Lajmi i Fundit
Aksident me fatalitet, vdes motoçiklisti

Një motoçiklist ka vdekur si pasojë e një aksidenti në rrugën “Tirana” në Gjakovë.

Lidhur me rastin e rëndë detaje për Klankosova.tv ka dhënë Albin Sahatqija, drejtori rajonal i Policisë së Trafikut në Gjakovë.

“Ka ndodhur rreth orës 02:20. Motoçiklisti nuk iu ka përshtatur shpejtësisë dhe e ka humbur kontrollin dhe është përplasur me trotuarin. Si pasojë e shpejtësisë, ai është gjuajtur mbi veturën e cila ka qenë duke lëvizur në shiritin e vet”, deklaroi ai.

Vetëvendosje: PDK po i bën presion LDK-së që të mos bashkëpunojë me ne

Deputeti i rizgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka deklaruar se zgjedhjet e fundit parlamentare kanë qenë të panevojshme dhe se rezultati i tyre ka dëshmuar se vendi kishte nevojë për stabilitet institucional e jo për procese të reja zgjedhore.

Ai ka thënë se pas shpalljes dhe certifikimit të rezultateve, duhet të nisin bisedimet politike për formimin e institucioneve, duke akuzuar opozitën se me refuzimin e bashkëpunimit ka sjellë vendin në krizën aktuale.

Sipas Rrustemit, po të ishte pranuar oferta e Vetëvendosjes për bashkëqeverisje me LDK-në vitin e kaluar, vendi nuk do të kishte kaluar në zgjedhje të reja.

“Partitë politike besonin, ato opozitare, që duke e çuar vendin në zgjedhje të njëpasnjëshme do ta dobësonin Lëvizjen Vetëvendosje dhe kësisoj do ta krijonin një rrethanë të përshtatshme për ta, për të krijuar një qeveri të pakicës për kundër fituesit të zgjedhjeve. Natyrisht, këto kalkulimet konjukturale për ta zhvlerësuar vullnetin e qytetarëve nuk prodhojnë stabilitet, dhe vjen një moment kur ato shpërfaqen komplet para publikut, para qytetarëve, dhe pastaj duhet të rishikosh pozicionin. Krejt çfarë ka mbetur të shihet se a ka ndryshuar apo jo, është qasja e opozitës në raport me Vetëvendosjen”, deklaroi Rrustemi.

Deputeti i Vetëvendosjes u shpreh se përsëritja e shpeshtë e zgjedhjeve ka ndikuar edhe në pjesëmarrjen e qytetarëve në votime.

“Mund të jenë faktorë të ndryshëm. Natyrisht mund të jetë edhe një lloj abstenimi nga përsëritja e vazhdueshme e zgjedhjeve, të shpeshta, domethënë ne në këto 18 muaj kemi pasur praktikisht tre palë zgjedhje parlamentare dhe dy palë zgjedhje lokale. Domethënë, pesë palë zgjedhje kemi pasur në 18 muaj. Angazhim i shpeshtë, kosto e madhe, krejtësisht e panevojshme. Edhe zgjedhjet e 22 tetorit, edhe këto të 14 shkurtit kanë qenë të evitueshme po të kishte vullnet politik. Por, të shpresoj që partitë politike opozitare kanë reflektuar domethënë, edhe rezultati i zgjedhjeve i ka bërë që të reflektojnë dhe të ndryshojnë qasjen. Të heqin dorë nga bllokada. Nuk mund të operosh me bllokadë. Në sistemin tonë parlamentar, me sistem zgjedhor proporcional, me një zonë zgjedhore, partitë politike janë të detyruara që të bashkëpunojnë, aq më tepër për procese siç është çështja e presidentit, që kërkon 2/3 e deputetëve në kuvend apo 2/3 e votave të deputetëve në kuti”, tha Rrustemi.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se Kosova duhet të ketë një president konsensual dhe jopartiak. Sipas tij, Vjosa Osmani nuk i plotëson kriteret për një figurë të tillë, pasi është e përfshirë aktivisht në politikë dhe ka qenë pjesë e proceseve partiake.

