div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-15 category-paged-15 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
Tragjedi në Gjermani, 3 të vdekur

Tre persona, mes tyre një nënë dhe foshnja e saj, humbën jetën tragjikisht të dielën e Pashkës pasi një pemë u rrëzua mbi një grup njerëzish që po kërkonin vezë në një pyll pranë Flensburgut, në veri të Gjermanisë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 11:00 në zonën Mittelangeln, ku për shkak të erërave të forta një pemë rreth 30 metra e lartë u rrëzua mbi ta.

Katër persona mbetën të bllokuar nën pemë. Në vendngjarje humbën jetën një 16-vjeçare dhe një 21-vjeçare, ndërsa vajza 10-muajshe e kësaj të fundit u dërgua me helikopter në spital, ku më vonë ndërroi jetë si pasojë e plagëve të rënda.

Një tjetër vajzë 18-vjeçare mbeti e plagosur rëndë dhe u transportua me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale, ndërsa disa persona të tjerë pësuan lëndime të lehta. Sipas policisë, në momentin e ngjarjes në pyll ndodheshin rreth 50 persona.

Autoritetet dyshojnë se rrëzimi i pemës është shkaktuar nga kushtet e vështira atmosferike dhe erërat e forta, por hetimet për të përcaktuar shkakun e saktë vijojnë.

Në vendngjarje ndërhynë dhjetëra forca shpëtimi, përfshirë zjarrfikës, policinë dhe një helikopter, ndërsa të pranishmëve iu ofrua ndihmë psikologjike.

Sipas mediave, mbi 80 efektivë morën pjesë në operacionin e emergjencës. Institucioni që kishte organizuar aktivitetin e përshkroi ngjarjen si një tragjedi të rëndë që tronditi komunitetin, ndërsa autoritetet gjermane shprehën ngushëllime për familjet e viktimave.

Çështja e Presidentit, Kurti “ndërrmer këtë veprim”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është duke mbajtur takim me të parin e LDK-së, Lumir Abdixhiku lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

Ndërkohë, Tëvë1 mëson se ftesë për takim KM i ka dërguar edhe PDK-së.

Burimet mësojnë se ftesën e ka pranuar Enver Hoxhaj, por sipas informacioneve nga PDK presin të mbajnë Këshillin Drejtues para çfarëdo vendimi në këtë drejtim.

Vetëm deri më 28 prill, partitë politike kanë kohë për të zgjedhur presidentin e ri. Ky afat është caktuar nga Gjykata Kushtetuese, në një veprim të kundërt, vendi shkon në zgjedhje brenda 45 ditëve.

Pozitën e ushtrueses së detyrës së presidentit tashmë e ka Albulena Haxhiu, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.

Ymeri: Për çdo litër naftë gjysma është kosto e naftës, gjysma tjetër “pjesë e qeverisë”

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri ka thënë se qeveria e Kosovës nuk po do ta ulë çmimin e naftës pasi përfiton shuma të majme nga TVSH dhe akciza.

Përmes një postimi në Facebook, Ymeri ka theksuar se për çdo litër naftë gjysma është kosto e naftës e gjysma tjetër “pjesë e qeverisë”.

“Në çdo litër naftë që ti e mbush në makinë, rreth 56 cent (apo gati gjysma e parave) shkojnë direkt në arkën e shtetit pa marr parasysh fitimin e tregtarit/naftarit”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë:

Pse nuk ulen çmimet e naftës? Llogaria e Qeverisë.

Sipas të dhënave të Doganës për muajin Mars, për kodin tarifor 2710194400 çmimi mesatar i importit ka qenë 0,77 Euro/litër.

Tash shih sa i merr Qeveria edhe pse nuk don me ul as akcizën as tvsh -në.

0.77€ kushton nafta kur hyn në kufi (importi).

+ 0.36€ shteti ia ngjet menjëherë si Akcizë.

 = 1.13€ bëhet çmimi para se me u llogarit TVSH-ja.

Tash vjen pjesa ku shteti fiton gjithashtu

Mbi vlerën 1.13€, shteti shton edhe 18% TVSH, që i bie rreth 0.20€ tjerë për çdo litër.

TOTALI: 1.33 – 1.34 Euro për litër.

Përfundimi:

Në çdo litër naftë që ti e mbush në makinë, rreth 56 cent (apo gati gjysma e parave) shkojnë direkt në arkën e shtetit pa marr parasysh fitimin e tregtarit/naftarit.

Kështu, për çdo litër, gjysma është kosto e naftës, gjysma tjetër është “pjesa e qeverisë”. A e kuptoni tash pse nuk e heqin as akcizën e as TVSH-në?

Me këto para bëhen shumë më shumë po i merr 200 Milionë Kryeministri edhe thotë unë po rishpërndaj siç ka thënë me rroga kur Trepca ka mbet pa rrogën e 13të. Nuk ka qenë rroga e 13të rishpërndarje por ka qenë episod teatral për të joshur administratën publike për votë edhe për lajme.

