Musliu-Shoshi: Se Albin Kurti është pengues i marrëdhënieve me ShBA-në e konfirmon edhe Senati Amerikan!

Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka deklaruar se institucionet amerikane po e shohin kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, si pengesë në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, transmeton IndeksOnline.

Sipas saj, një debat i mbajtur në Senatin Amerikan e ka ngritur hapur këtë çështje. Ajo thotë se Kongresmeni Keith Self ka pyetur ekspertët Edëard Joseph, Luke Coffey dhe Max Primorac nëse “burokratët e Departamentit të Shtetit e shohin Kurtin si pengesë”.

Në bazë të deklaratave që Musliu-Shoshi i ka cituar, përgjigjja e ekspertëve ishte pozitive, duke e përforcuar qëndrimin e saj se Qeveria e Kosovës po cenon marrëdhëniet me SHBA-në.

Musliu-Shoshi ka kritikuar vazhdimisht qasjen e kryeministrit Kurti në raport me aleatët strategjikë, duke e cilësuar atë si të dëmshme për interesat e vendit.

Statusi i saj i plotë:

 

A do të ndahen 100 euro për fundvit për fëmijët?

6 nëntor të këtij viti është bërë pagesa e parë për studentët.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njoftoi se përfituan gjithsej 49,623 studentë të të gjitha drejtimeve e institucioneve arsimore, publike e private që janë procesuar me grupin e parë.

Pjesa e mbetur e aplikuesve që plotësojnë kriteret për përfitim do të shqyrtohen dhe procesohen me grupin e dytë në ditët në vijim.

A do të ndahen edhe për fëmijët?

Por pasi studentët u mbështeten me 100 euro, shtrohet pyetja nëse do të ketë edhe këtë vit ndarje të 100 eurove për fëmijët — ashtu siç ndodhi vitin e kaluar, por deri tani nuk ka një njoftim zyrtar nga qeveria në detyrë, dhe për këtë çështje nuk ka folur ende Kurti.

Kujtojmë se në dhjetor të vitit 2024, Kryeministri Albin Kurti kishte njoftuar se Qeveria ka ndarë nga 100 euro për të gjithë fëmijët nga mosha 0 deri në 16 vjet, të cilët janë përfitues të shtesave mujore për fëmijë.

“Pra, të dashur fëmijë, të gjithë ju që jeni të moshës 0 deri në 16 vjet dhe që jeni pranues të shtesave mujore për fëmijë, do t’i përfitoni nga 100 euro secili. Kjo nuk është vetëm një dhuratë e fundvitit nga shteti i juaj, por është një investim në mirëqenien e të gjithë fëmijëve pa dallim,” kishte deklaruar Kurti para gazetarëve më 2024.

Mbetet të shihet në ditët në vijim nëse do të ndahen sërish nga 100 euro për fëmijët apo jo.

LDK-ja sot nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me këtë parti

Sot pritet të nënshkruhet  marrëveshja për koalicion mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe  Aleancës Kosova e Re për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Burime të IndeksOnline  bëjnë me  dije se marrëveshja do të nënshkruhet pasditën e së mërkurës.

Sipas kësaj marrëveshjeje, AKR do t’i ketë tre kandidatë në listën e LDK-së për deputetë.

LDK-ja po ashtu ka arritur marrëveshje  edhe me  Partinë e Drejtësisë të Ferid Aganit.

Anëtarësimi i Kosovës në NATO, vjen lajmi i fundit

Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin “Johns Hopkins”, ka vlerësuar se për Kosovën, aktualisht, anëtarësimi në NATO është çështje më e rëndësishme sesa integrimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Joseph mori pjesë në një seancë të Komitetit për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ku u diskutua tema “Pika e Tensionit: Një Rrugë drejt Stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Ai u pyet nga kongresmeni demokrat, Bill Keating, për rolin e ndihmës së SHBA-së në stabilitetin rajonal dhe të ardhmen e Kosovës në BE dhe NATO.

Duke iu përgjigjur, Joseph theksoi se ngërçi mes Kosovës dhe Serbisë mund të zgjidhet përmes anëtarësimit të Kosovës në NATO.

“Një rrugë drejt NATO-s, qoftë edhe vetëm një rrugë, do ta përfundonte në mënyrë efektive bllokadën, sepse në atë moment Serbia nuk do të kishte alternativë tjetër. Fushata e saj e mosnjohjes, varësia nga Rusia dhe Kina në Këshillin e Sigurimit të OKB-së do të humbnin çdo peshë”.

Profesori amerikan shtoi se mbështetja e vazhdueshme ekonomike dhe ushtarake e SHBA-së për Kosovën është thelbësore për interesat e Amerikës:

“Duhet të kujtojmë se SHBA-ja dhe NATO-ja tashmë e kanë obligimin dhe përgjegjësinë të garantojnë sigurinë e Kosovës nëpërmjet KFOR-it. Forcimi i sigurisë ekonomike dhe ushtarake të Kosovës përmes marrëdhënieve dypalëshe shërben drejtpërdrejt edhe interesave tona të sigurisë”.

Parashikimi i motit për nesër dhe ditët në vazhdim, rikthehen reshjet e borës

Vranësira të shpeshta, intervale kohore me diell kryesisht të shkurtra dhe atë vetëm në disa rajone si dhe rrebeshe lokale-kalimtare shiu do të karakterizojnë ditën e mërkurë në territorin e Kosovës.

Temperaturat pritet të luhaten nga -1 minimalja deri në 10 gradë Celsius ajo maksimale.

