div[data-widget-id="1924179"] { min-height: 300px; }
class="archive paged category category-lajme category-1 custom-background wp-custom-logo paged-54 category-paged-54 wp-theme-news-25 td-standard-pack group-blog hfeed">
E goditi babanë në kokë dhe u arratis, arrestohet pas disa orësh i dyshuari

Një konflikt i rëndë familjar në fshatin Pagarushë të Malishevës ka përfunduar me arrestimin e një 29-vjeçari, i cili dyshohet se sulmoi fizikisht babanë e tij dhe më pas u arratis nga vendi i ngjarjes, raporton Gazeta Sinjali.

Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se Policia ishte alarmuar për një rast të dhunës në familje në këtë fshat, ku patrulla policore pas daljes në vendin e ngjarjes kishte hasur viktimën, N.K, me lëndime në pjesën e kokës.

Sipas dyshimeve fillestare, lëndimet i ishin shkaktuar nga djali i tij, Q.K, pas një konflikti që kishte eskaluar në dhunë fizike brenda familjes.

Për shkak të gjendjes së tij, viktima ishte dërguar për trajtim mjekësor në QMF-Malishevë, ndërsa i dyshuari ishte larguar nga vendi i ngjarjes dhe për disa orë kishte qenë në arrati.

Pas veprimeve operative dhe hetimore të Policisë, është arritur të sigurohet prezenca e të dyshuarit, i cili më pas është intervistuar nga njësia e hetimeve dhe zyrtari primar për dhunë në familje.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj Q.K  është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, derisa rasti po hetohet si “Dhunë në familje”.

E quajti Osmanin ‘frizere’, sqarohet Konjufca

Glauk Konjufca ka reaguar njda raportimeve që ndërlidhen me deklaratën e tij në një tubim në Ferizaj, ku ai e quajti ish-presidenten Vjosa Osmani ‘frizere’.

Përmes një postimi në Facebook, Konjufca këto pretendime i ka cilësuar ato si “luftë speciale” dhe shtrembërim të qëllimshëm të fjalëve të tij.

Sipas Konjufcës, gjatë një ndërhyrjeje nga një pseudogazetar është përdorur termi “frizere”, të cilin ai e ka kundërshtuar duke theksuar se shumë gra dhe vajza në Kosovë jetojnë me ndershmëri nga ky profesion dhe mbajnë familjet e tyre.

Ai ka sqaruar se deklarimi i tij nuk kishte të bënte fare me Presidenten Vjosa Osmani dhe se mediat kanë nxjerrë jashtë kontekstit vetëm termin e përdorur për të krijuar një narrativë të pavërtetë.

Postimi i plotë:

Unë rrallë reagoj për lajme të rreme, sepse sot kjo të imponon të reagosh pothuajse çdo orë. Por kjo luftë speciale e sontme nuk më la indiferent. Meqë po e vërej qartë se prapa këtij shtrembërimi të qëllimshëm ekzistojnë qindra mekanizma të riprodhimit me një qëllim vërtet të keq. E qëllimi është kontaminimi i skenës politike edhe në hapësirat e fundit.

Në një tubim në Ferizaj, një pseudogazetar më ndërpreu dhe e përdori termin ‘frizere’. Pyetjen as që e dëgjova saktë për shkak të zhurmës dhe artikulimit. Ky term më pengoi dhe ia sqarova atij se shumë vajza e gra në popullin tonë e bëjnë këtë punë fisnike dhe e mbajnë familjen e tyre. Gjithashtu ia shpjegova se pikërisht për këtë shkak ky profesion është përfshirë edhe në programin e arsimit dual të inauguruar nga qeveria. Pra, diskutimi im pati vetëm një qëllim specifik: vërejtjen time që një term i tillë të mos përdoret në mënyrë përçmuese.

