Drejtoria për Arsim në Komunën e Fushë Kosovës ka njoftuar se fillimi i gjysmëvjetorit të dytë është shtyrë deri më 19.01.2026.
Sipas njoftimit zyrtar, ky vendim është marrë si pasojë e gjendjes aktuale të krijuar nga kushtet atmosferike, ku reshjet e shiut dhe borës kanë vështirësuar qarkullimin, si dhe për shkak të problemeve me sigurimin e ngrohjes në disa institucione arsimore.
DKA ka vlerësuar se aktualisht nuk janë krijuar kushtet minimale për zhvillimin normal të procesit mësimor.
Vendimi është marrë me qëllim të garantimit të sigurisë së nxënësve dhe stafit arsimor, si dhe për të siguruar mbarëvajtjen e rregullt të procesit arsimor.
Drejtuesit e institucioneve arsimore janë lutur që të njoftojnë me kohë stafin mësimdhënës dhe prindërit për këtë vendim, ndërsa për çdo informatë shtesë, publiku do të njoftohet përmes kanaleve zyrtare.
Altin Meçaj, banues në Vjosë, emigrant në Gjermani , është bërë prehë e një sulmi të dhunshëm mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:00, pasi ka bërë një koment në mesenger, një bashkëfshatareje, motra e një punonjësi policie të zonës.
Ai rrëfen momentet e tmerrit, ndërsa kërkon drejtësi.
“Mbrëmë në orën 11 të natës kam arritur në shtëpi. Kur isha te lokali i fshatit më kishte ardhur një mesazh kërcënues për një “like”. Mesazhi më erdhi nga një bashkëfshatari im që ai sot është komandant me forcat RENEA në Fier. Like i bëra motrës së tij në Facebook. Në 11 që kam arritur në shtëpi, janë fikur dritat vetëm të shtëpisë time dhe unë jam thirrur në emër që të dal jashtë. Porta e madhe me portën e shtëpisë janë në një distancë prej 50-60 metra.
Ai ishte tek porta e shtëpisë, jo tek porta e madhe. Unë dola se mendova se ishte vëllai. Mesazhi thoshte që nuk e di se me kë je mpleksur. Unë dal në derë dhe aty më qëllon direkt dhe më përsërit ato të mesazhit. Ishin të paktën 3 persona. Më kanë qëlluar pa mëshirë dhe më kanë rrëzuar përtokë pa ndjenja. Nëse unë jam gabim për një like apo koment ka dhe falje. Port ë arrijë deri në këtë gjendje sat ë më bëjë mua për spital. Qëlluan edhe babanë, sapo doli jashtë.
Unë kam punuar në shtëpinë e tyre, kemi pasur marrëdhënie të mira. Fredi Astrit Lamaj e ka emrin. Më that ë njëjtat gjëra si në mesazh. Unë kam rënë pa ndjenja dhe kur u përmenda e ash veten në ambulancë. Unë kërkoj që kjo mos përsëritet më dhe dua të drejtën time, më është shkelur prona.
Telefoni im është marrë me vete, unë atë telefon nuk e gjej. Sot ka vajtur edhe policia atje po e kërkon, por nuk po e gjen. E logjikshme është që e kanë marrë këta”, tha Altin Meçaj
Ndërkohë , babai i tij 80- vjeçar, Ylli Meçaj tregon se si e ka gjetur të birin të mbuluar me gjak dhe pa ndjenja, ndërsa thekson se kurrë më parë në fshat nuk kanë patur kontradita me askënd.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, ka njoftuar se pas reshjeve rekorde që e kanë përfshirë pothuajse të gjithë territorin e vendit, situata meteorologjike është stabilizuar sa i përket reshjeve.
Sipas parashikimit të motit nga IHMK-ja, java nis me depërtimin e masave të ftohta ajrore, të cilat do të përfshijnë gjithë territorin e Kosovës, duke shkaktuar rënie të ndjeshme të temperaturave.
Temperaturat minimale gjatë mëngjeseve pritet të zbresin deri në -12 gradë Celsius, derisa maksimalet e ditës parashihet të jenë deri në 7 gradë Celsius.
Era do të fryjë kryesisht nga veriperëndimi dhe juglindja, e lehtë deri mesatare. Mëngjeset do të jenë të ftohta me ngrica, ndërsa vende-vende pritet të ketë edhe mjegull.
Tutje, ky institut, ka kërkuar kujdes të shtuar për pjesëmarrësit në trafik.
Të hënën parashihet mot kryesisht i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale do të sillen nga -11 deri në -8, ndërkaq maksimalet -5 deri në -1.
Të martën do të mbajë mot kryesisht i vranët me temperatura minimale -12 deri në -7 ndërkaq maksimalet -2 deri në 2 gradë celsius.
Të mërkurën parashihet mot kryesisht i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale do të sillen nga -5 deri në -2 ndërkaq maksimalet 1-5 gradë celsius.
Të enjten do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale do të jenë -5 deri në -1 ndërkaq maksimalet 3-7 gradë celsius.
