Haradinaj kritikon Qeverinë: Paradite kërkojnë ekstradimin e Radoiçiqit, pasdite thonë drejtësia është e kapur

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka kritikuar Qeverinë Kurti  për sistemin aktual të drejtësisë duke thënë se është “pushtet i çuditshëm”.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook tha se “para dite Kurti thotë se Kosova është vendi më demokratik në rajon, e pasdite Kurti dhe njerëzit e tij e sulmojnë pavarësinë e drejtësisë, duke bërë edhe përpjekje për ndërhyrje te gjyqësori”.

Ai ka shkruar se logjika e këtij pushteti nuk ka kuptim për shkak se thuhen gjëra të ndryshime dhe kontradiktore.

“Para dite thotë Kurti se Kosova është vendi më demokratik në rajon, e pasdite ai dhe njerëzit e tij e sulmojnë pavarësinë e drejtësisë dhe bëjnë përpjekje të hapur për ndërhyrje te gjyqësori. Kjo lidhje me shtet demokratik nuk ka. Përnjëmend, pushtet i çuditshëm!”, shkroi Haradinaj.

“Qysh ta kuptojmë logjikën e këtij pushteti? Ka vendosur kusht të dialogut ekstradimin e Radojçiqit drejtësisë së Kosovës, e në të njëjtën kohë prej Kryeministrit, te Ministrja e Drejtësisë e tek deputetët e VV-së, krejt çka dëgjojmë është se drejtësia e Kosovës nuk është e pavarur. Dëgjojmë nga ata se opozita e kontrollon Prokurorinë, se gjyqtarët dhe prokurorët janë të kapur dhe vendimet e drejtësisë në vazhdimësi janë subjekt i interpretimeve politike të pushtetit. Nëse e bindin botën se drejtësia nuk është e pavarur, si mendojnë se dikush do t’ua ekstradojë Radojçiqin? Apo e kanë këtë kërkesë vetëm për konsum të brendshëm elektoral?”, ka shkruar Haradinaj.

Murati tha se rritja ekonomike në tremujorin e dytë 4.27%, Kurti bën këtë veprim

Ministri i Financave, Hekuran Murati, dje tha se ekonomia e vendit “ka vazhduar rritjen edhe në tremujorin e dytë të këtij viti me 4.27% në terma realë sipas ASK-së”.

Ai tha se ka performuar dukshëm mbi projeksionet për rritje prej 3.8%-3.9%.

Murati: Çmimet u ulën, bizneset dhe ekonomia e Kosovës po rriten

“Pas ngadalësimit dhe uljes së inflacionit tani në nivelin prej nën 2%, aq sa është edhe synimi i Bankës Qendrore Evropiane, bizneset dhe ekonomia e vendit po kthehen në trajektoren e rritjes më të shpejtë, aty ku edhe nisëm pas pandemisë. Ky është sinjal që politikat e qeverisë sonë për mbështetje të bujqve, për mbështetje të bizneseve prodhuese, dhe masave mbështetëse të punësimit po funksionojnë”, tha ministri dje.

Sot kësaj deklarate i ka bërë jehonë kryeministri Albin Kurti, duke thënë se ishte “përtej projeksioneve”.

“Rritja ekonomike e qëndrueshme po vazhdon edhe në tre mujorin e dytë të vitit, madje përtej projeksioneve fillestare. Masat tona të punësimit, mbështetja për bizneset dhe prodhuesit vendorë, qeverisja e mirë dhe stabiliteti institucional janë shtyllat tona të zhvillimit”, shkroi Kurti,

Vazhdon të bie çmimi i druve, ja sa kushton një metër

Nga 60-65 euro sa shitej vitin e kaluar, çmimi i një metri dru në tregun kosovar ka rënë në 45-50 euro, bëjnë të ditur shitësit e drurit për ngrohje për portalin Front Online.

“45 euro po shkon një metër dru, në disa raste shitet edhe pak më shtrenjtë”, thotë një shitës i drurit në tregun e Prishtinës, i cili nuk dëshiron të flas me emër.

Ndërsa një shitës nga Komuna e Lipjanit thotë për Front Online se çmimi i një metri dru fillon me 45 euro dhe shkon deri në 55 euro.

Përpos drurit, rënie e çmimit vërehet edhe tek peleti, ku një ton sivjet po shitet prej 120 e deri në 200 euro, përderisa vitet e fundit shitej 550 deri në 600 euro.

Nga kompania ‘Ilko Pelet’, deklaruan për “Front Online” se toni i peletit po kushton aktualisht 120 euro.

“Këtë vit një ton pelet kushton 120 euro”.

Ndërsa nga “Kompania Gorenje” e cila bënë shitjen e peletit kanë treguar për “Front Online” çmimet.

“Nëse i bënë blerjet 2 ton, çmimi për ton është 220 euro, nëse i blenë3 ton ose më shumë 200 euro çmimi për ton”, thuhet në përgjigjen e tyre për Front Online.

