Nominimi i Kurtit për kryeministër, Konjufca: Albinin po e kërkon populli

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka prezantuar zyrtarisht kryetarin e kësaj partie, Albin Kurti, si kandidat për kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Gjatë fjalimit të tij, Konjufca e cilësoi Kurtin si politikanin më të votuar në historinë e demokracisë parlamentare të vendit, duke theksuar meritat e tij në udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe në proceset e transformimit shoqëror e demokratik.

“Unë do ta nominoj më të votuarin nga populli ynë në historinë e demokracisë sonë parlamentare. Më meritorin në udhëheqjen e Lëvizjes Vetëvendosje, liderin e vërtetë të transformimit social dhe demokratik, kryeministrin më të suksesshëm të Republikës sonë, Albin Kurtin”, ka deklaruar Konjufca.

Ai tha se Albini me mençuri e tranformoi Vetëvendosjen si partinë më të madhe.

Ai tha se Kurtin e kërkon populli.

Nesër borë në Kosovë, këto do të jenë tempraturat

Mendimi për motin – 25.11.2025

Reshje të shiut që përfshinë vendin gjatë natës, vazhdojnë orëve të mëngjesit të ditës së enjtë. Paradite parashihet të pushojnë, e mbetet mot kryesisht i vranët dhe i ftohtë nga mesdita. Temperaturat në rënie, zbresin deri në 1C e 4C, ndërkohë që pjesëve lindore e qëndrore të vendit, pasdite fillojnë edhe të reshurat e dëborës. Vetëm në pjesë më të ulëta, nga Dukagjini, do të jenë të përziera me apo vetëm të shiut. Frynë erë e ftohtë veriore e verilindore, e lehtë dhe mesatare 5-11m/s.

Reshjet e borës parashihet të vazhdojnë orëve të mëngjesit të ditës premtë duke formuar shtresë dëbore edhe pjesëve të ulëta. Lokalisht mund të vazhdojnë orëve të pasdites. Reshjet e dëborës rikthehen natën me kalimin në ditën e shtunë. Temperaturat mbesin të ulëta, ndërmjet -1C e 2C. Frynë erë e ftohtë veriore e lehtë dhe mesatare 4-10m/s. Të shtunën mbetet mot kryesisht i vranët, me vransira të ulëta. Ditën e diel gradualisht vransirat pritet të shpërndahen. Të hënën mbeten më shumë vransira, mirëpo temperaturat shënojnë një rritje deri në 8C e 9C. Era ndryshon drejtimin në jugore e juglindje, e frynë e lehtë 1-3m/s.

“Kemi pranuar autopsinë, Rina nuk është e dyshuar”- Pas shumë kohësh, Prokuroria jep detaje për vdekjen e Festim Isufit

Një ngjarje tejet e rëndë, pati tronditur Kosovën më 9 maj të këtij viti.

Në rrugën “B” në Prishtinë, në banesën e tij, ishte gjetur i vdekur dizajneri i njohur kosovar, Festim Isufi.

Në lidhje me rastin, detaje pati dhënë asokohe Policia e Kosovës, ku tregohej se e lënduar në këtë rast pati mbetur edhe gruaja e Festimit, Rina Maloku.

“Rreth orës 15:00 është raportuar për dy persona të lënduar në një ndërtesë në rrugën “B” në Prishtinë. Me të marrë informatën policia ka dalë në vendin e ngjarjes duke filluar menjëherë me ndërmarrjen e veprimeve hetimore me synim sqarimin e rrethanave të rastit. Në vendin e ngjarjes janë ftuar edhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar vdekjen e njërit prej personave të lënduar, mashkull, 34 vjeç, ndërsa e lënduara femër, 30 vjeçare është dërguar për tretman mjekësor. Mbështetur në të dhënat fillestare, dyshohet se personat kanë pësuar lëndime nga një mjet i mprehtë, dyshohet thikë. Hetuesit policor po ndërmarrin të gjitha veprimet e duhura hetimore që do t’i kontribuonin hetimit të ngjarjes”, thuhej për rastin.

Mbi këtë ngjarje po atë ditë është deklaruar edhe Prokuroria, ku u tha se po bëhet gjithçka për të zbuluar rrethanat e ngjarjes.

“Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik, se sot, më datë 09.05.2025, rreth orës 03:00 në “Rrugën B” në Prishtinë, ka ndodhur një rast i rëndë, ku një (1) person mashkull ka humbur jetën, dhe trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Prokurori kujdestar ka dalë në vendin e ngjarjes së bashku me njësitet relevante të Policisë së Kosovës, dhe ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve të menjëhershme hetimore për ndriçimin e plotë të rastit. Lidhur me këtë rast, Prokuroria ka iniciuar procedurë penale me kallëzim penal si ‘’Hetim mbi vdekjen’’, për të sqaruar rrethanat e kësaj ngjarje. Prokuroria Themelore në Prishtinë, është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti tragjik”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë.

Të njëjtën ditë, e lënduar kishte mbetur edhe bashkëshortja e Festim Isufit, tiktokerja, Rina Maloku. Ajo kishte dal e përgjakur dhe kishte kërkuar ndihmë në ordinancën dentare “Alba Dent”, e më pas ajo kishte pranuar tretman mjekësor, por që ishte lënduar lehtë.

Që nga maji e deri më sot, nuk janë dhënë detaje të tjera që mund të tregonin rrjedhën e kësaj ngjarjeje.

Sot, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka thënë për lajmi.net se e kanë pranuar raportin e autopsisë dhe se në lidhje me vdekjen tragjike të Festim Isufit kanë intervistuar disa persona.

Ata kanë treguar po ashtu se bashkëshortja e Festim Isufit, Rina Maloku nuk është e dyshuar.

“Lidhur me pyetjen tuaj, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë ka pranuar raportin e autopsisë dhe ka intervistuar disa persona. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se nuk ekzistojnë dyshime të bazuara lidhur me këtë rast”,thuhet në përgjigje.

Përpos kësaj, u tha se Prokuroria po pret edhe disa prova shtesë, që do ndihmojnë në zbardhjen e plotë të çështjes.

“R.M. nuk është e dyshuar dhe ndaj saj nuk është nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve. Megjithatë, Prokuroria është ende në pritje të disa provave shtesë, të cilat do të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të çështjes”.

Menjëherë pasi ndodhi rasti, qytetarët në Kosovë kishin zhvilluar pista të ndryshme se si kishte mundur të ndodhte ngjarja. Ata shpesh e kishin fajësuar dhe e kishin shfaqur si të dyshuar bashkëshorten e Festim Isufit, Rina Malokun, e cila që kur ka ndodhur ngjarja kishte reaguar vetëm njëherë dhe më nuk kishte qenë aktive në rrjete sociale.

Në një reagim prekës në Instagram, Rina, bashkëshortja e ndjerë e Festimit, të nesërmen, më 10 maj, ka publikuar një fotografi me të në InstaStory, duke i dhënë lamtumirën me fjalë të dhimbshme: “Prehu i qetë jeta jem, humbja jote e papritshme na ka lënë me dhimbje të papërshkrueshme. Të du e të kujtoj si njeri të mirë, të buzëqeshur si ishe”.

Dyshime se në këtë rast ka qenë i përfshirë edhe një person i tretë, ka nxitur vëllai i viktimës, Lulzim Isufi.

“Sipas informatave që kam vetë unë personalisht, pa prokurori, pa asgjë, me sa e di unë, këtu është i përfshirë një i tretë. Ama pa qenë 100 për qind i sigurt, nuk mund të them më shumë”, ishte shprehur ai pak pasi kishte ndodhur rasti.

Vëllai i stilistit të njohur theksoi më tej: “Besoj që edhe prokuroria e di që ka edhe të tjerë të përfshirë. Ne nuk i përzihemi prokurorisë çka bën, por me sa kam informacion, është edhe një i tretë i përfshirë. Kam thënë që po dyshoj, mirëpo tani në bazë të informacioneve që kam, po besoj që kjo është e sigurt”.

Rina dhe Festimi, që të dy kanë qenë dy personazhe të njohura dhe aktive në media sociale. Festim Isufi ka qenë emër i njohur në dizajn, duke sjell gjithnjë vepra të reja shumë kreative.

