Zeka: Serbët po heshtin sepse e kanë kuptuar që ëndrrat e tyre po i realizon Albin Kurti

Gazetari Milaim Zeka ka komentuar zhvillimet e fundit në veri. 

“Serbët po heshtin sepse e kanë kuptuar që ëndrrat e tyre po i realizon Albin Kurti”, shkroi ai.

Postimi:

Heshtja serbe ne veri, nje parakiamet per Kosoven

Ata po heshtin. Asnje reagim. Ata e kane kuptuar se enderrat e tyre po ua realizon Albin Kurti. Ata, pra serbet, po e degjojne baben e tyre, Dobrica Qosiqin, i cili tha: -Ne e rifitojme Kosoven vetem kur lideret e saje armiqrsohen me Ameriken. Te tjeret gati ishin. Reagoi edhe nxitesi kryesor i aventurave te Albinit, ambasadori gjerman, i cili çdo jave i jepte infuzion kryeministrit foshnjor qe te vazhdonte me politikat konfliktuale karshi perendimit.

Po i shohe disa qe po tallen me pjesetaret e KFOR-it. Mos ua zini per te madhe. Te tillet tallen edhe me nenat e tyre.

Krejte ne funde, mbreme me rastisi te degjoja nje ”analize” te nje mergimtari, i cili e nxirrte Francen komplet ne anen e Serbise. Zot ruana prej mendimeve te tilla talebane. Franca eshte djepi i bombardimeve ndaje Serbise. Askush ma shume nuk e ka mbeshtetur Rugoven se sa Franca, me perjashtim te SHBA-ve.

Nuk ja vlene mu zgjate me shume. Te kthehemi tek Baba Albin, qe duke i testuar kembet e ures te Ibrit, ka shkaterruar urat shekullore me prendimin, ato qe jane ndertuar me munde dhe sakrifica…!!!

Kika: Me besim në Zot fitoren e kam të padiskutusheme

Kryetari i Partisë Demokratike të Unitetit (PDU) Kreshnik Husaj  ka thënë për Gazetën Neutral se Kosoves i nevojitet një rindërtim i politikës.

Ai tha që  me fitoren e tij si Kryeministër veprimin e parë që do të ndërmerr do të jëtë angazhimi me Serbinë, shkruan Gazeta Neutral.

“Me fitoren time si kualicion PDU-Balli Kombit do mundohem menjëher të sjell platformën time politike të qkapjes së shtetit nga politika gjë të cilën po e vuan shumë qytetari.

“Kosova ka nevojë për një rindertim të politikes duke sjell fryma me opinione të kjarta. Veprimi i parë që do të bëj është angazhimi im i drejtpërdrejtë në bisedime me Serbinë caktimi i kufijëve të përherëshme , domethanë gjë e mirë të dihet kufiri dhe zbatimi i marrëveshjeve në të kundërtën të lëshohen vijat e kuqe të panegociushme me Serbinë”, tha ai.

Sipas tij  deri më tani në Kosovë nuk ka qenë asgjë në rregull.

Husaj shtoi se  do të luftojë për pozitën e Kryeministrit, dhe që nuk sheh ndonjë rivalë.

“Në Kosovë nuk ka asgjë  në regullë duke përfshirë nga familja e deri te politika kjo ndodhë me qeverisjet shizofrenale që i kanë bërë  këtij shteti. Unë do luftojë për poziten e Kryeministrit, pozitat tjera nuk hyjnë në agjenden time politike, rivalet e mi janë letra të djegura politikishtë që historia do i ndëshkon siq po i ndëshkon disa”, tha Husaj.

Ai ka shprehur bindjen e tij që do të fitoj në zgjedhjet parlamentare.

“Nuk vuaj për pragun zgjedhor , por synoj pushtetin qendrorë, andaj me besim në Zot fitoren e kam të padiskutusheme”- shtoi ndër të tjerash Husaj.

Aksioni i fundit në veri, vjen reagimi edhe nga NATO

Aleanca e NATO-s është shprehur e zhgënjyer me aksionet e fundit në veri të Kosovës, ku janë mbyllur disa komuna paralele serbe.

Në një reagim zedhenjesa e NATO-s, Farah Dakhlallah ka thënë se aksioni ishte i pakoordinuar edhe pse Qeveria i kishte premtuar se do të koordinohej me ta.

NATO ka ripërsëritur se duhet angazhim i plot në dialog.