Në Shqipëri e mërkura sjellë rikthim të reshjeve më intensive në shumë zona të Shqipërisë ku vende-vende do të ketë rrebeshe lokale me vetëtima dhe bubullimë. Në malet më të larta në veri dhe lindje të Shqipërisë, veriperëndim të Maqedonisë së Veriut dhe jug të Kosovës do të ketë reshje kryesisht të pakta bore.

Reshje lokale shiu nesër priten edhe në Maqedoninë e Veriut, Luginë të Preshevës dhe Mal të Zi ku priten reshje më intensive sidomos në jug të Malit të Zi.

Edhe dita e enjte dhe e premte do të karakterizohen me vranësira e reshje të herëpashershme, lokale shiu. Më pak reshje priten në Kosovë e dukshëm më shumë reshje e rrebeshe shiu priten në pjesë të Shqipërisë, por reshjet nuk do të jenë pa ndërprerje, prandaj priten edhe periudha pa reshje.

Po ashtu edhe fundjava vjen me mot të paqëndrueshëm, me vranësira e reshje shiu të karakterit lokal. Borë vetëm në male. Të dielën ka gjasa që të ketë përmirësim të motit, por kjo mbetet të shihet./MeteoBallkan

 

Lulzim Aliu, kandidat i PDK-së për deputet

Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka dalë me listën zyrtare me emrat e kandidatëve për deputetë, por Lulzim Aliu do të jetë në këtë listë.

Lulzim Aliu do të jetë kandidat për deputet dhe deri në këtë kohë ka shërbyer si nënkryetar i Komunës së Ferizajt që drejtohet nga Agim Aliu.

Lajmin për Aliun si kandidat për deputet e ka bërë të ditur një faqe e PDK-së në Ferizaj në rrjetin social Facebook.

Tahiri nuk habitet nga arrestimi i Mogherinit: Ajo hapi derën për ndarjen e veriut të Kosovës

Edita Tahiri, ish-kryenegociatore e Kosovës në dialogun me Serbinë në Bruksel, ka reaguar pas arrestimit të Frederica Mogherinit, ish-kryediplomate e BE-së.

Tahiri ka shkruar se nuk është habitur për arrestimin e Mogherinit.

Tutje, Tahiri ka përmendur idenë e korrigjimit të kufijve, të cilën e përkrahte Mogherini dhe po ashtu ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaci.

“Nuk u habita per arrestimin e saj sepse mbi keto baza korruptive Federica Mogherini hapi deren per lojerat e kufijve dhe ndarjen e veriut te Kosoves, te cilat lojera ne i mposhtem me vendosmeri ndersa vulen e mposhtjes ia dha Angela Merkel” – ka shkruar Tahiri.

Joseph, Coffey, Primorac njëzëri në Senatin Amerikan: Po, Kurti është bllokues i proceseve

Në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan po mbahet një seancë dëgjimore me temën “Një rrugë drejt stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Gjatë diskutimit aty u përmend edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili u përshkrua nga të pranishmit si person “pengues” (obstruksionist), që qëllimshëm bllokon proceset.

Kryesuesi Keith Self, duke iu drejtuar pjesëmarrësve në këtë dëshmi Max Primorac, Luke Coffey dhe Edward P. Joseph, ndër të tjera i ka pyetur nëse Albin Kurti është obstruksionist, dhe përgjigja e dy pjesëmarrësve në diskutim ishte “po” ndërsa e njërit prej tyre “më shumë po se jo”.

 

AAK përforcohet – afaristi i njohur i bashkohet listës për deputetë

Afaristi i njohur nga Gjermania, Mehmet Klinaku i është bashkuar AAK-së.

Lajmi u bë i ditur nga i pari i AAK-së, Ramush Haradinaj i cili tha se Klinaku do të jetë kandidat për deputet nga kjo parti.

”Kënaqësi ta mirëpresim aderimin në AAK të Mehmet Klinakut nga Vushtrria, arkitekt me profesion dhe afarist i njohur në Gjermani!

Mehmet Klinaku do ta begatojë listën e AAK-së për deputet në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ai sjell energji pozitive nga diaspora e respektuar shqiptare në Gjermani, si dhe një vizion të qartë për strategjinë që Kosova duhet ta ndërtojë për tërheqjen e investimeve nga diaspora, investime që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të vendit.

Diaspora nuk duhet të përmendet vetëm kur nevojiten votat, ajo duhet të jetë aksionare kryesore e zhvillimit ekonomik të Kosovës. Prandaj, shteti duhet t’i krijojë kushte më të lehta e më të afërta diasporës për marrjen e dokumenteve dhe shërbimeve të ndryshme, përmes ekipeve mobile dhe zgjidhjeve të tjera praktike.

Mirë se u bashkove me Aleancën, Mehmet!
Suksese!”, shkroi Haradinaj.

Buxheti, Rama ndan njoftimin e rëndësishëm

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka konfirmuar se komuna ka realizuar pagesën ndaj Trafikut Urban.

Rama ka thënë se të mërkurën rikthehet transporti publik në Prishtinë.

“Sot, sapo u alokuan mjetet nga Ministria, ne si komunë menjëherë realizuam pagesën ndaj Trafikut Urban. Nga nesër rikthehet shërbimi për qytetarët, të cilëve u kërkojmë ndjesë për shqetësimet dhe i falënderojmë për mirëkuptimin”, ka thënë Rama.

“Punëtorëve të Trafikut Urban u shprehim mirënjohje të veçantë për korrektësinë dhe për punën e palodhshme që e bëjnë çdo ditë për kryeqytetin tonë. Ju uroj punë të mbarë dhe shëndet!”, ka thënë ai.