Tetovë të Maqedonisë së Veriut, pati vazhdimisht presion fizik dhe psikik nga i dashuri i saj.Në emisionin “Kosova Today”  ajo ka deklaruar se dëshmitarët okularë në vendin e ngjarjes i kishin thënë asaj se vazhdimisht e ndjera kishte pasur probleme dhe se kishin dëgjuar britma nga banesa e saj.

“Fjalët e para që na thanë banorët që banonin aty, ishin se vajza në fjalë ka vuajtur dhe se ka pasur shumë britma dhe dhunë fizike, si dhe një gjendje të tensionuar fizike të sajën”.“Edhe komshinjtë tjerë që e patën afër, atë e kanë fotografuar dhe e kanë regjistruar, sepse vajza disa herë në ballkonin e banesës së saj ka qarë, ka dashur të bëjë vetëvrasje, është kthyer prapë, ka folur në telefon, ka qarë dhe ka shkruar mesazhe. Pra, rrethanat të gjithë i dinë se vajza ka pasur probleme dhe askush nuk e ka marrë guximin t’i njoftojë autoritetet”, ka thënë Vejseli.

E njëjta ka pohuar se para se të ndodhte ngjarja, vajzës i kishte rënë telefoni në një kafene.“Aty ku është banesa, në anën tjetër ka një kafiteri, ku fillimisht kishte rënë telefoni i vajzës nga banesa mbi kafiteri. Pronari e kishte marrë telefonin dhe e kishte parë duke cingërruar, ku dikush e kishte thirrur dhe i kishte thënë se telefoni është i vajzës në fjalë dhe se për gjysmë ore do të shkonin që ta merrnin telefonin”, tha Vejseli.

Vejseli tha më tutje se pronari i kafiterisë kishte pritur që të shkonin ta merrnin telefonin dhe më vonë e kishte parë policinë në vendin e ngjarjes dhe e kishte kuptuar se vajza kishte vdekur.“Në vendin e ngjarjes, policia dhe prokuroria kishin gjetur barna për gjendje të rënduar të shëndetit mendor”, ka thënë ajo.

 

Ky është i dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve në Malishevë, pronar i një auto-servisi

Astrit Isufi, pronar i një auto-servisi në Komoran të Drenasit, është i dyshuari për vrasjen e dyfishtë që ndodhi të enjten në mesditë në Golluboc të Malishevës.

Isufi, me origjinë nga Sankoci, fshat në Komunën e Gllogocit, dyshohet se vrau me armë zjarri Naim dhe Driton Morinën, dy miqtë e tij. Viktimat, sipas raportimeve të mediave, janë vëllezër me bashkëshorten e të dyshuarit.

Vrasja e dyfishtë ka ndodhur rreth orës 11:30, tha Policia e Kosovës.

“Rreth orës 11:30, Policia e Kosovës është njoftuar se dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore (vëllezër), janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë, si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në fshatin Gulluboc të Malishevës”, tha Sheremet Elezi, zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës.

I dyshuari, Astrit Isufi, ndodhet në arrati nga organet e rendit.

Portali Klan Kosova raporton se njësitet policore kanë kryer të enjten bastisje në Auto-Servis ‘Astriti’ në Komoran të Drenasit, i cili është në pronësi të të dyshuarit.

I dyshuari për vrasjen e dy vëllezërve në Malishevë, kishte qenë në burg vetëm pak muaj më parë

Një vrasje e dyfishtë ka ndodhur sot në fshatin Golluboc të Malishevës.

Dy vëllezër kanë mbetur të vrarë, ndërsa i dyshuar për rastin është dhëndri i tyre A.I.

Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se ndaj A.I ishte ngritur aktakuzë në prill të këtij viti për dy vepra penale “Dhunë në Familje” dhe “Kanosje”.

“Ndaj personit me datë 06.04.2025 është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit e cila po të njëjtit i është caktuar nga Gjykata. Poashtu me 07.04.0225 Prokuroria Themelore në Prishtinë ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit për “Dhunë familje” dhe “Kanosje”, tha zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala për Reporteri.net.

I dyshuari tashmë është identifikuar por që nuk është kapur ende nga Policia. Kërkimet intensive për të po vazhdojnë ende, me aktivizimin edhe të Njësisë K9.

Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se viktimat janë një 30-vjeçar dhe një 40 vjeçar.

Në raportin e Policisë u bë e ditur se rreth orës 11:30, viktimat u dërguan në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë, ku më pas mjekët konstatuan vdekjen e tyre.

“I vrau në prag të shtëpisë” – Ja si ndodhi vrasja e dy vëllezërve në Malishevë?

Një ngjarje e rëndë ka tronditur fshatin Gullbovc të Malishevës dhe jo vetëm. Dy vëllezër janë vrarë me armë zjarri para shtëpisë së tyre, në një kohë kur familja ende ndodhej në ditë zie për humbjen e babait.

Sinjali mësoi dy vëllëzërit që nuk i’u bënë ballë të shtënave janë Driton Morina dhe Naim Morina.

