Vdekja e 25-vjeçares nga Kosova në Tetovë, ishte në lidhje me djalin e një biznesmeni

Mbrëmë në orët e vona Tetova u godit nga një lajm i kobshëm.

Një vajzë e re 25-vjeçare kishte humbur jetën pasi që kishte rënë nga kati i katërt i ndërtesës ku jetonte me qira. Policia kuptoi se bëhet fjalë për një studente nga Kosova.

Me të kuptuar lajmin, në vendngjarje kishte dalë edhe prokurori kujdestar. Në raportin e tyre thuhet:

“Prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore Publike në Tetovë dje ka kryer ekspertizë në vendin ku është gjetur trupi i pajetë i një gruaje të re, si edhe në banesën me qira ku ajo kishte qëndruar. Po ndërmerren të gjitha veprimet për të hetuar shkaqet e vdekjes me kontrolle dhe ekspertiza të detajuara në vendngjarje, ndonëse të dhënat fillestare dhe gjurmët në terren nuk tregojnë se bëhet fjalë për vdekje si pasojë e një vepre penale”.

“Megjithatë, është urdhëruar obduksioni, do të merren në pyetje disa persona, ndërsa prokuroria dhe të gjitha organet hetimore po veprojnë intensivisht për të sqaruar shkaqet”, thonë nga Prokuroria.

Megjithatë, sipas informacioneve të Gazetës Express, vajza kishte qenë në një lidhje dashurie me djalin e një biznesmeni nga Maqedonia e Veriut.

Familjarët e vajzës së ndjerë i thanë Gazetës Express se vajza e tyre, tanimë e ndjerë, kohëve të fundit ka pasur mosmarrëveshje dhe probleme me të dashurin e saj nga Maqedonia e Veriut. Megjithëse ende nuk ka version zyrtar nga organet e shtetit se çfarë në të vërtetë ndodhi, pra rasti ende konstatohet si ‘vdekje e dyshimtë’.

Presidenca – Mustafës: Koha juaj në politikë, fatmirësisht ka perënduar

Shefja e stafit të presidentes, Vjosa Osmani, Learta Hollaj, i ka reaguar ish-kryeministrit Isa Mustafa, i cili deklaroi se mund të pritet ndonjë “dredhi” nga presidentja Vjosa Osmani për të mbetur në pushtet.

Mustafa e quajti Osmanin “karrieriste dhe manipulante të paskrupullt politike”. Ndërsa Hollaj, i ka cilësuar deklaratat e Mustafës si “shpërthim të hidhur”.

“Ofendimet e sulmet e Isa Mustafës ndaj Presidentes së Republikës janë një shpërthim i hidhur i një njeriu të cilit, fatmirësisht për vendin, i ka perënduar koha në politikë, por që nuk po gjen dot qetësi për ta pranuar këtë realitet”.

“Në vend që të heshtë dhe të reflektojë për dështimet e veta politike çmimin e të cilave akoma e paguan Kosova, për mënyrën se si e zhbëri besimin e qytetarëve dhe e ktheu partinë e tij në një hije të vetvetes, ai zgjedh të sulmojë një lidere që në çdo hap e ka mbrojtur demokracinë, sovranitetin dhe dinjitetin e Kosovës”, ka shkruar Hollaj, në rrjetin social ‘Facebook’.

Ajo ka vlerësuar se është më mirë të jesh “tradhtare e marrëveshjeve të pista që e kanë dëmtuar Kosovën”, sesa “simbol i politikës së nënshtrimit, heshtjes dhe humbjeve”.

Sipas saj, kur flet Mustafa për tradhti, kujtesa kolektive e qytetarëve kthehet te marrëveshjet e errëta të vitit 2014.

“Tek pazaret e pushtetit që u bënë pas shpine dhe në kundërshtim me vullnetin e votuesve e tek marrëveshjet e dëmshme me Serbinë cilat në çdo dispozitë përmbanin shkelje kushtetuese”.

Ajo ka shtuar se nuk është tradhti të mos u bindesh verbërisht liderëve si Mustafa, që “devijojnë nga parimet dhe shkelin interesat e Kosovës”.

“Deputeti nuk është robot i komanduar, por përfaqësues i popullit, i ndërgjegjes dhe i ligjit. Këtë e sanksionon edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e jo ndonjë “rregull” i politkbërjes joparimore që Isa Mustafa do ta rikthejë për ta kontrolluar politikën si dikur”.

