Lajmi i Fundit
Rama sqaron kahjet e dy rrugëve të rëndësishme të kryeqytetit, ndryshimet në fuqi nga sot

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se me hapjen për qarkullim të unazës së brendshme do të ndryshojnë edhe kahjet e hyrje-daljeve nga rrethi “Dukagjini” në drejtim të qendrës së qytetit.

Rama u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit dhe të respektojnë sinjalizimin e ri rrugor, në mënyrë që lëvizja në këtë pjesë të kryeqytetit të zhvillohet pa probleme.

Sipas tij, ndryshimet kanë hyrë në fuqi që sot.

Numërimi i votave me postë ende në fazë të hershme, Cakolli jep projeksionet e mandateve

Eugen Cakolli nga DnV-ja ka deklaruar se nga 85,790 zarfe me postë të pranuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, deri më tani janë shqyrtuar mbi 60 mijë, ndërsa rreth 2,500 prej tyre janë refuzuar.

Sipas tij, nëse ritmi aktual i refuzimit prej afërsisht 4 për qind vazhdon deri në fund të procesit, numri i votave të vlefshme me postë pritet të arrijë rreth 82,500.

“Numërimi i votave me postë është ende larg përfundimit. Në faqen e rezultateve të KQZ-së aktualisht janë të përfshira rezultatet e vetëm 57 kutive postare të numëruara. Deri në fund të procesit pritet të bëhen dhe numërohen afërsisht 200 kuti, që i bie se deri tani janë numëruar vetëm rreth 7% e kutive që pritet të numërohen në total” shkroi Cakolli.

Ai shtoi se, nëse përqindjet aktuale të votave me postë do të mbeteshin përafërsisht të njëjta deri në përfundim të numërimit, projeksionet tregojnë se LVV do të ishte në zonën e 52 mandateve.

Por, ekziston ende mundësia që të ketë lëvizje edhe për të paktën dy mandate tjera.

Ky është njoftimi i plotë i tij:

Nga 85,790 zarfe me postë të pranuara nga KQZ-ja, deri më tani janë shqyrtuar mbi 60 mijë sosh. Prej tyre, rreth 2,500 janë refuzuar. Nëse trendi aktual i refuzimit prej rreth 4% vazhdon deri në fund, numri i votave të vlefshme me postë pritet të jetë afërsisht 82,500.

Ndërkohë, numërimi i votave me postë është ende larg përfundimit. Në faqen e rezultateve të KQZ-së aktualisht janë të përfshira rezultatet e vetëm 57 kutive postare të numëruara. Deri në fund të procesit pritet të bëhen dhe numërohen afërsisht 200 kuti, që i bie se deri tani janë numëruar vetëm rreth 7% e kutive që pritet të numërohen në total.

Ajo që vërehet deri tani është se trendet e votimit me postë dallojnë nga ato të votimit në ambasada dhe konsullata.

Nëse përqindjet aktuale të votave me postë do të mbeteshin përafërsisht të njëjta deri në përfundim të numërimit, projeksionet tregojnë se LVV do të ishte në zonën e 52 mandateve. Megjithatë, gara dhe lëvizjet për të paktën dy mandate tjera mbeten ende të hapura mes partive dhe rezultati përfundimtar do të varet nga mënyra se si do të shpërndahen votat në pjesën e mbetur të procesit të numërimit.

Presidenti apo Qeveria? Hasani tregon çfarë e kërkon Kushtetuta

Presidenti i Kosovës duhet të zgjidhet para formimit të Qeverisë, thotë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani. Sipas tij, pas konstituimit të Kuvendit, deputetët duhet fillimisht të trajtojnë çështjen e zgjedhjes së presidentit, veçanërisht tash kur posti i kreut të shtetit është vakant. Ai thekson se një renditje e tillë buron nga norma kushtetuese dhe interpretimet e Gjykatës Kushtetuese.

Hasani në emisionin “Intervista e Javës” në KosovaPress, sqaron se sapo të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit pas zgjedhjeve të 7 qershorit, ai fiton një mandat të ri gjashtëmujor si ushtrues i detyrës së presidentit.