“Kosova ka nevojë për një president konsensual dhe ne e kemi thënë edhe para zgjedhjeve të 14 shkurtit, do të angazhohemi për një president jopartiak dhe për një president konsensual. Zonja Osmani është deputete e Kuvendit të Kosovës, është e angazhuar aktivisht në politikë, ka qenë pjesë e listës së një partie politike. Nuk përmbush elementet e një figure konsensuale. Domethënë, nga momenti i pozicionimit të saj pas nga shpërndarja e Kuvendit me atë dekretin antikushtetues, e deri tek kryesimi i listës së LDK-së, e deri tek të qenit deputete, nuk hyn në domenin e figurave konsensuale. Është një figurë tashmë politike, aktivisht politike. Nuk është çështja e votës individuale, por është çështje e pozicionit politik. Kosova ka nevojë për një president konsensual, jopartiak, dhe pastaj se raporti për të krijuar qeverinë, nëse jo, është çështje e vullnetit të popullit të shprehur në zgjedhje”, u shpreh ai.

Rrustemi ka komentuar edhe zhvillimet e fundit brenda LDK-së, si dhe përplasjet në rrjete sociale të Perparim Ramës me Dejona Mihalin.

Ai tha se Përparim Rama, është pjesë e kësaj përpjekjeje për ta penguar çdo afrim mes LDK-së dhe Vetëvendosjes, veçanërisht sa i përket arritjes së një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit.

“Kjo është një fushatë e PDK-së nëpërmjet elementeve të saj në LDK, siç është Përparim Rama, për ta goditur Lumir Abdixhikun dhe lidershipin aktual të LDK-së që të mos i afrohet me Vetëvendosjen, me asnjë bashkëpunim për ta gjetur një zgjidhje për presidentin. Domethënë, ka një tendencë të vazhdueshme të elementeve të PDK-së në LDK për ta tërhequr LDK-në kah PDK. Ata e kanë pasur gjatë këtyre 15 viteve në pozicione të njëjta. Por në situatën për të shmangur krizën e për të gjetur një zgjidhje për presidentin, dhe duke marrë parasysh që roli i LDK-së është i rëndësishëm, siç ishte përcaktues edhe herën e kaluar, PDK po ushtron presion mbi lidershipin aktual të LDK-së. Unë mund të kem mospajtime të pafundme edhe me lidershipin e LDK-së e me të tjerët, por ama më duket shumë dashakeqe si qasje që PDK po mban të, ose po tenton ta mbajë, LDK-në të nënshtruar dhe kësisoj të pengojë çfarëdo përafrimi apo bashkëpunimi për çështjen e presidentit në mes të LDK-së dhe VV-së”, përfundoi Rrustemi.

Rikujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e mbajtur dje më 27 qershor ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershor.

Sipas rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 47.13% të votave, duke siguruar 53 ulëse në Kuvend. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 19.44% dhe 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 16.69% me 18 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 6.74% dhe 7 ulëse

Vëllezërit rrahen mes vete për shkak të një prone

Dy vëllezër janë arrestuar pasi janë përleshur fizikisht mes vete pas një mosmarrëveshjeje lidhur me një pronë.

Rasti ka ndodhur në Obiliq.

Sipas policisë, njëri prej të dyshuarve ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar trajtim mjekësor.

Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një shufër metalike, e cila dyshohet se është përdorur gjatë përleshjes.

Të dy të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

Njoftimi i plotë:

LËNDIM I LEHTË TRUPORObiliq,27.06.2026-19:30. Janë arrestuar dy te dyshuar m/k –vëllezër në mes vete pasi që pas një mosmarrëveshje rreth një prone, te dyshuarit janë përleshur edhe fizikisht mes vete. Njëri prej tyre ka pësuar lëndime trupor te cilit i është dhënë ndihma mjekësore. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një shufër metalike qe dyshohet se është përdorur gjatë rrahjes. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar te dyshuari janë ndaluar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.

Hapet rrethi në hyrje të Prishtinës nga Gjilani, Rama akuzon Qeverinë për “përralla e ofendime”

Është inauguruar rrethi në hyrje të Prishtinës nga magjistralja për Gjilan. Lajmi u bë i ditur nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, që ka thënë se kjo rrugë është përgjegjësi e Qeverisë.

Tek ka akuzuar Qeverinë për neglizhencë, Rama ka thënë se kjo e ka detyruar “ta kryejë vetë këtë projekt”.