“Shumë i zhgënjyer nga aksionet e djeshme në veri të Kosovës të cilat nuk ishin të koordinuara me KFOR-in pavarësisht premtimeve të përsëritura për ta bërë këtë. KFOR-i është plotësisht i përgatitur për të mbështetur mandatin e tij të OKB-së Rezoluta 1244 për të gjitha komunitetet në Kosovë. Duhet de-përshkallëzimi dhe angazhimi i plotë në Dialogun e BE-së”, thuhet në reagim.

Vuçiç mohon se ka raporte të ngushta me Putinin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka mohuar se ka raporte të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin. Ai po ashtu hodhi poshtë idenë se kandidatura e shtetit të tij për anëtarësim në Bashkimin Evropian ishte një “Kali i Trojës” për Moskën, pavarësisht se shteti i tij ka refuzuar t’iu bashkohet sanksioneve evropiane për shkak të pushtimit rus të Ukrainës, por edhe për shkak të dallimeve të tjera me bllokun.

Duke folur në konferencën Globsec në Pragë më 31 gusht, Vuçiç tha se ai nuk është takuar apo nuk ka biseduar me Putinin në të paktën dy vjet e gjysmë, që kur trupat ruse nisën pushtimin e Ukrainës në shkurtin e vitit 2022.

“Ne jemi në rrugën e BE-së. Po, ne tradicionalisht kemi raporte të mira, nuk po i fshehim ato dhe unë nuk turpërohem nga kjo me Rusinë, gjithmonë ka qenë kështu mes serbëve dhe rusëve”.

Ai tha se përderisa së fundi ka pasur një bisedë “të mirë” me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila po ashtu këtë javë po qëndron në Pragë, “askush në Evropë nuk pajtohet me mua për këtë çështje, por të gjithë në Evropë e kuptojnë pozicionin tim”.

Ai shtoi se mendon se Serbia është duke zbatuar agjendën e saj të rritjes dhe reformave “më mirë se kushdo tjetër”.

Serbia dhe Turqia janë shtetet e vetme kandidate të BE-së që nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Zogaj ia numëron Kurtit disa “defekte”, i thotë se e ka braktisur Prishtinën!

Nënkryetar i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, përmes një postimi në facebook i ka reaguar Kryeministrit Kurti pasi ky i fundit përmendi disa të arriturat e qeverisë për artin e sportin në kryeqytet.

Zogaj, u shprehë se Kurti nuk e ka vizituar asnjëherë kryeqytetin në 4 vitë mandat e nuk jeni interesuar për asnjë problem e hall të qytetarëve të Prishtinës.

“-Nuk e keni vizituar zyren e Kryeqytetit asnjëherë në 4 vite mandat;

– Nuk jeni interesuar për asnjë problem e hall të qytetarëve të Prishtinës;

Nuk e keni ndarë ASNJË cent për Kryeqytetin;

– E keni bllokuar projektin e Unazës së Jashtme (mbi 300 mil EUR);

– E keni refuzuar projektin e Bankes Botërore për Prishtinën, me titull ‘Liveable Cities’;

– Po e bllokoni projektin e Nënkalimit ‘Agim Ramadani’;

– Po e bllokoni projektin e Spitalit të Prishtinës;

– Po e bllokoni zhvillimin e ‘Rruges A’ në çdo hap të mundur;

– Po mundoheni ta leni Prishtinën anash organizimit të Lojrave Mesdhetare 2030;

E të tjera! E të tjera!.

Leje Prishtinën, tregona najsen për Uren e Ibrit!”, ka shkruar Zogaj.

Osmani: Veprimet për shtrirje të sovranitetit janë legjitime, suksesi varet nga bashkëpunimi me aleatët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka thënë të shtunën Radios Evropa e Lirë se veprimet për shtrirje të sovranitetit në Kosovë, janë veprime legjitime dhe në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por që suksesi dhe qëndrueshmëria e tyre varen prej bashkëpunimit me aleatët.

Ajo i ka bërë këto deklarata, pasi është pyetur rreth reagimeve të Perëndimit më 30 gusht, pas mbylljes së pesë objekteve paralele në veri të Kosovës. Sipas Qeverisë së Kosovës, këto institucione kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë dhe kanë cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e vendit.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, James O’Brien, i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të ndalë, siç ka thënë ai, “veprimet e pakoordinuara që ndikojnë negativisht në partneritetin tonë”.

Për aksionin në veri kanë reaguar edhe ambasadorët e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë së Madhe.