“Shikoni, tash t’iu them unë. Kjo që unë e them nuk është mendim i imi, por është normë. Është rregull kushtetues, aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, paragrafi 162 e bën të qartë si loti, që çdoherë kur nuk ka president, që është vakant, ai domethënë zgjidhet i pari. Kur, siç është rasti konkret. Atëherë janë gjashtëdhjetë ditë e vazhdon…. Unë, gjykuar sipas përvojës, që zoti Kurti s’është marrë fare as me Kushtetutë, as me ligj, i ka shkelur në mënyrën më primitive të mundshme që do të mbahet mend në historinë politike të këtij vendi. Ai mund të insistojë dhe të vazhdojë(me qeveri) mandej (me president)… Në qoftë se bëhen marrëveshje, organet tjera zgjidhen aty. Për njëherë paradite presidenti, mbasdite qeveria. Mundet për një ditë”, thotë ai.
Sipas tij, edhe nëse zgjidhet sërish kryetare e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ajo ka mandat të ri gjashtëmujor si ushtruese e detyrës së presidentit.

Në anën tjetër, profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Hasani, vlerëson se pjesëmarrja e ulët e qytetarëve në zgjedhjet e 7 qershorit është pasojë e një zhgënjimi të thellë me klasën politike dhe mënyrën se si është menaxhuar mandati i besuar nga votuesit.

Hasani thotë se humbja e mbi 130 mijë votave nga Lëvizja Vetëvendosje dëshmon për atë që ai e quajti zhgënjim sistemik të qytetarëve, të cilët sipas tij, kanë humbur besimin se vota e tyre po përkthehet në institucione funksionale dhe zgjidhje konkrete.
Në zgjedhjet e 7 qershorit, sipas rezultateve preliminare, morën pjesë vetëm 725 mijë e 701 qytetarë, rreth 200 mijë më pak sesa në procesin e kaluar zgjedhor.

“Arsyeja është kjo, fiks për shkak se është parë domethënë që është një lloj tallje me mandatin e ofruar, me besimin që e ka dhënë qytetari për këto tri palë zgjedhje brenda një periudhe kaq të shkurtër, dhe është parë që është e kotë. Domethënë, ajo është, e sheh drita e kuqe për pushtetin… Te partia në pushtet nuk bëhet fjalë për faktorë subjektivë individualë, por bëhet fjalë për një zhgënjim sistemik për shkak se është pritur domethënë që vota që ishte më e madhja… ndëshkimi ka qenë në mënyrë lineare, proporcional për të gjithë. E unë mendoj që është dritë e kuqe për të gjithë që duhet me pa, me e ridefinu çështjen e agjendës dhe kauzave politike”, deklaron ai.

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit e nxjerrin Lëvizjen Vetëvendosje si forcën e parë politike në vend me rreth 42.9 për qind të votave, që aktualisht përkthehen në 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Partia Demokratike e Kosovës renditet e dyta me rreth 21.1 për qind të votave dhe 24 ulëse parlamentare, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar rreth 17.6 për qind të votave, që aktualisht i japin 20 mandate në Kuvend.
Ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar rreth 7.2 për qind të votave dhe tetë ulëse parlamentare. Në përbërjen e Kuvendit përfshihen edhe 20 ulëset e garantuara për komunitetet joshumicë, prej të cilave 10 i takojnë komunitetit serb dhe 10 komuniteteve të tjera. Megjithatë, këto shifra mbeten të përkohshme, pasi në to ende nuk janë përfshirë votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat e diasporës, të cilat mund të ndikojnë në shpërndarjen përfundimtare të mandateve.

Këto shifra sipas Hasanit tregojnë domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje politike për formimin e institucioneve të reja, ku përfshihet kryetari i Kuvendit, formimi i qeverisë dhe zgjedhja e presidentit.
Sipas tij, nëse shkohet sërish në zgjedhje të reja, do të ishte fatale për Lëvizjen Vetëvendosje.

Në intervistë, Hasani komenton edhe rezultatin e PDK-së, duke e lidhur rënien e votës me mungesën e figurave të reja dhe me një fushatë që, sipas tij, nuk solli energji apo dinamikë të re.

