Arrestohen tetë persona në Graçanicë
Policia e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se tetë persona janë arrestuar në Graçanicë nën dyshimin për vepra penale që lidhen me procesin zgjedhor, shkruan Reporteri.net.
Sipas komunikatës së përbashkët, shtatë persona janë arrestuar më 19 maj 2026 për veprat penale që ndërlidhen me cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve dhe ushtrimin e presionit politik.
Ndërkaq, më 4 qershor 2026 është arrestuar edhe një person tjetër në të njëjtën komunë, nën dyshimin për marrje dhe dhënie ryshfeti në lidhje me votimin.
Policia dhe Prokuroria kanë bërë të ditur se gjatë javëve të fundit kanë trajtuar informacione të shumta që lidhen me dyshime për ndërhyrje të jashtme dhe aktivitete të kundërligjshme me qëllim të ndikimit në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor.
Sipas institucioneve, hetimet dhe monitorimi i aktiviteteve që mund të cenojnë integritetin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026 janë duke vazhduar.
Në komunikatë u bëhet thirrje qytetarëve që të ushtrojnë të drejtën e votës lirshëm dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të presionit, kërcënimit apo ndërhyrjeve të kundërligjshme në procesin zgjedhor.
Komunikata e plotë:
KOMUNIKATË E PËRBASHKËT PËR MEDIA NGA POLICIA E KOSOVËS DHE ZYRA E KRYEPROKURORIT TË SHTETIT
Prishtinë, 06 qershor 2026
Policia e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e rendit kushtetues, ligjshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor në Republikën e Kosovës.
Gjatë javëve të fundit, institucionet e zbatimit të ligjit kanë pranuar dhe trajtuar informacione të shumta që ndërlidhen me dyshime për ndërhyrje të jashtme dhe aktivitete të kundërligjshme me qëllim të ndikimit në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor. Ndërhyrjet e jashtme në zgjedhje, paraqesin kërcënim serioz për demokracinë, pavarësinë dhe vullnetin e lirë të qytetarëve.
Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, më 19 maj 2026 janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për veprat penale që ndërlidhen me cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve dhe ushtrimin e presionit politik në komunën e Graçanicës. Po ashtu, më 4 qershor 2026, në të njëjtën komunë, është arrestuar edhe një person tjetër nën dyshimin për marrje dhe dhënie të ryshfetit në lidhje me votimin.
Këto veprime dëshmojnë përpjekjet aktive për ndërhyrje në zgjedhje si dhe vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të luftuar çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë të kundërligjshme në vullnetin e lirë të votuesve.
Institucionet relevante janë duke vazhduar trajtimin e informacioneve të tjera, si dhe monitorimin e afërt të çdo aktiviteti që mund të cenojë integritetin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026.
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, gjuhe, përkatësie politike apo bindjeje personale, që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës lirshëm, pa presion, pa frikë, pa ndikime të jashtme dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të të presionit, kërcënimit apo çfarëdo forme tjetër të ndërhyrjes së kundërligjshme në procesin zgjedhor.