“Situata në veri të Kosovës është shumë sfiduese, sepse përkundur Marrëveshjes së vitit 2013, e cila kërkon që të gjitha strukturat ilegale të shpërbëhen, ato janë forcuar nga [presidenti serb, Aleksandar] Vuçiq në këtë dekadë, dhe janë shndërruar në grupe mafioze, të cilat edhe sfidojnë sigurinë, edhe sovranitetin, por edhe vetë jetën e qytetarëve që jetojnë në veriun e veriut”, ka thënë Osmani në Pragë, ku po merr pjesë në forumin e sigurisë Globsec.

Ajo ka bërë thirrje që të mos lejohet “asnjë forcë e errët, asnjë shtet që ka qëllime dashakëqija ndaj Kosovës dhe rajonit, të krijojë ndarje mes neve dhe aleatëve”.

“Kjo ndarje, në afatgjatë, Kosovës i kushton shumë. Kosova ka mundësi që të jetë e suksesshme në shtirje të sovranitetit, bashkë me aleatët. Kërkohet më shumë komunikim, më shumë konsultim, më shumë koordinim”.

E pyetur nëse zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë shefin e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA) e kanë përmendur nëpër takimet e ditëve të fundit përkeqësimin e marrëdhënieve me Qeverinë e Kosovës, ajo ka thënë se SHBA-ja ka qenë e qartë në çdo nivel se raportet me popullin e Kosovës, me Kosovën si shtet, i ka shumë të fuqishme.

“Ne duhet të gjejmë mënyra për ta forcuar partneritetin, ne duhet të gjejmë mënyra që debati në Kosovë të mos jetë asnjëherë se ‘a jemi prishur me Amerikën apo jo?’, por të jetë sa jemi duke i forcuar ato marrëdhënie, sepse është vetëm në interes të Kosovës”.

Ajo ka thënë se do të takohet në kuadër të Globsec-ut me zyrtarë amerikanë për t’i diskutuar të gjitha sfidat aktuale.

Osmani nuk ka dashur të komentojë pse të shtunën, më 31 gusht, është vërejtur një prani e shtuar e forcave të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR mbi urën kryesore mbi lumin Ibër.

Presidentja ka thënë se për këtë gjë duhet pyetur KFOR-i, por as ky institucion nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë.

Një pjesëtar i forcave italiane të KFOR-it në urën i Ibrit i ka thënë më herët për një korrespodente të REL-it se “nuk pritet ndonjë gjë e veçantë” dhe se pjesëtarët aty gjenden aty “për shkak të operacioneve rutinore”.

Osmani e ka përmendur çështjen e urës kur është pyetur se si mund të gjendet mesi i artë mes veprimeve të Qeverisë dhe kërkesave të Perëndimit.

“Mesi është mirëkuptimi i të gjithëve që ka tema të cilat assesi nuk duhet të bëhen pjesë e dialogut me Serbinë, sepse ato qoftë kanë përfunduar si të tilla, sepse janë arritur marrëveshje, plane të zbatimit, siç është çështja e urës, çështja e shpërbërjes së strukturave ilegale, ato janë mbyllur më vitin 2013, dhe ka tema të cilat as nuk është në interes të Kosovës, sepse do të ishte shkelje e sovranitetit dhe Kushtetutës, në qoftë se ato do të hapeshin për negociata me një shtet tjetër, në këtë rast me Serbinë. Në anën tjetër, ne duhet ta kemi të qartë që një prej fuqive më të mëdha të Kosovës, një prej përparësive më të mëdha të Kosovës ndër vite është që aleatët i ka pasur në anën e saj”.

Perëndimi i ka shtuar së fundmi kritikat ndaj Qeverisë së Kosovës, për ato që i konsideron veprime të njëanshme.

Në mesin e tyre përfshihet edhe përpjekja e Qeverisë së Kosovës në fillim të gushtit për hapje të urës kryesore mbi lumin Ibër,, e cila ndan Mitrovicën Jugore me shumicë shqiptare me Mitrovicën Veriore me shumicë serbe.

Ura është e hapur për qarkullim të këmbësorëve, por jo për automjete.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, pati paralajmëruar ato ditë kundër hapjes së urës, duke thënë se një veprim i tillë rrezikon ushtarët amerikanë.

Edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i cili ka prezencë të përhershme mbi urë, pati thënë se nuk do të hezitojë të veprojë, nëse rrezikohet siguria në atë pjesë.

Gjendet i vdekur një i moshuar në Prishtinë

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, ku në një banesë është gjetur pa shenja jete një burrë i moshuar, raporton Gazeta Sinjali.

Siç mëson Sinjali, viktima është një burrë rreth 76-vjecar.