Lexo po ashtu“Bodrum gjysmë i mbushur me ujë”, ambasadori britanik dhe ai gjerman komentojnë deklaratën e Kurtit

Ndërkaq foli edhe për pozitën politike të ish-presidentes Vjosa Osmani, për të cilën tha se rezultati zgjedhor i 7 qershorit tregon se mbështetja që ajo kishte marrë në vitin 2021 nuk ishte votë personale, por kryesisht e lidhur me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas tij, Osmani ka pasur një rol periferik në politikën e Kosovës dhe zgjedhjet e fundit shërbyen si një test i identitetit të saj politik.

Zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit ishin të tretat që mbahen në Kosovë brenda 16 muajve të fundit, një tregues i vazhdimit të krizës politike dhe pamundësisë së subjekteve politike për të siguruar stabilitet afatgjatë institucional.

Armend Zemaj siguron mbi 25 mijë vota deri më tani, mbetet një nga figurat e LDK-së në Kuvend

Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka siguruar 25,858 vota në zgjedhjet e 7 qershorit, sipas rezultateve të deritanishme.

Zemaj, i cili është deputet i Kuvendit të Kosovës prej disa mandateve, ka arritur të ruajë mbështetjen e elektoratit të tij edhe në këtë proces zgjedhor.

Votat e nuëruara deri me tani janë pa përfshirë ende votat me kusht, votat e personave me nevoja të veçanta dhe votat nga diaspora.

Mësohet nëse e transmeton RTK sonte ndeshjen mes Zvicrës dhe Katarit

Ndeshja e Grupit B të Kampionatit Botëror 2026 mes Katarit dhe Zvicrës zhvillohet sot në orën 21:00, në një përballje që pritet me interes të madh në fazën e grupeve.

Zvicra hyn në këtë duel si favorite, duke u bazuar në eksperiencën e madhe në turne ndërkombëtarë dhe stabilitetin e skuadrës në vitet e fundit. Nga ana tjetër, Katari synon të tregojë një paraqitje më të fortë se në edicionin e kaluar dhe të nisë me rezultat pozitiv.

Të dy kombëtaret e konsiderojnë këtë ndeshje shumë të rëndësishme për ecurinë në Grupin B, ku çdo pikë mund të jetë vendimtare për kualifikim në fazën tjetër.

Këtë ndeshje mund ta shikoni në RTK 1.

Numërohen mbi 14% të votave me postë, ky është rezultati

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka njoftuar se tashmë janë numëruar 14,04% e votave me postë.

Deri më tani, Lëvizja Vetëvendosje po prinë si parti e parë me 63.67% ose, 1,882 vota.

Pas saj, është Lidhja Demokratike e Kosovës me 20.57% ose, 608 Vota, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 9.40% ose, 278 Vota.

E katërta është Partia Demokratike e Kosovës me 4.40% ose, 130 Vota.

Për të parë përditësimet e fundit, klikoni KËTU:

Image
Përfundon numërimi i votave në përfaqësi diplomatike, VV-ja bindshëm e para

Ka përfunduar numërimi i votave në përfaqësi diplomatike, derisa Lëvizja Vetëvendosje ka marrë fitore bindëse.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), LVV-ja ka marrë 18,789 vota apo 83.28 për qind.

E dyta është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 1,608 vota apo 7.13 për qind.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë 1,490 vota apo 6.60 për qind.

Aleanca ka 464 vota apo 2.06 për qind.

Sipas rezultateve aktuale, LVV-ja do të ketë 50 ulëse, PDK-ja 23, LDK-ja 19 e AAK-ja 8.

Këto janë 5 gratë më të votuara në secilën parti

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, po vazhdon të numëroj votat për kandidatët nga partitë, për ulësen në Kuvendin e Kosovës.

Deri më tani, siç njofton KQZ-ja në përditësimin e fundit, janë numëruar 92,79% e votave.

Por cilat janë gratë më të votuara nga partitë politike.

Gruaja më e votuar deri tani nga të gjitha partitë është kandidatja e Vetëvendosjes për deputete Albulena Haxhiu me 121 mijë e 280 vota, shkruan Reporteri.net.

Më e votuara në listën e PDK-së është Vlora Çitaku, në listën e LDK-së Vjosa Osmani e cila ishte edhe bartëse e listës, kurse në AAK gruaja më e votuar është Time Kadrijaj.