Kurse, të premten, do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Temperaturat minimal do të shkojnë në -5, maksimalet në 7 gradë celsius.
Kuota gjinore i ka lënë pa ulëse në Kuvend 5 burra, prej tyre 2 kandidatë nga lista e Partisë Demokratike të Kosovës, një nga lista e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, një nga Lista Serbe dhe një nga KDTP-ja.
Te Partia Demokratike e Kosovës jashtë Kuvendit si pasojë e kuotës gjinore kanë mbetur deputetët Bekim Haxhiu, Hajdar Beqa. Në vend të tyre në Kuvend do të jenë Ariana Musliu-Shoshi dhe Arbënore Salihu.
Ariana Musliu-Shoshi dhe Arbënore Salihu në vend të Bekim Haxhiut dhe Hajdar Beqës
Edhe te AAK-ja Albana Bytyqi ka hyrë në Kuvend me kuotë, edhe pse Agim Çeku, Burim Ramadani, Arbër Tolaj, Lahi Brahimaj dhe Pal Lekaj, kanë vota më shumë se ajo.
Albana Bytyqi në vend të Agim Çekut
Edhe te Lista Serbe Verica Çeraniq ka hyrë në Kuvend edhe pse ka më pak vota se Branislav Nikoliq.
Te partia turke KDTP që ka siguruar dy vende në Kuvend, Fatma Taçi është zgjedhur deputete edhe pse ka më pak vota se Ergul Mazrek.
Te Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës asnjë deputete nuk ka hyrë në Kuvend me kuotë gjinore.
Kuota gjinore 30% për përfaqësimin e grave në Parlamentin e Kosovës u vendos për herë të parë nga UNMIK-u në vitin 2000 përmes një rregulloreje që kërkonte që të paktën 30% e kandidatëve në listat zgjedhore të ishin gra. Kjo masë u aplikua në zgjedhjet pasluftës dhe ishte një prej mekanizmave fillestarë për të rritur pjesëmarrjen e grave në politikë në nivelet qendrore dhe lokale.
Më tej, Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i miratuar në vitin 2008 përfshiu përcaktimin e kuotës gjinore prej 30% në listat zgjedhore, dhe institucionalizuar kështu këtë kuotë në sistemin zgjedhor të Kosovës.
Në vitin 2010, ligji u përforcua me amendamente që sqarojnë vendosjen e kuotës dhe mekanizmat e zbatimit, duke siguruar që të paktën 30% e atyre që zgjidhen nga listat të jenë të gjinisë së nën-përfaqësuar, përmes riorganizimit të listave në rast të nevojës.
Nxënësit e shkollës “Mihal Grameno” në Fushë Kosovë, nuk do të fillojnë nesër procesin e mësimit.
Klasat 6 deri 9, do të fillojnë gjysmëvjetorin e dytë më vonë, për shkak të mungesës së ngrohjes qendrore dhe temperaturave të ulëta.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Komunale të Arsimit në Fushë Kosovë, mësimi do të shtyhet deri më 19 janar 2026.
“Vendimi është marrë për të garantuar kushte më të sigurta dhe më të rehatshme për nxënësit dhe mësimdhënësit”, është bërë e ditur në njoftimin e shkollës.
Shkolla ka falënderuar prindërit, nxënësit dhe stafin për mirëkuptim dhe bashkëpunim gjatë kësaj periudhe.
Kujtojmë se fillimi i procesit mësimor ishte planifikuar të niste më 8 janar, por për shkak të vërshimeve pas reshjeve MASHTI mori vendim për shtyrje deri më 12 janar.
Shkolla “Emin Duraku” në Prishtinë është e gatshme për fillimin gjysmëvjetorit të dytë, i cili nuk filloi siç ishte parashikuar për shkak të reshjeve të mëdha të shiut disa zona të Kosovës.
Drejtori i Shkollës së Mesme të Ulët “Emin Duraku”, Visar Osmani, për Ekonomia Online ka thënë se do të gjejnë mënyra për t’i kompensuar orët e humbura.
“I bie ditën e enjte dhe ditën e premte e kanë humbur, data shtatë dhe tetë, nesër fillon procesi mësimor, ne jemi të gatshëm, mezi presim t’i presim fëmijët që të kthehen në bankën shkollore dhe të fillojmë me punën. Për shkak të motit të ligë ne kemi marrë njoftimin nga Ministria e Arsimit, mendoj që ka qenë e arsyeshme sepse kushtet atmosferike në mbarë vendin kanë qenë jashtëzakonisht të vështira. Mendoj që do të gjejmë formë që t’i kompensojmë, do të gjejmë formë, mbi të gjitha është siguria e fëmijëve tanë, por ditë të tjera presim një njoftim zyrtar për periudhën e dytë që i bie pas pushimit pranveror të gjinden forma dhe padyshim që këto ditë duhet të kompensohen pa asnjë lloj problemi”, tha Osmani.