Në fund, Hollaj ka potencuar se koha e burrave që mendojnë se populli u detyrohet atyre ka perënduar.

“Sot flasin veprat, besimi qytetar dhe vlerat që përfaqëson Presidentja e vendit. Këto janë shumëfish më të fuqishme se mllefi i një ish-politikani që e ka humbur rrugën në mes historisë dhe harresës”.

Raportet mes Presidentes Vjosa Osmani dhe ish-kryeministrit Isa Mustafa kanë qenë të tensionuara që nga marrja e detyrës nga Osmani në vitin 2021, si dhe gjatë periudhës kur ajo u largua nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Osmani ka qenë pjesë e LDK-së për disa vite dhe ka mbajtur poste të ndryshme në Kuvend dhe në institucionet shtetërore. Gjatë kësaj periudhe, ajo ka punuar nën lidershipin e Isa Mustafës.

Tragjedia në Tetovë: Kjo është 25-vjeçarja nga Kosova që u gjet e vdekur në Tetovë

Studentja, 25 vjeçare nga Kosova ka vdekur mbrëmë në Tetovë.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, nuk ka elemente të veprës penale.

Megjithatë kanë filluar hetimet.

Mediat lokale raportojnë se viktima është identifikuar si Daorsa Spahiu nga Gjakova.

Paralajmërohet shtrenjtim i ri i energjisë elektrike në Janar

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka paralajmëruar se qytetarët e Kosovës do të përballen sërish me rritje të tarifave të energjisë elektrike në janar të vitit 2026, si pasojë e tarifës së dioksidkarbonit, e cila pritet të ndikojë drejtpërdrejt në çmimin përfundimtar që paguajnë konsumatorët.

Ky paralajmërim vjen në një periudhë kur vendi po përjeton një situatë të rënduar ekonomike, pas rritjes së tarifave të energjisë elektrike prej 16.1% për të gjithë konsumatorët dhe liberalizimit të tregut të hapur energjetik, që kanë sjellë një efekt zinxhir në shtrenjtimin e pothuajse të gjitha produkteve në treg.

“Në janar do të kemi shtrenjtim sërish shkak tarifa e dioksidkarbonit….”, tha Gërxhaliu për RTV21.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm në muajin shtator çmimi i energjisë elektrike është rritur me 17.4%, ndërsa inflacioni ka arritur në 4.7%.

Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se mungesa e institucioneve legjitime, të afta për të mbikëqyrur vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në standardin e qytetarëve, ka thelluar edhe më shumë pasigurinë ekonomike.

Kushtrim Ahmeti, drejtor i Dhomës së Tregtisë, thotë se pasojat e vendimit për shtrenjtimin e energjisë dhe liberalizimin e tregut energjetik tashmë po i ndjejnë më shumë se 1300 biznese, të cilat janë detyruar të dalin në tregun e hapur.

Detaje të reja nga vdekja e 25-vjeçares nga Kosova në Tetovë, identifikohet personi i fundit që pati kontakt me të

Gazetari Nevri Ademi ka dhënë detaje të reja nga vdekja e 25-vjeçares nga Gjakova në Tetovë të Maqedonisë së Veriut.

Në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, ai ka deklaruar se është identifikuar personi i fundit me të cilin kosovarja pati kontakt.

Ademi pohoi se telefoni i vajzës është marrë nga Policia e Maqedonisë së Veriut dhe se kjo sigurisht që do të merret vesh se kush ishte personi në fjalë që e ndjera pati kontakt.

I njëjti shtoi se banorët përreth kishin pohuar se së fundmi ishin vërejtur hyrje-dalje më të shpeshta në banesën e vajzës.

Kjo është 25 vjeçarja nga Kosova qe u gjet e vdekur në Tetovë

Brahimaj: Glauk Konjufca se ka asnjë votë më shumë se 57, Osmani bëri gabim që e mandatoi

Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj ka deklaruar se mandatari për kryeministër të Kosovës, Glauk Konjufca nuk do t’i siguron votat për kryeministër të vendit.

Sipas tij, Konjufca mund t’i merr 57 vota, një votë më shumë se Kurti, por asessi 61 vota.