Pesë gratë më të votuara deri tani në VV:

ALBULENA HAXHIU – 121,280 Vota

DONIKA GËRVALLA- SCHWARZ – 98,968 Vota

MIMOZA KUSARI LILA  – 64,923 Vota

SHQIPE MEHMETI SELIMI – 46,968 Vota

SARANDA BOGUJEVCI – 30,177 Vota

Pesë gratë më të votuara deri tani në PDK:

VLORA ÇITAKU – 39,734 Vota

SALA JASHARI – 37,893 Vota

GANIMETE MUSLIU – 29,696 Vota

BESA KABASHI RAMAJ – 21,684 Vota

BLERTA DELIU KODRA – 18,498 Vota

Pesë gratë më të votuara deri tani në LDK:

VJOSA OSMANI SADRIU – 81,493 Vota

DOARSA KICA XHELILI – 58,825 Vota

HYKMETE BAJRAMI – 46,525 Vota

JANINA YMERI – 23,746 Vota

JEHONA LUSHAKU SADRIU – 22,285 Vota

Pesë gratë më të votuara deri tani në Aleancë:

TIME KADRIJAJ – 16,836 Vota

ALBANA BYTYQI – 9,660 Vota

TEUTA HAXHIU – 8,727 Vota

DIELLZA KUKAJ – 6,517 Vota

ALBULENA KOMANI – 3,070 Vota

Këta janë deputetët që qytetarët nuk ua besuan edhe një mandat në Kuvend

Procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet e 7 qershorit është duke vazhduar, ndërsa tashmë janë bërë të ditura se kujt prej deputetëve të legjislaturës së 10-të nuk iu besua edhe një mandat nga qytetarët, shkruan Gazeta Metro.

Më shumë se 18 mijë vota i kushtoi deklarata kundër Hashim Thaçit, Fatos Gecit të VV-së. Ai, i cili në zgjedhjet e dhjetorit kishte marrë 28,349 vota, në këto zgjedhje deri më tani, kur janë numëruar 92% e votave, ka marrë vetëm 9,719 vota, ndërsa është renditur i 76-ti në listën e kandidatëve.

Ish-deputetët tjerë të VV-së që nuk do të marrin një ulëse në Kuvend janë Fjolla Ujkani, Fitim Haziri, Salih Zyba, Vigan Qorolli, Drita Pajaziti, Arsim Ademi, Rozeta Hajdari.

Megjithatë, disa nga ta mund të hyjnë nëse Albin Kurti arrin ta formojë qeverinë e re; këta hyjnë në vend të deputetëve që zgjidhen ministra të Qeverisë së re.

Më shumë se 7 mijë vota i ka humbur nga zgjedhjet e dhjetorit Nait Hasani i PDK-së, kjo pasi u akuzua se kishte vjedhur vota, ndërsa qytetarët e kanë ndëshkuar me vota, duke e renditur të 29-tin në listën e kësaj partie me 15,863 vota të marra deri më tani.

As Xhavit Haliti nuk do të jetë në Kuvend, ky për shkak të kuotës gjinore, ku vendin deri më tani ia ka zënë Ariana Musliu Shoshi, ndërsa të tjerë ish-deputetë të PDK-së që nuk kanë kaluar është vetëm Arbnore Salihu.

Kalimi në listën e LDK-së, Haxhi Avdylit duket se nuk iu përkthye në vota. Ai në këto zgjedhje ka marrë vetëm 6,759 vota, 27 mijë më pak se në zgjedhjet e dhjetorit kur ishte në listën e VV-së.

Në listën e LDK-së, për edhe një mandat duket se nuk do të jetë Adelina Thaçi Meta, por megjithatë kjo është në prag të listës, që nëse dikush nga LDK nuk e merr mandatin, atëherë i besohet kësaj.

Në listën e AAK-së, të gjithë deputetët që kanë qenë në legjislaturën e 10-të do të jenë edhe në këtë legjislaturë, duke iu shtuar Teuta Haxhiu. Megjithatë, në këtë parti, Daut Haradinaj dhe Ardian Gjini kanë paralajmëruar se nuk do ta pranojnë mandatin dhe në vend të tyre do të mund të hyjnë Burim Ramadani e Agim Çeku.

Megjithatë, këta emra akoma mund të ndryshojnë pas numërimit të votave të tjera të mbetura