Ky është njëri nga dy vëllëzërit e vrἅrë në Gullbovc, i dyshuari ende në arrati

Siç raportoi Sinjali, i dyshuari për vrasjen është Astrit Isufi nga Sankovci i Drenasit, bashkëshorti i motres së viktimave. Ajo kishte ardhur në shtëpinë e familjes së saj për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait.

Lajmin për Sinjalin e konfirmoi edhe zëdhënësi i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta.

“Është një vrasje e dyfishtë, viktimat janë dy vëllezër, i dyshuari dhëndërr i tyre. I njohur për Policinë, nga një fshat në Drenas, për momentin është në kërkim. Arma është gjetur në vendin e ngjarjes. Motivi dyshohet për një fjalosje mes tyre”, tha Graishta.

Por, si ndodhi ngjarja?

Sot, i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë e Morinëve për ta marrë bashkëshorten. Pasi ishte larguar disa metra, është kthyer sërish dhe ka hapur zjarr ndaj Dritonit dhe Naimit, të cilët ndodheshin para oborrit. Të dy kanë ndërruar jetë në vend.

“E pamja ishte kryer para tre ditësh, por ende vinin njerëz për me ngushëllu. Ai erdhi për me e marrë gruan, u kthye dhe i vrau në prag të shtëpisë. Kjo ta këputë shpirt. Edhe babën para pak ditësh e kemi pas varrosë,” ka thënë një i afërm i familjes, për Sinjalin.

Ky është njëri nga dy vëllëzërit e vrἅrë në Gullbovc, i dyshuari ende në arrati

Dy vëllezërit e vrarë në Gullbovc të Malishevës janë Driton dhe Naim Morina, i dyshuari ende në arrati

Ngjarja tragjike që tronditi sot fshatin Gullbovc të Malishevës ka marrë përmasa të rënda, pasi viktima të saj janë dy vëllezër nga ky fshat Driton Morina dhe Naim Morina.

Sipas burimeve të IndeksOnline, dyshohet se ata u qëlluan për vdekje nga dhëndërri i tyre, Astrit Isufi, nga fshati Sankoc i Drenasit, i cili pas krimit është arratisur nga vendngjarja dhe deri më tani nuk është kapur nga policia.

Policia e Kosovës ka ndërmarrë një operacion të gjerë kërkimi për kapjen e të dyshuarit, duke angazhuar edhe njësinë speciale me qen (K9) në zonën malore ku dyshohet se mund të jetë fshehur ai.

Nga informacionet zyrtare, rasti është raportuar rreth orës 11:30, kur dy persona të gjinisë mashkullore, të moshës madhore, janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kijevë me plagë të rënda nga arma e zjarrit. Personeli mjekësor ka konstatuar vdekjen e tyre në vend.

“Njësitë policore i janë përgjigjur menjëherë rastit dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes. Është identifikuar një person i dyshuar dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit janë duke u ndërmarrë veprimet e nevojshme për arrestimin e tij”, ka deklaruar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Drejtori rajonal i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta, ka konfirmuar se motivet e para dyshohet të jenë mosmarrëveshje familjare.

Trupat e pajetë të Driton dhe Naim Morinës janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

Hetimet për këtë vrasje të dyfishtë po vazhdojnë me intensitet të lartë, ndërsa policia ka shpërndarë forca në terren për kapjen e autorit të dyshuar, Astrit Isufi. IndeksOnline ka siguruar fotografinë e njërit prje viktimave, Naim Morinës.

Përparim Rama njofton për heqjen e taksës për tokat bujqësore

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se komuna ka hequr taksën për tokat bujqësore.

Rama ka thënë se kjo është një barrë më pak për qytetarët, dhe mbështetje për pronarët e tokave.

“Kemi hequr taksën për tokat bujqësore, një barrë më pak për qytetarët, një mbështetje më shumë për pronarët e tokave dhe zhvillimin e ekonomisë lokale”, ka shkruar Rama.

“Nuk ndalemi”, tha ai.

Ky deputet konfirmon se do ta votojë Glauk Konjufcën për kryeministër

Presidentja Vjosa Osmani ka mandatuar deputetin Glauk Konjufca për formimin e Qeverisë së Kosovës, pasi Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje e ka caktuar atë ai mandatar për Kryeministër.

Në lidhje me këtë zhvillim, deputeti nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim, Artan Asllani ka deklaruar për Front Online se do ta mbështesë Glauk Konjufcën për Kryeministër.

Ai poashtu tha se ka pasur takime me të, dhe se Kosovës i duhet formimi i Qeverisë sa më shpejt.

“Po do ta mbështesë. Kemi pas takime jo vetëm pasi që është nominuar për Kryeministër, por kemi pas takime, kemi pas kontakte, unë besoj qe Kosovës i duhet një Qeveri sa më shpejt me i formu institucionet dhe ne duhet me reflektu”, tha ai.

Asllani konfirmon se ai do të japë votën e tij pro formimit të Qeverisë së re udhëhequr nga Glauk Konjufca.