Derisa, ai ka kritikuar presidenten e vendit, Vjosa Osmanin duke thënë se ka mandatuar Konjufcën, pa u siguruar paraprakisht se i njëjti i ka 61 vota të sigurta në Kuvend.

Tutje, ai ka ripërsëritur qëndrimin e kësaj partie se nuk do ta votojnë kandidatin e LVV-së, Glauk Konjufcën për kryeministër.

“Kjo është për të bllokuar më shumë situatën, që nga dita e parë e deri më sot Kurti ka gjetur forma e modalitete si me e pengu e me vonu për me dal nga kjo situatë, edhe kjo është një lloj triki i Kurtit që unë po provoj, por opozita nuk po i jep votat, kështu që Aleanca dhe partitë e tjera opozitare nuk kanë votë për Glauk Konjufcën, ka mundësi që Glauku do t’i merr 57 vota një votë më shumë se deputeti Kurti, por assesi 61 vota. Mendoj që presidentja ka bërë një gabim që e ka mandatuar pa e dëshmuar se i ka 61 vota, nuk ka asnjë votë nga aleanca. Kështu që ai është i interesuar me menaxhuar me buxhetin e vitit 2026, pa pasur një parlament, pa i dhënë llogari askujt deri në pafundësi, zgjedhja më e mirë për Kosovën është me shkua në zgjedhje sa më parë”, deklaroi Brahimaj në Tëvë1.

Plagosja e zyrtarit të BE-së në Gjakovë: Çka dihet deri më tani?

Gazeta Sinjali raportoi dje ekskluzivisht për një ngjarje të rëndë ku një zyrtar i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë është dërguar me urgjencë në QKUK pas plagëve të rënda të marra me mjet të mprehtë.

Sinjali raportoi se ngjarja është evidentuar më 04.11.2025, kur fillimisht në Urgjencën e QKMF-së në Gjakovë është paraqitur një person i plagosur, i cili më pas është transferuar në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” për trajtim të mëtejmë. Për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ai më pas është transportuar në QKUK.

Nga burimet e veta, Sinjali mësoi se personi  i plagosur është identifikuar si Stefan Ilianov Sheynov, rreth 49-vjeçar, zyrtar i Zyrës së BE-së, i cili gëzon imunitet diplomatik.

Çka thanë nga QKUK-ja për gjendjen e zyrtarit evropian?

Drejtori i emergjencës, Naser Syla bëri të ditur se gjendja e tij është stabile, sipas së cilit zyrtari “është transferuar në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare për trajtim të mëtutjeshëm”.

Ndërkohë, edhe drejtori i kësaj klinike, Nazmi Kolegci njoftoi se pavarësisht plagëve të marra, gjendja e tij është stabile.

“Lëndimet janë politraumë ka lëndime në kokë, qafë dhe gjoks. Lëndime më të shpeshta që janë lëndimet në kokë, ka edhe një lëndim plagë prerëse-shpuese afër veshit të majtë, gjithashtu i ka edhe dy plagë tjera të vogla në pjesën e përparme të gjoksit dhe ka një frakturë të brinjës së tretë djathtas dhe ka një pneumotoraks, domethënë ka ajër në mushkëri që është sasia e vogël, që është duke u observuar”, ka thënë Kolgeci.

“Pra deri tani nuk kemi pasë nevojë me bë një ndërhyrje kirurgjikale, po pavarësisht gjendja është stabile këtë e observojmë dhe e presim në rast se sasia e ajit që është e futur në mushkëri rritet dhe atëherë është e nevojshme trajnimi kirurgjik. Mirëpo deri tani gjendja është stabile”, tha drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Torakale.

Kolgeci shtoi tutje se të njëjtit i janë kryer të gjitha analizat laboratorike dhe imazherike dhe normalisht që kemi konsultuar edhe kirurgun vaskular, ortopedin dhe ORL, janë fushat domethënë ku pacienti ka pësuar lëndime dhe ka pranuar ndihmë.

Reagimi i Zyrës së BE-së në Kosovë

Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ku ka thënë se janë të tronditur nga lajmi se zyrtari i tyre në Gjakovë është therur me thikë.

Zëdhënësi i kësaj zyre, Nikola Gaon, ka thënë se janë duke u zhvilluar hetime nga autoritetet.