“Rrethi në hyrje të Prishtinës nga Gjilani u kry. Ky rreth është përgjegjësi e Qeverisë Qendrore, sepse i takon rrugës magjistrale. Por meqë tash e 6 vjet kjo qeveri është marr me përralla e ofendime e jo me punë, ne si Kryeqytet e kemi kry vet këtë projekt,që me lehtësu trafikun dhe qasjen për qytetarët e Prishtinës e sidomos atyre që vijnë nga Gjilani”, ka shkruar ai në Facebook.

Zhvillime në LDK: Kjo degë kërkon zgjedhje të brendshme në gjithë strukturën e partisë

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Rahovec ka kërkuar hapjen e një procesi të ri zgjedhor brenda partisë në të gjitha nivelet organizative, pas vlerësimit të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 7 qershor 2026.

Kjo kërkesë u bë gjatë një mbledhjeje të Kryesisë së degës, të zhvilluar të premten, më 26 qershor, ku u analizua performanca zgjedhore e LDK-së si në nivel lokal në Rahovec, ashtu edhe në nivel vendi.

Në komunikatën e lëshuar pas mbledhjes, thuhet se anëtarët e pranishëm njëzëri kanë vlerësuar se partia duhet të hyjë në një proces të plotë reformimi përmes zgjedhjeve të brendshme, duke marrë përgjegjësinë për rezultatin e arritur në zgjedhjet e fundit.

“Duke pasur parasysh pritjet e larta dhe rezultatin e dobët të LDK-së në këto zgjedhje, si në Rahovec ashtu edhe në nivel republike, vlerësojmë se është e domosdoshme që të organizohen zgjedhje në të gjitha strukturat e partisë”, thuhet në deklaratë.

Dega e LDK-së në Rahovec thekson se një proces i tillë është i nevojshëm për forcimin dhe riorganizimin e subjektit politik në të ardhmen.

Gjendet pa shenja jete një person në Gjakovë, trupi i dorëzohet familjes

Një person është gjetur pa shenja jete në Gjakovë, ndërsa rasti është trajtuar nga Policia si “Hetim i vdekjes”, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Sipas burimeve të Sinjalit, rasti është raportuar më 27 qershor, rreth orës 10:00, në rrugën “Elbasani”.

Pas pranimit të informatës nga një qytetar, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore dhe ekipi i Emergjencës, i cili rreth orës 10:30 ka konstatuar vdekjen e viktimës.

Burimet bëjnë të ditur se viktima ishte gjetur i shtrirë në krevatin e tij, ndërsa rasti ishte raportuar pasi një familjar e kishte parë nga dritarja dhe nuk kishte arritur të kontaktonte me të.

Sipas deklarimit të familjarit, viktima nuk kishte pasur ndonjë problem të njohur shëndetësor.

Fillimisht, me urdhër të Prokurorit kujdestar për Krime të Rënda, ishte vendosur që trupi i pajetë të dërgohej në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Megjithatë, pas insistimit të familjarëve dhe pasi në trup nuk janë vërejtur shenja dhune, në konsultim me Prokurorin kujdestar është vendosur që trupi i pajetë t’u dorëzohet familjarëve.

Rasti mbetet nën trajtim nga organet kompetente.

Shqiptari po lufton me jetën, theu shtyllën kurrizore gjatë pushimeve në Spanjë

Shqiptari nga Britania e Madhe, Ardi Balliu, 27 vjeç, po lufton për jetën pas një aksidenti tragjik gjatë pushimeve në një plazh të njohur në Marbella të Spanjës, ku pësoi thyerje të shtyllës kurrizore, raporton The Mirror.

Sipas këtij mediumi, Balliu nuk do të mund të ecë më kurrë pasi dëmtoi rëndë shtyllën kurrizore kur u hodh me kokë në det gjatë pushimeve dhe nuk doli më në sipërfaqe.

Balliu, nga Northamptoni i Anglisë, kishte vetëm pak ditë që kishte mbërritur për pushime në Marbella, në bregdetin Costa del Sol të Spanjës, kur ai dhe një mik vendosën të vizitonin gjirin e njohur Calo des Moro, një vend shumë i frekuentuar nga turistët.