Ndonëse zona e Prishtinës ka qenë më e qetë, megjithatë Osmani vlerëson të duhur vendimin e Ministrisë së Arsimit për të shtyrë nisjen gjysmëvjetorit të dytë.
“Meqenëse edhe vet jam prind, mendoj që ka qenë një veprim i duhur, qendra e Prishtinës është më e mirëmbajtur, por pjesët tjera të Kosovës e keni parë edhe vet se në çfarë gjendje ka qenë kaotike dhe ka qenë e pakuptimtë që të fillojë procesi mësimor”, ka theksuar ai.
Sipas Osmanit, thotë se shkolla ka bërë të gjitha përgatitjet për të filluar procesi mësimor.
“Shkolla është e gatshme, ka qenë prej momentit që ne jemi lëshuar në gjysmëvjetorin e parë, të gjitha përgatitjet i kemi kryer, pastaj punëtorët kanë kaluar në pushim të stafit teknik disa ditë për festa dhe prej datës katër janar vetëm që të gjithë kemi qenë të angazhuar që procesi mësimor të na gjejë të përgatitur si gjithmonë në vitet paraprake. Zakonisht nga praktika është mirë të kompensohet me orë sepse dita e vikendit nuk praktikohet vitet e fundit t’u merret fëmijëve, por edhe stafit mësimor, por do të gjinden forma brenda javëve dhe ditëve të punës përmes lëndëve mësimore të bëhet zëvendësimi i orëve të humbura. Presim njoftim të detajuar çfarëdo që vjen nga drejtoria komunale e arsimit”, përfundoi drejtori.
Ndërkohë që Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kukturës (SBAShK) pati reaguar duke thënë se procesi mësimor nuk do të fillojë pa kushte të sigurta për punë dhe mësim.
“SBASHK-u nuk do të lejojë kthimin në procesin mësimor pa u garantuar kushte të sigurta pune dhe mësimi. Nëse institucionet përgjegjëse dështojnë të veprojnë me kohë dhe seriozitet, SBASHK-u do të ndërmarrë veprime sindikale, në mbrojtje të jetës, shëndetit dhe dinjitetit të anëtarësisë së saj. Siguria nuk negociohet. SBASHK-u – në mbrojtje të punëtorëve të arsimit”, thuhet në reagimin e SBAShK-ut.
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pritet të jetë një nga emrat kryesorë për postin e kryetarit të ardhshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Burime ndërkombëtare i kanë bërë të ditur Arbresh.info se Hoti gëzon një mbështetje të konsiderueshme jo vetëm brenda strukturave të LDK-së, por edhe nga qarqe republikane në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë rrethin politik të afërt me presidentin aktual amerikan, Donald Trump.
Zgjedhja e Hotit në krye të LDK-së do të mund të shënonte një ringjallje të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kujtojmë se më 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Avdullah Hoti, nënshkroi marrëveshjen për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në prani të presidentit amerikan të asaj kohe, Donald Trump.
Një nga pikat kyçe të kësaj marrëveshjeje ishte angazhimi për zhvillimin ekonomik, investimet amerikane në Kosovë, ndërtimin e infrastrukturës, si dhe forcimin e marrëdhënieve strategjike Kosovë–SHBA. Marrëveshja u konsiderua nga administrata Trump si një sukses diplomatik dhe një hap konkret drejt stabilitetit në rajon.
Ndryshe, kjo lëvizje brenda LDK-së vjen pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, ku LDK-ja, nën udhëheqjen e Lumir Abdixhikut, shënoi rënie.
Menjëherë pas kësaj, Abdixhiku ka bërë të ditur se do të mbledhë kryesinë e partisë./Arbresh.info/
Paraditen e së dielës, një person mbeti i plagosur në rrugën “Adem Jashari” në Pejë.
Gazeta Online Reporteri.net merr vesh se i plagosuri është biznesmeni, Jeton Buquku.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova tha për Gazetën Online Reporteri.net, se fillimisht viktima ishte dërguar në Spitalin e Pejës, e më pas në QKUK në Prishtinë, për shkak të plagëve të marra.
Ndërkohë, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, dhe policia është në kërkim të tyre.
“Sot rreth orës 09:55, Policia është njoftuar se në rrugën “Adem Jashari” në Pejë, ka ndodhur një rast plagosje me armë zjarri, Policia menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes, personi i plagosur është dërguar në emergjencën e spitalit në Pejë, dhe për shkak të natyrës së lëndimeve dërgohet në QKUK në Prishtinë”, ka deklaruar Rugova për Reporteri.net.
Nga Prokuroria Themelore në Pejë kanë thënë për Gazetën Online Reporteri.net se po punohet për identifikimin e personave të dyshuar.
“Prokurori i Krimeve të Rënda ka dal në vendin e ngjarjes bashkë edhe me policinë dhe njësite tjera relevante dhe po punohet intensivisht për ndërmarrjen e veprimeve hetimore për identifikimin e personave të dyshuar”, tha zëdhënësi i kësaj prokurorie për Reporteri.net, Shkodran Nikçi.