Me urdhët të Prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa Policia ka kryer ekzaminimet e nevojshme.

Policia bën të ditur se vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor dhe se rasti është iniciuar si “vdekje e dyshimtë”.

KFOR-i mbi urë, Kastrati: Ky është akti i parë i vendosjes së kufirit të autonomisë për serbët

Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, ka reaguar ndaj shtimit të trupave të KFOR-it mbi urën e Ibrit, shkruan Gazeta Imazhi.

Ai ka bërë me dije se ky është akti i parë simbolik i vendosjes së kufirit administrativ të autonomisë serbe.

Ai i ka vyer njerëzit e pushtetit, duke e quajtur hajvana.

“MOS U TUTNI! Nuk është agresori NATO! Mbi urë janë çlirimtarët: Albin Kurti, Xhelal Sveçla, Agim Bahtiri, Mefail Bajçinovci, etj…..😂😂😂😂.Ky është akti i parë simbolik i vendosjes së kufirit administrativ të autonomisë serbe andej urës! Urime hajvanave!”, ka shkruar Kastrati.

Vuçiq: Është e rëndësishme që BE dhe SHBA e dënuan sjelljen e Kurtit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha sot se është plotësisht e qartë se Albin Kurti bën gjithçka që bën pa marrëveshje me partnerët ndërkombëtarë dhe se është e rëndësishme që SHBA dhe BE të reagojnë dhe të dënojnë veprime të tilla.

Vuçiq u tha gazetarëve në Pragë se ka diskutuar për Kosovën me Miroslav Lajçak, por edhe me të gjithë ata që ka takuar.

“Është e rëndësishme që evropianët dhe amerikanët e dënuan sjelljen e Kurtit dhe që KFOR-i të mbajë qëndrim të prerë sa i përket urës në Ibër”, tha presidenti i Serbisë.

Vuçiq ka raportuar se ka pasur një bisedë të hapur me Lajcak, si dhe me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe me presidentin e Finlandës, Aleksandar Stubb.

“Ne patëm bisedime të mira dhe është e rëndësishme që të gjithë mendojmë se Kina ka një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe vendimtar në vendosjen e paqes në botë. Dhe në përputhje me rrethanat, ne do të shkëmbejmë pikëpamjet, shpresat dhe pritjet tona dhe do t’i kërkojmë Kinës të përfshihet në zgjidhjen e problemin sa më shpejt të jetë e mundur për çështjen e paqes”, tha Vuçiq.

Albin Kurti përmend punët e mira të qeverisë për artin e sportin në kryeqytet

Kryeministri Albin Kurti, thotë se qeveria e tij ka dhënë dëshmi të panumërta të punëve, për të cilat ai thotë se janë bërë në dobi të të rinjve të talentuar të Prishtines.

Ai përmendi punët e përfunduara lidhur me këtë, dhe ato që janë në proces e sipër.

49-vjeçari tha se investimet e qeverisë për kushte më të mira infrastrukturore në shërbim të artistëve e sportistëve nuk do të ndalen asnjëherë.