Asnjë diskutim imi nuk ka pasur të bëjë me Presidenten Osmani. Mediat qëllimkëqija, për kushedi çfarë kalkulimesh, e prenë vetëm termin ‘frizere’ dhe më pas ndërtuan rrëfimin e tyre të paqenë. Të gjithë ata që më njohin, e edhe vetë znj. Osmani, me të cilën kam bashkëpunim të gjatë dhe respekt të ndërsjellë, të cilin e ruaj edhe sot, e dinë qasjen time në politikë.

Për çdo rast, të gjithë atyre që ky konstrukt i inxhinieruar i luftës speciale i ka lënduar, u kërkoj ndjesë.

Lushaku – Sadriu premton rritje të shtesave për fëmijët dhe lehonat

Jehona Lushaku – Sadriu, ish-shefe e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje është duke bërë propagandë kinse LDK-ja është kundër shtesave për fëmijët dhe nënat lehona.

E ftuar në VV Show, Lushaku – Sadriu, i bëri thirrje qytetarëve që të mos i besojnë propagandës së VV-së, teksa bëri të ditur se LDK-ja e ka në program rritjen e shtesave.

“Është e turpshme qysh një kryeministër i përdor paratë e shtetit për qëllime elektorale. Si parti ne kemi vendim dhe e kemi në program që shtesat jo vetëm që do të jepen Ad-hoc, për ne kemi me e bë edhe me ligj. Madje kemi synim me i rrit shtesat edhe për fëmijë, për lehona edhe për pensionistë. Mirëpo jo në kohë elektorale, sepse kjo është e pandershme, ai është duke blerë vota. Krejt “armët” që i kemi, fjalorin dhe kontaktin me qytetarët, po ia bëjmë të qartë se LDK-ja nuk është kundër shtesave siç po thonë njerëzit e Albinit sepse këta po bëjnë propagandë”, ka thënë në VV Show Lushaku – Sadriu.

Kandidatja për deputete edhe në këto zgjedhje, Lushaku – Sadriu ka premtuar se LDK-ja do të sjellë shumë më tepër se shtesa për fëmijët në qeverisjen e tyre.

“Ne jemi për me i rritë shtesat, me mirëqenie dhe rritje ekonomike, ne nuk jemi me i lonë paret si ky në buxhet. Ne jemi për me i nda për qytetarët, por edhe për me investu në investime zhvillimore, në fabrika e projekte që do të hapin vende punë për qytetarët. Ne duhet të shkojmë përtej kësaj dhe jo t’i lëmë qytetarët me u knaq kur ja jep 40 ose 100 euro për qëllime elektorale. Më vjen keq që keqpërdoren, por ne do të shkojmë përtej me projekte zhvillimore”, ka bërë të ditur ajo në VV Show.

Hamza i bindur: Kurti do të shkojë në opozitë pas zgjedhjeve të 7 qershorit

Kryetari i PDK-së Bedri Hamza, në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se Albin Kurti do të përballet me humbje në zgjedhjet e ardhshme dhe sipas tij do të kalojë në opozitë, duke theksuar se kjo do të ishte një zhvillim i shëndetshëm për vendin.

Ai tha se gjuha polarizuese dhe ndarja e shoqërisë në “errësirë dhe dritë” nuk po i kontribuon Kosovës dhe se fushata zgjedhore duhet të fokusohet në programe dhe ekipe, jo në fyerje dhe ofendime.

“Gjuha polarizuese, ndarja e shoqërisë në errësirë dhe dritë nuk po i kontribuon vendit. Gara politike është garë dhe përfundon. Mendoj që duhet me lënë derë të hapur, secili garon me fitu. Nuk dua me pa fushatë me sharje, fyerje e ofendime, dua fushatë me projekte dhe ekipe. Jam i bindur se Kurti e din mirë që në zgjedhjet e ardhshme do të ketë rezultat tjetër”, tha Hamza.

Ai shtoi se dallimet mes partive politike janë të mëdha dhe se rezultati zgjedhor do të reflektojë këtë realitet.

“Ai e do pushtetin, por nuk e merr, sepse vota do të tregojë se nuk e merr. Mes shkurtit dhe dhjetorit ka dallim shumë të madh”, u shpreh ai.

