Kjo është Bardha, gruaja që u v’ra nga bashkëshorti për xhelozi

Një debat banal për motive xhelozie ka përfunduar në një tragjedi të rëndë familjare në Shkodër, ku një grua ka mbetur e vrarë me armë gjahu nga bashkëshorti i saj.

Mediat kanë publikuar së fundmi foton e viktimës, Bardhe Ziçi, e cila humbi jetën në mënyrë tragjike në pragun e shtëpisë së saj, pas një sulmi barbar nga i shoqi, Shtjefën Ziçi.

Gjithçka ka nisur brenda mureve të banesës, ku burri i ka kërkuar me ngulm bashkëshortes t’i jepte celularin, i shtyrë nga dyshimet dhe xhelozia e sëmurë.

Pas një debati të ashpër mes çiftit, situata ka degjeneruar me shpejtësi. Shtjefën Ziçi ka hyrë rrëmbimthi brenda në shtëpi, ka marrë armën e gjahut dhe ka ndjekur gruan, duke e qëlluar për vdekje pikërisht te porta e oborrit, pa i lënë asnjë mundësi shpëtimi.

Ndërsa autori i krimit tashmë ndodhet në duart e drejtësisë për këtë akt makabër, familjarët dhe të afërmit janë të mbytur në zi.

Sipas njoftimeve, e ndjera Bardhe Ziçi do të përcillet për në banesën e fundit ditën e nesërme në orën 12:00, duke lënë pas një dhimbje të madhe dhe një ngjarje që ka tronditur mbarë opinionin publik.

Qeveria mban mbledhje, ndan 2.2 milionë euro

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka mbajtur një mbledhje elektronike, në të cilën ka miratuar dy vendime me ndikim financiar.

Në mbledhjen e zhvilluar në mënyrë elektronike, ekzekutivi ka aprovuar kërkesën për alokimin e ndarjeve buxhetore në vlerë prej 2,240,000 euro për Radio Televizionin e Kosovës (RTK), me qëllim të mbështetjes së funksionimit të transmetuesit publik.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar kërkesën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) për kthimin e fondeve në shumën prej 48,216.57 euro, të cilat ishin transferuar më herët në Buxhetin e Republikës së Kosovës. Mjetet do t’i kthehen Ndërmarrjes Shoqërore “Magjistrala”, në përputhje me kërkesën e AKP-së.

Vendimet janë marrë në kuadër të mbledhjes elektronike të Qeverisë në detyrë.

E dhimbshme: Ndahet nga jeta në moshë të re ushtaraku Laert Ramadani

Një lajm i trishtë ka ardhur nga qyteti i Përmetit, ku ushtaraku Laert Ramadani ka ndërruar jetë si pasojë e një sëmundjeje të rëndë.

Ramadani, i lindur në Piskovë të Përmetit dhe për shumë vite pjesë e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, humbi betejën me sëmundjen dhe u nda nga jeta në moshën 44-vjeçare.

Mësohet se ushtaraku ishte baba i tre fëmijëve, dy vajzave dhe një djali.

Largimi i tij i parakohshëm nga jeta ka sjellë dhimbje dhe trishtim te familjarët, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë njohur.

Laert Ramadani ishte një ushtarak me një karrierë të pasur, gjatë së cilës mori pjesë edhe në disa misione jashtë vendit.

Hajnat godasin Xhaminë në Kaçanik, e marrin kasafortën me donacionet e besimtarëve

Një vjedhje e rëndë është raportuar mbrëmjen e së premtes në Kaçanik, ku persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në objektin e një xhamie dhe kanë marrë kasafortën ku ruheshin donacionet e besimtarëve, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur në rrugën “Ismail Raka”, në intervalin kohor 18:00–20:00.

Rastin në Polici e ka denoncuar B.D. rreth 45-vjeçar, imam i xhamisë, i cili ka deklaruar se persona të panjohur kanë vjedhur kasafortën ku grumbulloheshin paratë e dhuruara nga qytetarët.

Sipas informacioneve, deri në këtë fazë nuk dihet shuma e parave që ndodheshin në kasafortë në momentin e vjedhjes.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, të cilat kanë nisur veprimet hetimore për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e plotë të rastit.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar është iniciuar rasti “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Pas takimeve me PDK-në dhe LDK-në, vjen reagimi i Luan Krasniqit ndaj Kurtit

Boksieri legjendar shqiptar, Luan Krasniqi, ka reaguar në një koment në një status të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ku ky i fundit kishte folur për takimet me partitë opozitare, PDK dhe LDK, në kuadër të përpjekjeve për formimin e institucioneve të reja.

Përmes komentit të tij, Krasniqi i ka uruar Kurtit suksese në procesin e formimit të Qeverisë së re të Kosovës, duke shprehur dëshirën që vendi të ketë sa më shpejt institucione funksionale, transmeton Indeksonline.

“Albin i nderuar, të uroj shumë suksese në formimin e qeverisë. Uroj që me përkushtim, mençuri dhe përgjegjësi të punoni gjithmonë në interes të qytetarëve dhe të ardhmes së Republikës së Kosovës. Suksese dhe mbarësi në çdo hap”, ka shkruar Krasniqi.

Komenti i ish-kampionit të boksit ka tërhequr vëmendjen e ndjekësve në rrjetet sociale, ndërsa vjen në një kohë kur po vazhdojnë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje politike dhe formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare. Urimi i Krasniqit u interpretua si një thirrje për bashkëpunim dhe përgjegjësi politike në interes të qytetarëve të Kosovës. /Indeksonline/

Abdixhiku flet pas takimit, tregon se për çka u dakorduan

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka folur pas takimit me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai tha se janë dakorduar që të vazhdojnë me komunikim drejt një zgjidhjeje të bllokadës institucionale.