Më poshtë mund të lexoni shkrimin e plotë të Kurtit, të publikuar në Facebook.“Qeveria për artin e sportin në kryeqytet. Kemi dhënë dëshmi të panumërta të punëve në dobi të të rinjve të talentuar të Prishtinës. Investimet tona për kushte më të mira infrastrukturore në shërbim të artistëve e sportistëve nuk do të ndalen asnjëherë. Ka përfunduar rinovimi i tërësishëm i fushës së stadiumit “Fadil Vokrri”. Fusha hibride është fjala e fundit e teknologjisë në botë dhe e para e këtij lloji në shtetin tonë. Kemi rinovuar palestrën e sportit të Pallatit të Rinisë, e cila përveç kampionateve shtetërore, mirëpret plot ngjarje ndërkombëtare të sportit. Për nevojat e futbollit në kryeqytet, vazhdon ndërtimi i stadiumit ndihmës në Bërnicë. Gjithashtu, kemi hartuar projektin zbatues dhe kemi siguruar buxhetin e nevojshëm për ndërtimin e palestrës së re multi-sportive në kryeqytet. Jemi në pritje të ndarjes së lokacionit nga Komuna e Prishtinës për të vazhduar me procedurën e ndërtimit të kësaj palestre me rëndësi të veçantë për sportet.Kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me ndërmarrjen publike “Pallati i Rinisë dhe Sportit” për rivitalizimin e njërës nga ndërtesat më ikonike të Prishtinës. Në kuadër të Pallatit, kemi rinovuar amfiteatrin që aktualisht e akomodon Teatrin Kombëtar të Kosovës. Shumë shpejt pritet të nisë edhe rinovimi i sallës së Ateliesë dhe amfiteatrit të dytë ku vepron Teatri ODA dhe shtëpitë e pavarura teatrore të kryeqytetit. Për të vazhduar në radhë me Sallën e kuqe dhe Atriumin.Ndërtesat e institucioneve të kulturës kishin dekada pa investime. Kanë nisur punimet për rinovimin (restaurimin) e tërësishëm të ndërtesës kryesore të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Restaurimi ka nisur edhe në ndërtesën e Muzeut Kombëtar të Kosovës, me synim përmirësimin e kushteve ku ruhet thesari më i pasur kulturor i shtetit. Derisa rinovimi i sallës së ushtrimeve të Ansamblit Shota ka përfunduar, aktualisht, edhe Galeria në lagjen Qafa dhe ndërtesa e Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës po i nënshtrohen rinovimit, ndërsa rinovimi i ndërtesës së Galerisë Kombëtare të Kosovës pritet të nisë muajve në vijim. Me të përfunduar dhe miratuar projekti përfundimtar, do të nisim edhe procedurën e restaurimit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.Në arkeologji në nivel vendi kemi ndërmarrë veprime serioze. Në rajonin e Prishtinës jemi duke zhvilluar punime në dy lokalitete të rëndësishme arkeologjike, në Marec dhe Harilaq.Restaurimi në moment të fundit e pati shpëtuar nga rrënimi Eminxhikun, ndërtesën e Muzeut Etnografik të Prishtinës. Aktualisht po punojmë në instalimin e ekspozitës së përhershme të këtij muzeu që rrëfen historinë e kulturës shqiptare. Një tjetër ndërtesë e kthyer në muze, ish Burgu i Prishtinës, i hapi dyert me ekspozitë të përkohshme, ndërsa tani kemi kontraktuar ekipin profesional që po e koncepton ekspozitën e përhershme. Tri nga shtëpitë e bukura të Prishtinës janë në proces restaurimi. Deri në fund të vitit pritet që t’u kthehet shkëlqimi i dikurshëm shtëpisë së Hynilerëve, shtëpisë së familjes Sylejmani dhe asaj të familjes Safqi.Pas përfundimit të ndërhyrjeve konsoliduese në ndërtesën e ish-Vetfarmit, jemi në përfundim të projektit zbatues për restaurimin e ndërtesës së shkollës së parë shqipe në Prishtinë. Brenda pak javësh pritet të përfundojë restaurimi i Rezidencës së Presidentit Ibrahim Rugova në Velani, ndërsa jemi në fazën e fundit projektuese për restaurimin e ndërtesës së Kryqit të Kuq. Pas një stagnimi mbi një dekadë, ka përfunduar restaurimi i Xhamisë së Çarshisë, ndërsa vazhdon procesi i hartimit të planit të menaxhimit të Hamamit të Madh. Gjithashtu, projekti për restaurimin e Xhamisë Sudi Efendi është në proces të pajisjes me pëlqimin përfundimtar para shpalljes së procedurës së prokurimit.Nuk përfundon me kaq. Jemi duke zhvilluar negociata për kredi ndërkombëtare për investimin e madh në Qendrën e Studentëve të Prishtinës, e cila gjatë Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” do të shndërrohet në fshatin mesdhetar që do të akomodojë mijëra sportistë nga 25 shtete pjesëmarrëse. Pas themelimit me ligj dhe hartimit të konceptit nga artistë të njohur të Kosovës, ka nisur hartimi i projektit për Muzeun e Artit Bashkëkohor të Kosovës, i cili do të akomodohet brenda aneksit të Pallatit të Shtypit (Rilindja). Po brenda Pallatit të Shtypit do të ndërtojmë amfiteatrin e ri të Prishtinës, aktualisht në proces të hartimit të projektit. Dhe pas konkursit ndërkombëtar, kemi shpallur studion ndërkombëtare fituese për hartimin e projektit të Teatrit të Operës dhe Baletit. Parashihet që pas një viti ta kemi projektin zbatues të TOB, i cili na mundëson të nisim procedurat për ndërtimin e asetit më të madh kulturor të Republikës.Edhe shumë punë na presin. Nuk do të ndalemi. Për Prishtinën tonë, kryeqytetin e Republikës. Për Prishtinën e Manifestës e të Lojërave Mesdhetare”, thuhet në postimin e kryeminsitrit.