Memli Krasniqi merr detyrë të re në PDK

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, të udhëhequr nga kryetari Bedri Hamza, në të cilën është diskutuar dhe vendosur për organizimin e partisë në kuadër të zgjedhjeve të përgjithshme të 28 dhjetorit.

Në këtë mbledhje, kryesia ka miratuar formimin e Shtabit Qendror Zgjedhor, i cili do ta udhëheqë procesin organizativ dhe koordinues të fushatës.

“Me vendim të Kryesisë, shtabi do të udhëhiqet nga ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili me përvojën, integritetin dhe profesionalizmin e tij, do të garantojë një organizim efikas dhe dinamik drejt fitores”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

Poashtu, Kryesia ka vendosur që pas zgjedhjes së Bedri Hamzës, Kryetar i PDK-së, Arian Tahiri të jetë Ushtrues Detyre i Kryetarit të Degës në Mitrovicë.

Kryesia ka mbështetur edhe koalicionin e Partisë Demokratike të Kosovës me Grupin e Deputetëve të Familjes.

“PDK hyn në këto zgjedhje me unitet të plotë, me struktura të mobilizuara dhe me besim në projektin e saj për një qeverisje të përgjegjshme, stabile dhe në shërbim të qytetarëve. Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë t’i informojë mediat dhe opinionin publik për secilin hap të mëtejmë të procesit zgjedhor”, thuhet në njoftimin për media

Pasi dha dorëheqje nga posti i kryetarit të PDK-së, Krasniqi merr vendimin e papritur

Ish kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, ka reaguar pasi është caktuar shef i Shtabit Qendror Zgjedhor për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ai ka thënë se këto zgjedhje janë mundësi për t’i rikthyer vendit normalitetin, stabilitetin dhe zhvillimin.

“Sot, me vendim të Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, kam marrë përsipër përgjegjësinë për të udhëhequr fushatën zgjedhore të partisë, si Shef i Shtabit Qendror Zgjedhor, në rrugën tonë drejt fitores më 28 dhjetor. Këto zgjedhje janë mundësi për t’i rikthyer vendit normalitetin, stabilitetin dhe zhvillimin. PDK hyn në këtë proces më e përgatitur, e bashkuar dhe shumë e gatshme për t’i dhënë vendit drejtimin që meriton.”

Ai ka thënë se në këtë fushatë do të jetë plotësisht në shërbim të fushatës së PDK’së, ekipit e strukturave.

Krasniqi shtoi se nuk do të jetë pjesë e listës zgjedhore.

“Në këtë fushatë, do të jem plotësisht në shërbim të fushatës sonë, të ekipit, të strukturave dhe të fitores sonë të përbashkët. Prandaj, pas shtatë mandateve si deputet i Kuvendit të Kosovës, këtë herë kam vendosur që të mos jem pjesë e listës tonë zgjedhore. Ky është një vendim i qëllimshëm, që më lejon t’i përkushtohem tërësisht organizimit dhe udhëheqjes së fushatës dhe mbështetjes së plotë për Kryetarin dhe kandidatin tonë për Kryeministër, Bedri Hamza. Ecim bashkë, me besim dhe vendosmëri, për një Kosovë ma të mirë për të gjithë!”

“Kush ka hy me PDK’në, i lagur ka dal”- Ish-deputeti i VV që dikur ironizonte PDK-në, sot zyrtarizohet si aleat i saj

Partia Demokratike e Kosovës ka zyrtarizuar sot koalicionin me Eman Rrahmanin nga Lista për Familjen, një figurë politike që më herët ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, shkruan Insajderi.

Rrahmani, në kohën kur shërbente si deputet i VV-së, kishte bërë një deklaratë të bujshme në rrjetet sociale për ata që i bashkoheshin PDK-së. Në qershor të vitit 2019 ai kishte shkruar:
“Kush ka hy me PDK’në, i lagur ka dal.”

Zgjedhjet e 28 dhjetorit, ky është koalicioni i parë i konfirmuar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se po vazhdon periudha në të cilën partitë politike të regjistruara duhet të informojnë institucionin lidhur me pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit 2025 përmes koalicioneve. Ky afat, i hapur më 24 nëntor, do të përfundojë më 30 nëntor 2025.