Pra është teatër, shoë, me para tona.

1,34 Euro/litër i kemi pas në Doganë pa marr fitimin e naftarëve kur edhe ca kilometra më larg, në Shkup ka qenë litri 1.50 komplet.

Këto janë çmimet e derivateve për sot
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se çmimet maksimale të derivateve për sot mbeten të njëjta si një ditë më parë, raporton GazetaBlic.

Sipas vendimit, nafta (dizel) do të shitet deri në 1.86 euro për litër, ndërsa benzina deri në 1.49 euro për litër.

MINTI u ka bërë thirrje operatorëve që të zbatojnë vendimin, duke paralajmëruar se çdo shkelje do të ndëshkohet sipas ligjit.

Rriten sërish çmimet e naftës

Çmimet e naftës u ngjitën në 110 dollarë për fuçi pas kërcënimeve të Donald Trump ndaj Iranit në rrjetet sociale.

Sipas të dhënave të fundit, nafta Brent u rrit fillimisht me 1.6%, duke arritur në 110.85 dollarë për fuçi, përpara se të shfaqte një lëvizje të lehtë zbritëse gjatë tregtimit në Azi. Ndërkohë, nafta amerikane regjistroi një rritje prej 0.3%, duke arritur 111.80 dollarë për fuçi.

Kjo rritje erdhi pasi Trump ushtroi më shumë presion mbi Teheranin duke kërcënuar se do të godiste urat dhe centralet energjetike të Iranit, nëse vendi nuk tërhiqej nga kërcënimi i tij kundër anijeve që përpiqen të kalojnë Ngushticën e Hormuzit, një rrugë jetike për tregtinë globale të naftës.

Ndërkohë, tregjet kryesore aziatike të aksioneve shënuan rritje. Indeksi Nikkei 225 në Japoni u rrit me 1.6%, ndërsa Kospi në Korenë e Jugut u rrit me 0.9%.

Sot pritet takimi Kurti-Abdixhiku për çështjen e presidentit

Kuvendit të Kosovës i kanë mbetur edhe 22 ditë afat për zgjedhjen e presidentit të ri në vend.

Për këtë çështje, sot krerët e partive politike do të rinisin serinë e takimeve për këtë qëllim.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti pritet të takohet sot rreth orës 11:00 me të parin e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Siç merr vesh KosovaPress, takimi do të mbahet në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka konfirmuar që Kurti dhe Abdixhiku do të takohen të hënën.

Derisa kriza institucionale po vazhdon, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka marrë të shtunën ushtrimin e detyrës së presidentes nga Vjosa Osmani.

Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë afat që deri më 28 prill të zgjedhin presidentin e ri të vendit.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e fundit të 28 dhjetorit ka fituar mbi 51 për qind të votave.

Irani i përgjigjet Trump-it pas paralajmërimit të “Ferrit” nëse nuk hapin Ngushticën e Hormuzit

Irani ka reaguar pas paralajmërimit të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili deklaroi se nëse Irani nuk e hap Ngushticën e Hormuzit, Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin masa ekstreme, duke kërcënuar madje me shkatërrimin e vendit.

Një zyrtar i lartë iranian ka deklaruar se Irani do të rihapë Ngushticën e Hormuzit vetëm pasi të marrë dëmshpërblim për dëmet e luftës. Seyyed Mehdi Tabatabaei, zëvendës për komunikimin në zyrën e presidentit iranian, tha se ky proces do të realizohet përmes një “regjimi të ri ligjor”, të bazuar në tarifa tranziti.

Në një postim në rrjetet sociale, Tabatabaei reagoi ashpër edhe ndaj deklaratave të Trump, i cili më herët gjatë ditës kërcënoi me sulme ndaj infrastrukturës civile të Iranit për shkak të mbylljes së ngushticës. Sipas tij, presidenti amerikan “ka rënë në fyerje dhe deklarata pa kuptim, si pasojë e dëshpërimit dhe zemërimit”.

Vdes aktori i njohur shqiptar

Është ndarë nga jeta në moshën 68-vjeçare aktori pogradecar Ilir Shkurti, një nga figurat e njohura të jetës artistike të qytetit.

I lindur më 30 dhjetor 1957 në Pogradec, Shkurti ishte pjesë e brezit të aktorëve që kontribuuan në skenën e humorit dhe teatrit lokal.

Ai u bë i njohur për publikun përmes interpretimeve në Estradën e Pogradecit, ku solli role humoristike dhe karakteriale që u pritën me dashuri, shkruan A2

Përveç skenës së estradës, Shkurti mori pjesë edhe në disa prodhime të kinematografisë shqiptare, mes tyre filmat “Rrethimi i vogël”, “Binarët” dhe “Ngjyrat e moshës”, duke u bërë pjesë e brezit të artistëve që kontribuuan në filmat e periudhës së Kinostudios shqiptare.