“Folëm për stabilitetin e domosdoshëm institucional të Kosovës dhe për shmangien e zgjedhjeve të katërta në 1 vjet e gjysmë. U dakorduam që të vazhdojmë me komunikim drejt një zgjidhje”, tha Abdixhiku.

Lushi mesazh Kurtit: Propozoje Hashim Thaçin për president

Veprimtari shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Uk Lushi, i ka kërkuar sërish liderit të VV-së, Albn Kurtit që për president të propozojë ish-presidentin Hashim Thaçi.

Ai ka bërë me dije se ky propozim do ta zgjidhte çështjen e ngërçit.

Në profilin e tij në Facebook, Lushi ka shkruar se fituesi më i madh nga kjo do të ishte kryeministri në detyrë.

“Për qeverisje përgjegjësia është te ne. Për presidentin përgjegjësia është e të gjithëve” – Albin Kurti Sa bukur dhe manipulueshëm flet qerratai! Nuk ka, Albin, përgjegjësi pa të drejta. Propozo Hashim Thaçin President dhe kryhet problemi. Fiton më së shumti ti— Albin, mandej kombi, Thaçi dhe humbësit e vetëm dalin qenefat e huaj! A guxon Albin?!”, ka shkruar ai.

Momenti kur burri merr ar’mën dhe vr.et gruan

Detaje të reja dhe tronditëse janë publikuar nga vrasja e Bardhe Ziçit në Shkodër, e cila u privua tragjikisht nga jeta prej bashkëshortit të saj, Shtjefën Ziçi.

Pamjet e kamerave të sigurisë kanë dokumentuar skenën e plotë të krimit.

Policia ka sekuestruar sistemin e monitorimit të banesës së çiftit, ku shfaqet qartë dinamika dhe gjakftohtësia e autorit 62-vjeçar gjatë kryerjes së aktit të rëndë.

Në pamjet filmike të sekuestruara nga grupi hetimor, burri shihet teksa lëviz me qetësi brenda mjediseve të shtëpisë, merr armën e gjahut dhe afrohet pranë derës kryesore të oborrit, raportojnë mediat shqiptare.

Pasi hap derën dhe vëzhgon ambientin jashtë për të parë nëse ka kalimtarë, ai kthehet dhe qëllon për vdekje bashkëshorten e tij 55-vjeçare.

Pas kryerjes së krimit, Ziçi nuk ka bërë asnjë tentativë për t’u larguar nga vendngjarja, por ka pritur mbërritjen e forcave të rendit për t’u vënë në pranga.

Në momentet e para arrestimit, autori i dyshuar i ka thënë grupit hetimor në vendngjarje se nuk është penduar.

Paraprakisht dyshohet se konflikti ka nisur pasi 55-vjeçarja ka marrë një telefonatë në celularin e saj, e cila dyshohet se mund të ketë qenë nga fëmijët (djali që jeton në Kanada ose vajza) ose të afërm të tjerë.

Ndaj shtetasit Shtjefën Ziçi, prokuroria ka ngritur zyrtarisht akuzën për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, kod ky që parashikon si masë maksimale dënimi burgimin e përjetshëm.

“Jap dorëheqje” – Lushtaku përsërit paralajmërimin për koalicionin PDK–LVV

Sami Lushtaku e ka komentuar takimin e kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, me Albin Kurtin.

Ai e ka falënderuar Bedri Hamzën për “qëndrimin dinjitoz” në takimin me Albin Kurtin.

Gjithashtu, Lushtaku tha se vazhdon t’i qëndrojë prapa deklaratës së tij të mëhershme se në rast se partia e tij bën koalicion me LVV-në do të japë dorëheqje.

“Nëse PDK bën koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, jap dorëheqje.”, tha Lushtaku.

Pasagjeri “doli pjesërisht jashtë dritares”, avioni bën ulje emergjente

Një avion i Ryanair u detyrua të bënte një ulje emergjence pasi, siç raportohet, një pasagjer u tërhoq pjesërisht jashtë nga dritarja.

Avioni, që po udhëtonte drejt aeroportit të Memmingenit në Gjermani, u detyrua të bënte një ulje emergjence në Selanik të Greqisë pak pasi u ngrit në fluturim të premten, shkruan SkyNews, transmeton klankosova.tv.

Mediat lokale në Greqi raportuan se një pjesë e motorit u shkëput dhe theu një dritare, duke shkaktuar humbjen e presionit në kabinë dhe duke tërhequr pjesërisht një pasagjer jashtë dritares.

Dy burime të industrisë konfirmuan për agjencinë e lajmeve Reuters se pasagjeri u tërhoq pjesërisht jashtë dritares pasi ajo u shkëput nga vendi i saj.

Videot e postuara në rrjetet sociale nga brendësia e avionit tregonin një dritare të thyer dhe maska ​​oksigjeni që vareshin nga tavani.

Ryanair deklaroi se avioni u detyrua të bënte një ulje emergjente “kur një dritare e pasagjerëve u shkëput gjatë fluturimit”.

“Avioni u ul normalisht dhe pasagjerët u kthyen në terminal”, shtoi deklarata.

“Një pasagjer kërkoi dhe mori ndihmë mjekësore në tokë në Selanik.

“Për të minimizuar çdo vonesë, u organizua një avion zëvendësues për të sjellë pasagjerët në Memmingen.”