Deri të mërkurën më 26 nëntor 2025, në orën 10:00, është paraqitur një koalicion për pjesëmarrje në zgjedhje.

Kështu ka konfirmuar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

“Deri më tani (e mërkurë, 26 nëntor 2025, ora 10:00), KQZ, respektivisht Zyra për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike është njoftuar për formimin e një koalicioni për pjesëmarrje në zgjedhje, si në vijim: PAI – PDAK – LPB, i përbërë nga partitë politike Partia e Ashkalinjëve për Integrim (PAI), Partia Demokratike e Ashkanlive të Kosovës (PDAK) dhe Lëvizja për Bashkëveprim (LPB)”. Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike”, ka deklaruar Elezi.

Ai shtoi se partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar deri sa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ.

“Gjithashtu, partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër apo edhe si parti e veçantë në të njëjtat zgjedhje”, theksoi Elezi.

Prurje e re nga Lumiri, analisti i njohur aderon në LDK

Ermal Sadiku, një prej emrave më të shquar të inxhinierisë, inovacionit dhe sipërmarrjes teknologjike në Kosovë i është bashkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, transmeton Klankosova.tv.

“Aderimi i tij në LDK është forcim i ekipit tonë. Ai vjen me profesionalizëm, integritet e përvojë. Ai vjen si një adresë e tashme politike dhe e ardhme e sektorit më me potencial në Kosovë”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Postimi i plotë:

Mirë se vjen, Ermal!

Ermal Sadiku, një prej emrave më të shquar të inxhinierisë, inovacionit dhe sipërmarrjes teknologjike në Kosovë, nga sot i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.

I lindur dhe rritur në Prishtinë, Ermal Sadiku që në hapat e parë të karrierës së tij akademike ishte një prej studentëve më të përgatitur të gjeneratës. Studimet e avancuara në Gjermani i dhanë jo vetëm ekspertizë të thellë teknike, por edhe një perspektivë ndërkombëtare mbi inovacionin, standardet moderne të industrisë dhe mënyrat se si ndërtohen ekosistemet e qëndrueshme teknologjike. Pikërisht këto përvoja formësuan vizionin e tij profesional, që sot përbën një vlerë të çmuar për vendin.

Pas kthimit në Kosovë, Ermal Sadiku u bë një nga zërat udhëheqës të transformimit digjital.

Si themelues i disa prej kompanive më të suksesshme të sektorit ICT, ai ka kontribuar drejtpërdrejt në rritjen e industrisë vendore të teknologjisë, duke krijuar vende pune me standarde ndërkombëtare dhe duke dëshmuar se edhe nga Kosova mund të ndërtohen produkte që konkurrojnë denjësisht në tregun global.

Ai ka shërbyer si ligjërues universitar, duke ndarë dije me gjenerata të tëra studentësh. Si kryetar i Bordit të STIKK, ai ka ndikuar në hartimin e politikave dhe strategjive që kanë ndërtuar ekosistemin e sotëm të fortë të teknologjisë në vend. Përmes mentorimit dhe trajnimeve, ai vazhdon të jetë inspirim për qindra të rinj që ëndërrojnë një karrierë në fushën e inovacionit.

Sot, Ermal Sadiku njihet si një prej figurave kryesore të inovacionit dhe sipërmarrjes në Kosovë; një profesionist me vizion, një lider me përvojë dhe një kontribues i palodhur në zhvillimin e digjitalizmit.

Aderimi i tij në LDK është forcim i ekipit tonë. Ai vjen me profesionalizëm, integritet e përvojë. Ai vjen si një adresë e tashme politike dhe e ardhme e sektorit më me potencial në Kosovë.

Ne na udhëheqë besimi në potencialin e të rinjve kosovarë; se ata janë çelësi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë; një të ardhme ku Kosova qëndron denjësisht në hartën e inovacionit global.

Ardhja e tij, dhe e shumë të tjerëve që po na bashkohen, është një thirrje e qartë për bashkim të secilit që beson se vendi meriton më shumë; që dëshiron ndryshim dhe angazhohet për të.

Dyert tona janë të hapura.

Mirë se vjen, Ermal Sadiku!

Paç shëndet e përkushtim në këtë rrugëtim të ri.