Ndarja e tij nga jeta është një humbje e madhe për jetën artistike dhe kulturore të Pogradecit. Ilir Shkurti do të kujtohet gjithmonë si një artist i talentuar dhe një shpirt i gjallë që solli buzëqeshje dhe ngrohtësi në skenën e qytetit të tij.

Zvicër: Shiti 3.1 ton mish derri si “hallall”, dënohet me burg

Në Zvicër është zbuluar një skandal në industrinë ushqimore, ku një kasap në Cyrih ka mashtruar klientët për vite me radhë duke shitur mish derri të etiketuar si mish viçi “hallall”.

Sipas raportimeve, për rreth tre vite ai ka shitur afro 3.1 ton mish, duke i paraqitur produktet si të certifikuara “hallall”, ndërkohë që në realitet bëhej fjalë për mish derri – i ndaluar për konsum nga besimtarët myslimanë.

Rasti doli në pah gjatë një kontrolli rutinë nga inspektorët e sigurisë ushqimore, të cilët vunë re mospërputhje mes produktit dhe përshkrimit të tij. Hetimet e mëtejshme konfirmuan mashtrimin, duke zbuluar se klientët kishin paguar për mish viçi, zakonisht më i shtrenjtë, ndërsa kishin marrë mish derri më të lirë.

Gjykata në Cyrih e dënoi kasapin me 6 muaj burg dhe një gjobë prej 18 mijë frangash zvicerane. Sipas prokurorisë, ai kishte përfituar shuma të konsiderueshme financiare nga ky mashtrim.

Ky rast ka ngritur shqetësime serioze mbi kontrollin dhe verifikimin e produkteve “hallall”, si dhe për nivelin e transparencës në tregun ushqimor në Zvicër.

Autoritetet kanë nisur shqyrtimin e procedurave të kontrollit për të kuptuar se si një mashtrim i tillë ka mundur të vazhdojë për një periudhë kaq të gjatë pa u zbuluar.

Ministri Gashani tregon ku pritet të ndërtohet stadiumi nacional i Kosovës

Debati për ndërtimin e stadiumit nacional në Kosovë po rikthehet fuqishëm në qendër të vëmendjes, i nxitur nga kërkesa gjithnjë e më e madhe e tifozëve dhe mungesa e kapaciteteve aktuale për t’i përballuar ato.

Interesimi masiv për ndeshjet e Kombëtares së Kosovës, ka nxjerrë në pah kufizimet serioze të stadiumit “Fadil Vokrri”, ndërsa institucionet dhe akterët e ndryshëm vazhdojnë të diskutojnë për zgjidhjen më të mirë dhe më të shpejtë për ndërtimin e një impianti të ri modern.

Në këtë kontekst, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka vënë theksin tek presioni i jashtëzakonshëm nga tifozët dhe pamundësia për t’i përmbushur kërkesat për bileta.

Ai ka nënvizuar nevojën urgjente për një stadium të ri që përmbush standardet ndërkombëtare, duke e cilësuar këtë si një domosdoshmëri të menjëhershme për futbollin kosovar.

Tash e sa vite, problemi më i madh për ndërtimin e këtij stadiumi ka qenë çështja e lokacionti se ku do të ndërtohet, me Drenasin dhe Bërrnicën në Prishtinë si dy vendet më të përfolura. Por duket se ka zhvillime të reja në këtë drejtim.

Ministri i Rinisë dhe Sportit, Blerim Gashani, në një intervistë për emisionin “SportCast” në “KosovaPress”, ka theksuar se aktualisht një nga alternativat më të realizueshme mbetet zona e Drenasit.

“Unë nuk është se loboj për një pjesë gjeografike për arsye që jam i lidhur, mirëpo do të shoh opsionet, momentalisht opsioni më real është ai për arsye që janë bërë edhe disa hapa nga Komuna e Drenasit, shumica e qytetarëve tanë kur përmendet lokacioni në komunën e Drenasit mendojnë që është diku thellë në rajonin e Drenasit”, ka thënë ai fillimisht.

“Unë jam i lindur dhe i rritur në atë pjesë dhe e di mirë atë pjesë, mirëpo duhet ta dinë që është administrativisht dhe gjeografikisht në komunën e Drenasit por është shumë afër aeroportit tonë, është pika e fundit në mes të rajonit të Drenasit dhe Fushë Kosovës në atë pjesë, kështu që është një rajon, nuk po them me këtë se po lobojë për atë rajon, për atë pjesë, mirëpo unë jam idhtarë i asaj që le ta bëjmë punën që të ndërtohet stadiumi, nuk ka rëndësi shumë a do të jetë aty apo diku tjetër sepse ekipet profesionale do të thonë punën e tyre”, shtoi ai