Çmimi i lëndëve djegëse për ngrohje sivjet ka rënë dukshëm për shkak se interesimi i qytetarëve është që ngrohjen gjatë sezonit të dimrit ta bëjnë nëpërmjet paisjeve elektrike efiçiente, të cilat edhe sivjet po subvencionohen nga Qeveria e Kosovës.

Më 12 shtator 2024, Ministria e Ekonomisë ka lansuar thirrjen publike për mbështetje për konsumatorët familjarë për investimin në pajisje efiçiente për ngrohje. Masa për mbështetje për familje për pajisje efiçiente për ngrohje parasheh subvencionimin deri në 70% për kaldaja me biomasë(dru, pelet, briket), 40% për klima efiçiente dhe 30% për pompat termike./Front Online/

Kurti: Rritja ekonomike po vazhdon përtej projeksioneve fillestare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shpërndarë shkrimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati i cili ka thënë se ekonomia e vendit ka vazhduar me rritje edhe në tremujorin e dytë të vitit, ku sipas tij, rritja shënohet me 4.27 për qind.

Duke e mbështetur këtë, Kurti u shpreh se kjo po ndodh madje edhe projeksioneve fillestare.

“Masat tona të punësimit, mbështetja për bizneset dhe prodhuesit vendorë, qeverisja e mirë dhe stabiliteti institucional janë shtyllat tona të zhvillimit”, ka shkruar tutje Kurti.

Postimi i plotë:

Rritja ekonomike e qëndrueshme po vazhdon edhe në tre mujorin e dytë të vitit, madje përtej projeksioneve fillestare. Masat tona të punësimit, mbështetja për bizneset dhe prodhuesit vendorë, qeverisja e mirë dhe stabiliteti institucional janë shtyllat tona të zhvillimit.

Lutjet e babait i cili me lot në sy kërkon ndihmë për vajzën e cila vuan nga një sëmundje e rëndë (VIDEO)

Xhelal Smajli, po kërkon ndihmë nga qytetarët, pasi vajza e tij ka probleme të shumta shëndetësore.

Gjendja jo mirë ekonomike ka bërë që ai të kërkojë ndihmë.

Me lot në sy babai i saj flet për vështirësitë.

Kush do të ndihmojë këtë familje ky është numri kontaktues: 049-475-084./indeksonline/

Për më shumë ndiqni videon duke klikuar këtu.

Sot i jepet lamtumira e fundit 45-vjeçarit që u qëllua për vdekje dje

Sot bëhet varrimi i mitrovicasit, Florim Zeqiri i cili ndërroi jetë dje pasi u qëllua 6 plumba në shpine.

Varrimi i tij do të bëhet në varrezat e fshatit Vinarc i Poshtëm në ora 16:00, shkruan lajmi.net.

Ndërkaq kujtojmë se një incident i rëndë u shënua mëngjesin djeshëm në qytetin e Mitrovicës, ku në rrugën “Fatime Hetemi”, për motive akoma të panjohura, një person u qëllua me armë zjarri. I plagosuri ishte dërguar tashmë në QKUK, por pas plagëve të marra ndërroj jetë./Lajmi.net/

Dje dolën në shitje nëpër botë, mbrëmë u konfiskuan tetë iPhone 16 në Aeroportin e Prishtinës

Dogana e Kosovës ka konfiskuar tetë iPhone 16 në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Dogana njofton se ndaj personave të përfshirë janë inicuar procedurat kundërvajtëse

“Mbrëmë oficerët doganorë në Aeroport, në kuadër të zbatimit të planit operativ për luftimin e kontrabandës, kanë realizuar me sukses disa operacione të rëndësishme. Në dy raste të veçanta, janë parandaluar përpjekjet për kontrabandimin e tetë (telefonave të rinj **iPhone 16**, të sapo dalë në treg për shitje. Të gjitha pajisjet janë konfiskuar. Ndaj personave të përfshirë janë inicuar procedurat kundërvajtëse në përputhje me ligjet në fuqi”, thuhet në njoftim.

Ky është moti për sot

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të shtunën do të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët.

“Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 17-21 gradë Celsius”, thuhet në njoftim.

Do të fryjë erë kryesisht nga drejtimi i verilindjes me shpejtësi 1-3m/s.

E dhimbshme: Ky është personi që u gjet pa shenja jete në një kafeteri

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të premten në Obiliq, ku një person ka humbur jetën derisa po qëndronte në një kafeteri. Shkaqet e vdekjes nuk dihen ende, ndërsa rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia, raporton Sinjali.

Sinjali mëson se viktima është Gani Makovci nga fshati Millloshevë.

Sipas informacioneve të para, derisa i moshuari ndodhej në lokal, papritmas i është përkeqësuar gjendja.

Nga kafeteria kanë kërkuar ndihmë dhe ekipi mjekësor ka dalë në vendin e ngjarjes, por fatkeqësisht vetëm e kanë konstatuar se i moshuari ishte pa shenja jete.

Në vendngjarje kanë intervenuar edhe njësitet policore, të cilët kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme në lidhje me këtë rast.

Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

Ndërkaq, familjarët kanë njoftuar se i ndjeri do të varroset sot në orën 17:00.