Hamza foli edhe për diasporën dhe zhvillimet politike, duke thënë se disa parti janë të organizuara më mirë jashtë vendit dhe se vendimet politike ndikojnë edhe në diasporë.

“Në zgjedhje garojmë për Kuvend. LDK ka dalë me propozim me Vjosa Osmanin dhe është e drejtë e tyre. Disa parti janë më të organizuara në diasporë”, tha ai.

Në fund, Hamza tha se mungesa e rezultateve në qeverisje, polarizimi i shoqërisë dhe përkeqësimi i raporteve ndërkombëtare do të ndikojnë në ndryshimin politik në vend.

“Për shkak të mungesës së rezultateve në qeverisje dhe polarizimit të shoqërisë, si dhe përkeqësimit të raporteve me partnerët ndërkombëtarë, Kurti do të shkojë në opozitë. Besoj që do të shkojë në opozitë”, deklaroi Hamza.

Bojan Jevtiq dënohet me 6 vjet burgim për spiunazh

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 6 vjet burgim ish-togerin e Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq, pasi paraprakisht u aprovua marrëveshja për pranimin e fajësisë lidhur me akuzat për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas aktgjykimit, Jevtiq është dënuar me 6 vjet burgim për veprën penale “Spiunazhi”, ndërsa për armëmbajtje pa leje iu shqiptua gjobë prej 2 mijë eurosh. Gjykata vendosi dënim unik prej 6 vitesh burgim dhe gjobë në të njëjtën shumë.

Po ashtu, ndaj tij është vazhduar masa e paraburgimit, ndërsa është urdhëruar konfiskimi i të gjitha sendeve të sekuestruara dhe shkatërrimi i armës së gjetur.

I dënuari është ndaluar gjithashtu të ushtrojë funksione publike në administratën shtetërore për një periudhë prej pesë vitesh pas përfundimit të dënimit me burgim.

Sipas aktakuzës, Jevtiq akuzohej se kishte transmetuar informacione dhe dokumente të klasifikuara te BIA, duke rrezikuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Kosovës.

Zgjedhjet e 7 qershorit, Asrtit Gashi jep parashikimin befasues

Analisti politik Astrit Gashi ka dhënë parashikimet e tij lidhur me rezultatin e mundshëm të zgjedhjeve, të 7 qershorit, duke theksuar se skena politike në vend pritet të mbetet e fragmentuar.

I ftuar në emisionin “Debat Plus”, Gashi deklaroi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) pritet ta kalojë pragun zgjedhor dhe të sigurojë rreth 8 deputetë në Kuvend.

Sipas tij, Partia Socialdemokrate (PSD) nuk do të arrijë të sigurojë votat e nevojshme për të hyrë në Kuvend, duke mbetur kështu jashtë institucioneve.

Sa i përket Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Gashi u shpreh skeptik për arritjen e shumicës absolute, duke theksuar se do ta ketë shumë të vështirë të sigurojë 51 deputetë.

Këto komente ai i bëri në kuadër të një analize më të gjerë për zhvillimet politike dhe pritshmëritë nga zgjedhjet e ardhshme.

Aksion i Policisë, arrestohen pesë serbë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion të Policisë së Kosovës, njofton se duke vepruar sipas detyrës zyrtare dhe pas raportimeve në media lidhur me deklarimet e Ministrit z. Nenad Rashiq për kërcënimin e votuesve në komunën e Graçanicës, janë ndërmarrë menjëherë veprimet e nevojshme hetimore.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit janë ndaluar pesë persona, shtetas të Republikës së Kosovës, të nacionalitetit serb, pasi që të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘’Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’’, nga neni 210 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Lidhur me këtë rast, janë siguruar deklarata dhe prova të mjaftueshme, mbi bazën e të cilave dyshohet se personat e ndaluar janë përfshirë në veprime të kundërligjshme që ndërlidhen me veprën e lartcekur.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në kuadër të kompetencave të saj ligjore, mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor, garantimin e ushtrimit të lirë të së drejtës së votës dhe respektimin e rendit kushtetues ligjor në Republikën e Kosovës.