Por, pasi Ardi u hodh me kokë në ujë, shoku i tij u alarmua kur 27-vjeçari nuk u rikthye në sipërfaqe. Duke bërtitur për ndihmë, ai kërkoi ndihmën e njerëzve që ndodheshin pranë. Notarët e tjerë arritën ta nxirrnin nga uji dhe ta sillnin në breg.

Sapo u nxor në plazh, Ardi u tha personave që e ndihmuan se nuk i ndiente këmbët. Më pas ai u transportua me helikopter ambulancë drejt spitalit.

Tashmë punëtori i ndërtimit po lufton për jetën, ndërsa familja e tij po mbledh para për ta kthyer në Britani, ku deri më tani janë grumbulluar mbi 34 mijë paund.

Vuçiq njofton dorëheqjen

Presidenti serb Aleksandër Vuçiq ka njoftuar se do të japë dorëheqjen nga pozicioni i tij “brenda javëve të ardhshme”, duke i hapur kështu rrugën zgjedhjeve të parakohshme, shkruan Reuters.

“Do të jem president vetëm për disa javë dhe pastaj do të jap dorëheqjen”, tha Vuçiq në një tubim mbështetësish në Beograd.

Vuçiq u zgjodh për herë të parë president i Serbisë në vitin 2017 dhe në vitin 2022 u rizgjodh për një mandat të dytë, i cili normalisht do të skadonte vitin e ardhshëm.

Për muaj të tërë, qeveria serbe ka qenë nën presion të madh, ndërsa protestat e shpeshta masive antiqeveritare vazhduan pas aksidentit vdekjeprurës në stacionin e trenit të Novi Sadit.

Bajrami: Refuzimi i projektit të gazit amerikan po i kushton Kosovës

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka shprehur shqetësim lidhur me zhvillimet e fundit sa i përket gazit amerikan dhe pasojat që ka Kosova nga refuzimi i këtij projekti nga Qeveria në detyrë. Në një intervisë me shkrim për rtv21 deputetja Bajrami tha se refuzimi i projektit të gazit amerikan nuk është thjesht refuzim i një infrastrukture, por  është refuzim i një mundësie për ta bërë Kosovën më të sigurt në aspektin e furnizimit me  energji elektrike, më konkurruese ekonomikisht dhe më pak të varur nga importi.

RTV21: Cilat janë pasojat për Kosovën nga refuzimi i projektit të gazit amerikan?

Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së:

“Pasojat tashmë po i shohim, po i paguajnë qytetarët dhe bizneset. Refuzimi i projektit të gazit amerikan nuk është thjesht refuzim i një infrastructure.  është refuzim i një mundësie për ta bërë Kosovën më të sigurt në aspektin e furnizimit me  energji ener, më konkurruese ekonomikisht dhe më pak të varur nga importi. Për gjashtë vjet qeverisje nuk janë shtuar  kapacitete të reja gjenerues, ndërsa gjatë të njëjtës periudhë Kosova ka importuar rreth 1 miliard euro energji elektrike. Kjo tregon se nuk kemi ndërtuar alternativa, por kemi thelluar varësinë nga importi. Në vend që Kosova të bëhej pjesë e rrjetit rajonal të gazit, të diversifikoj burimet e furnizimit dhe të rriste sigurinë energjetike, sot rrezikon të mbetet jashtë zhvillimeve që do ta përcaktojnë konkurrueshmërinë ekonomike të rajonit në të ardhmën e afërt. Kostoja nuk është vetëm energjetike, është ekonomike e është edhe politike. Bizneset po përballen me kosto gjithnjë e më të larta të energjisë. Disa tashmë kanë vështirësi serioze operimi, ndërsa të tjera po shqyrtojnë zhvendosjen e investimeve jashtë Kosovës. Prandaj, refuzimi i këtij projekti nuk është vendim pa pasoja, është vendim që prek drejtpërdrejt zhvillimin ekonomik, investimet, vendet e punës dhe mirëqenien e qytetarëve.”