Ja kur pritet të përfundojë gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK, flasin nga Specialja

Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Michael Doyle, ka thënë se Prokuroria pritet t’i thërrasë të gjithë dëshmitarët e saj ndaj ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, deri në prillin e vitit të ardhshëm.

Doyle ka thënë se në rastin kundrejt Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, deri më tani 85 dëshmitarë kanë dëshmuar, ose në sallën e gjyqit ose përmes një video-lidhjeje, dhe 69 të tjerë me formë shkrimi.

Ai tutje ka deklaruar se pas dëshmitareve të Prokurorisë, Mbrojtja do të fillojë t’i thërrasë dëshmitarët e saj, sipas tij, dikur në vitin e ardhshëm.

“Në rastin kundrejt Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, Prokuroria është duke paraqitur e saj rast e duke thirrur dëshmitarët e saj. Prokuroria ka thënë se synojnë t’i thërrasin dëshmitarët e tyre deri në prill të vitit 2025. Pra, ne jemi në mes të këtij procesi. 85 dëshmitarë kanë dëshmuar, ose në sallën e gjyqit ose përmes një video-lidhjeje , dhe 69 të tjerë kanë dëshmuar vetëm në një me formë shkrimi. Kështu që, pasi Prokuroria të përfundojë paraqitjen e rastit të saj, Mbrojtja do ta këtë mundësinë për të kundërshtuar rastin. Presim që dikur vitin e ardhshëm, Mbrojtja të fillojë t’i thërrasë dëshmitarët e saj”.

Doyle ka shtuar se një ndër prioritetet e gjykatësve është përshpejtimi i procesit gjykues, ndërsa ka thënë se zvogëlimi i listës së dëshmitarëvë të Porkurorisë, për disa herë tashmë, është pozitiv për procesin.

“Një prej punëve kryesore të trupit gjykues është që procedurat janë të drejta dhe të shpejta. Kjo përfshin edhe dhënien e afateve kohore, për të cilat Prokuroria ka thënë se ju nevojitet kohë deri në prill të vitit 2025. Gjyqtarët po mundohem që gjykimi të përshpejtohet dhe duke i kërkuar Prokurorisë që ta shpejtojnë rastin sa më shumë që është e mundur, prandaj ka edhe zvogëlim të numrit të dëshmitarëve”, ka thënë ai.

Tutje, ai ka thënë se njerëzit ta kuptojnë se Dhomat të Specializuara të Kosovës në Hagë janë krijuar për krimet e akuzuara brenda juridiksionit, si pjesë e sundimit të ligjit të Kosovës, ku ka disa pika kontrolli dhe balanci.

Si dëshmi për këtë, ai e ka marrë apelin e Pjetër Shalës dhe Salih Mustafës. Siç ka thënë ai për Ekonomia Online, në rastin e Mustafës, të cilit i’u zbrit dënimi nga 26 në 15 vjet, “e kemi parë se sistemi i gjykimit këtu është i njëjtë si me atë të Kosovës”

“Në rastin e Pjetër Shalës, i cili është dënuar për krime lufte arbitrare, torture dhe vrasje, dhe i dënuar me 18 vjet burgim, dënim të cilin e ka apeluar. Shala është dënuar për disa ngjarje në një fabrikë metalesh në Kukës të Shqipërisë, për tortura dhe vrasje, në një qendër paraburgimi, kundër shqiptarëve dhe serbëve që kanë dalë kundër UCK-së. Ky është verdikti i parë, të cilin ai e ka apeluar”.

“Fokusi është që njerëzit ta kuptojnë se Dhomat të Specializuara të Kosovës në Hagë janë krijuar për krimet e akuzuara brenda juridiksionit, si pjesë e sundimit të ligjit të Kosovës. Pra, mënyra se si funksionon është se Prokuroria​ sjell akuzat kundër dikujt për lufte krime, krime kundër njerëzimi apo ndërhyrje dëshmitare dhe pastaj gjyqtarët kanë fokusi të sigurojnë një gjykim të paanshëm dhe të drejtë”.

“E pamë në rastin e Salih Mustafës, se sistemi i gjykimit këtu është i njëjtë si me atë të Kosovës, ku ka disa pika kontrolli dhe balanci. Në rastin e Mustafës, trupi gjykues i ka shqiptuar një dënim prej 26 vjetësh burgim, pastaj në apel u tha se ky dënim nuk është në përputhje me dënimet e llojit të njëjtë dhe dënimi u ul në 22 vjet. Pas një apelimi tjetër në Gjykatës Supreme, u gjet se Dhoma e Apelit e kishte anashkaluar një hap në arritjen e vendimit të tyre që duhej të konsideronin një dënim më të butë. Tani, Mustafës i është dhënë një dënim edhe më i vogël, prej 15 vjetësh. Kështu që mendoj se ​është vërtetë e rëndësishme për t’u theksuar se gjyqtarët janë aty për të marrë çështjet që vijnë nga Prokuroria dhe të sigurojnë gjykime të drejta”, ka përfunduar Doyle.