Kadrijaj: Askush s’ka dashur të shkojë në zgjedhje përpos Albin Kurtit

Time Kadrijaj nga AAK-ja ka thënë se duhet kompromis për çështjen e zgjedhjes së Presidentit duke shtuar se është kërkuar edhe nga kryeministri në detyrë Albin Kurti të ketë kompromis, por sipas saj ai nuk ka dashur.

“Në fund u shpërfaq çka ka dashur Kurti, ta fus në garë një kanidat të propozuar nga opozita më një kandidat të propozuar nga Zoti Kurti e që me automatizëm ishte zgjedhur kandidati i zotit Kurti…e shpërfaqi se nuk ka dashur marrëveshje”, tha ndër tjerash Kadrijaj.

Sa i përket asaj se a janë të gatshëm të bashkëpunojnë më Kurtin për çështjen e presidentit, Kadriaj tha se njëherë janë të interesuar të përfundojë procesi zgjedhor.

“Askush s’ka dashur të shkojë në zgjedhje përpos Albin Kurtit dhe LVV-së, ndoshta jo deputetët e LVV-së po të Albin Kurtit sepse nuk është e drejtë që vendi të shkojë në zgjedhje është hera  e tretë për 1 vjet e 4 muaj pa asnjë rezultat”, tha Kadriaj duke shtuar se në të kaluarën me më pak deputet të partisë në pushtet është arritur konsensus dhe është zgjedhur presidenti.

Ajo tha se Kurti ka dashur që deputetët e opozitës atëherë të rrijnë në sallë dhe ai ta zgjedh presidentit.

“Nuk është konsensus është detyrim ka dasht me na detyru neve deputetëve të qëndrojmë në sallë.”, tha ajo./

Polici dhe policja në veri suspendohen pasi u “kapën në momente inti*me”, Elshani jep detaje

Nën dyshimin për sjellje të rëndë diskredituese janë suspenduar një zyrtar policor dhe një zyrtare policore në Mitrovicën e Veriut.

Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

Sjellje e rëndë diskredituese që do të thotë për sjellje etike, puna e imazhit”, tha Elshani.

Sipas tij, të dy zyrtarët janë suspenduar për tre ditë dhe më pas janë rikthyer në detyrë.

“Njëri prej tyre është transferuar në një stacion tjetër për çështje operative”, shtoi më tej zëvendëskomandanti Elshani.

Dy policët serbë, një burrë dhe një grua u suspenduan pasi janë kapur në një situatë intime gjatë orarit të punës.

Bëhet e ditur policët N.P. dhe R.T., të cilët dyshohet se janë hasur të zhveshur brenda veturës më 9 maj, nga një njësi tjetër e Policisë së Kosovës.

“Spiun i Serbisë, vëllai i tij rrahu dhe plaçkiti shqiptarë”- Aktivisti i PDK’së shokon me deklaratën për mërgimtarin që kërcënoi Haradinajn

Mërgimtari Naser Xhylani, militant i Lëvizjes Vetëvendosje, ka lëshuar deklarata të rënda dhe kërcënuese në drejtim të ish-deputetit të AAK’së, Daut Haradinajt.

Aktivisti i PDK-së në Pejë, Astrit Berisha pretendoi se Xhylani është “spiun nga Peja” që ka miqësi me Bato Bullatoviqin dhe Boro Vllahoviqin, dy emra famëkeq si kriminelë të luftës, shkruan Insajderi.

““Ky është një spiun nga Peja, shok i komandirëve të ish-Serbisë, Bato Bullatoviqit dhe Boro Vllahoviqit”, deklaroi Berisha.

“Vëllai i vet, Taluci, ka rrahur dhe ka plaçkitur shqiptarë bashkë me shkije dhe me udbashët e asaj kohe”, pretendoi më tej ai. /Insajderi.org/