“Jemi të shokuar nga ky lajm dhe i dëshirojmë shërim të shpejtë dhe të plotë. Hetimi është duke u zhvilluar dhe autoritetet po përcaktojnë faktet. Meqenëse është hetim aktiv, nuk jemi në gjendje të japim detaje të mëtejshme në këtë kohë”, ka thënë ai.

Po ashtu, Prokuroria Speciale ka nisur hetime lidhur me rastin.

Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Arbnora Luta, ka deklaruar se po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike.

“Në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës, Prokuroria Speciale është duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme hetimore me qëllim të zbardhjes së plotë të gjendjes faktike”, ka deklaruar Luta.

Në rast janë përfshirë njësitë hetimore të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjakovë, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”.

Hetimet po vazhdojnë.

Hasani: Kurti e ka uzurpuar pushtetin, paradite deputet e pasdite kryeministër

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që të lejon që paradite të marrësh vendime në Qeveri, e pasdite të shkosh në kuvend si deputet.

Hasani në emisionin “Konfront” në KTV, deklaroi se historia politike e kushtetuese, do ta mbajë në mend kryeministrin në detyrë Albin Kurti, si uzurpator të pushtetit.

“Jam i sigurt që historia politike dhe kushtetuese do ta rekordojë, një njeri ka uzurupuar pushtetin dhe është deputet. Paradite shkon voton ligj aty. Qeveri në detyrë është ajo që ka shkëputur çdo legjitimitet politik me parlamentin, shumë e thjeshtë është mund të pyesësh edhe në ‘chatgpt’.”

“Ky po sillet si me qenë qeveri në dorëheqje, edhe ashtu ska të drejtë. Nga Qeveria voton ligje, pasdite shkon parlament dhe voton. Ky është uzurpim. Cila Kushtetutë e lejon këtë? Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që e lejon një gjë të tillë”, deklaroi Hasani.Hasani tutje tha se me ligj “ekziston qeveri që i ka përfunduar mandati por ata nuk mbajnë edhe postin e deputetit”.

Hasani tutje tha se me ligj “ekziston qeveri që i ka përfunduar mandati por ata nuk mbajnë edhe postin e deputetit”.

 

Kjo është 25 vjeçarja nga Kosova qe u gjet e vdekur në Tetovë

Është gjetur pa shenja jete trupi i një 25-vjeçare nga Kosova, që supozohet të jetë studente në Tetovë.

Burime nga Policia bëjnë me dije për Alsat, se 25-vjeçarja që u gjet e vdekur është S.D nga Gjakova.

Portali Arbesh.info ka publikuar edhe foton e vajzës 25 vjeçare e cila humbi jetën mbrëmjen e sotme.

Rutte nga Rumania: Askush mos të guxojë të sulmojë vendet e NATO-s

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, të mërkurën u përpoq të qetësonte zërat, lidhur me tërheqjen e pjesshme të trupave amerikane nga Rumania, duke siguruar se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për mbrojtjen e krahut lindor të aleancës.

Ai tha se rregullimet në pozicionimin e forcave amerikane nuk janë të pazakonta dhe se, edhe pas këtij ndryshimi, pozicionimi i forcave amerikane në Evropë mbetet më i madh sesa ka qenë për shumë vite. “Mendoj se po bëjmë shumë bujë për këtë tërheqje”, shtoi Rutte.

SHBA-ja njoftoi javën e kaluar tërheqjen e një brigade nga Rumania dhe nuk do ta zëvendësojë, duke theksuar se kjo është një shenjë pozitive e rritjes së kapaciteteve dhe përgjegjësisë evropiane.

Megjithatë, SHBA-të vazhdojnë të mbajnë një prani të fortë në Evropë dhe aftësinë për të përmbushur angazhimet ndaj NATO-s.

Rutte gjithashtu përmendi operacionin “Eastern Sentry” dhe stërvitjen ushtarake “Dacian Fall” në Rumani dhe Bullgari, ku do të marrin pjesë rreth 5,000 trupa nga 10 vende të NATO-s, si prova që aleanca është e gatshme të mbrojë çdo centimetër të territorit të saj dhe të dërgojë shpejt forcat e nevojshme në Rumani.

Presidenti rumun Nicușor Dan tha se nuk ka shqetësime lidhur me tërheqjen e trupave amerikane dhe se operacioni dhe stërvitja tregojnë koordinimin për lëvizje të mëdha të trupave ushtarake.