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se Qeveria në detyrë duhet të jap përgjigje nëse refuzimi i gazit amerikan ka prapavijë politike, por sipas saj, faktet tregojnë se Qeveria Kurti ka refuzuar disa projekte nga Amerika.  Bajrami kërkon nga Qeveria në detyrë të ofrojë fakte dhe analiza se përse Kosova duhet të zgjedh alternativa tjera dhe jo gazin amerkan. 

RTV21: A ka një prapavijë politike kjo qasje e Qeverisë në detyrë?

Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së:

“Për motivet duhet të përgjigjet vetë Qeveria. Ne mund të flasim për faktet. Faktet tregojnë një vazhdimësi: fillimisht u kundërshtua ContourGlobal, pastaj u anulua projekti i gazit amerikan i mbështetur nga MCC, sot po refuzohet edhe ndërtimi i infrastrukturës së gazit, ndërsa në të njëjtën kohë thuhet se do të vazhdohet me gazifikimin e linjitit. Nëse kjo është zgjedhja më e mirë për Kosovën, atëherë Qeveria duhet ta dëshmojë me analiza – le të publikojë studimet. Le të tregojë sa kushton infrastruktura për të sjellë gazin LNG në Kosovë, sa kushton gazifikimi i linjitit dhe pse është zgjedhur njëra alternativë e jo tjetra. Po ashtu, është deklaruar se energjia do të merret nga Vlora në bazë të memorandumit të vitit 2022 me Shqipërinë edhe këtu kërkohet transparencë. Me çfarë çmimi do ta marrë Kosova atë energji? Me çmimin e kostos së prodhimit apo me çmimin e bursave ndërkombëtare? Nëse ekziston një marrëveshje që e garanton këtë, ajo duhet të bëhet publike. Kur mungojnë analizat dhe transparenca, është normale që qytetarët të shtrojnë pyetje dhe të kërkojnë llogari.”

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, është pyetur edhe për ndikimin që mund të ketë në raportet Kosovë-SHBA refuzimi i projektit të gazit amerikan. 

RTV21: A ndikon në raportet Kosovë-SHBA refuzimi i projekteve amerikane?

Hykmete Bajrami, deputete e LDK-së:

“Partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është shumë më i madh se një projekt i vetëm dhe është në interesin tonë kombëtar që ai të mbetet i fortë. Megjithatë, nuk mund të injorohet fakti se kur refuzohen në mënyrë të përsëritur projekte strategjike amerikane, krijohet një perceptim që nuk i shërben Kosovës. Për më tepër, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për marrëdhëniet politike me SHBA-në, bëhet fjalë për humbjen e mundësive për investime strategjike, për siguri energjetike, për zhvillim ekonomik dhe për integrimin e Kosovës në arkitekturën e re energjetike të rajonit. Kosova ka nevojë për më shumë partneritet, më shumë investime dhe më shumë alternativa energjetike, jo për më shumë varësi nga importi. Sepse në fund, çdo vendim në energji matet me rezultatet. Sot rezultati është ky: nuk kemi kapacitete të reja gjeneruese, kemi importuar rreth 1 miliard euro energji, qytetarëve po u trashen faturat, bizneseve po u rriten kostot, ndërsa tregtarëve të energjisë po u trashen fitimet. Kjo është arsyeja pse ne kërkojmë një ndryshim të qasjes dhe një politikë energjetike që i shërben interesit publik dhe zhvillimit afatgjatë të Kosovës, mjaft politikës që ju shërben tregtarëve të energjisë.” tha Bajrami.

Haradinaj për protestat në Tiranë: Turp që qytetarë nga Kosova shkojnë atje

Ramush Haradinaj ka reaguar për protestat që po zhvillohen prej tre javësh në Tiranë, duke kundërshtuar pjesëmarrjen e qytetarëve nga Kosova në këto tubime.

Në një intervistë për Pressing në T7, ish-kryeministri i Kosovës tha se nuk e mbështet përfshirjen e bashkëkombasve në protestat që po mbahen në kryeqytetin shqiptar

Po më vjen marre që i shoh bashkëombasit në protestë në Shqipëri. Unë nuk do kisha shkuar dhe do t’u kisha thënë njerëzve përmbahuni.”-tha ai

Në protestat e zhvilluara në bulevardin e Tiranës kanë marrë pjesë edhe qytetarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Prania e tyre është komentuar edhe nga faktorë politikë në Prishtinë dhe Shkup.